TRAJNERI: “CURRI, TË PRESIM TË RIKTHEHESH AI I PARI”

495
Sigal

Debatik Curri është duke përjetuar një moment të mirë në kampionatin turk, me skuadrën e tij, Genclerbirligi. Është vetë trajneri Fuat Çapa, ai që deklaroi se mbrojtësi kosovar i Kombëtares sonë nuk është ai dy viteve më parë, kur ai u transferua nga ukrainasit e Vorksla Poltavës në Turqi. Debatikun e ka ndjekur fati i keq, pasi është dëmtuar dy herë radhazi në gju. Duke folur për mediat turke, përpara ndeshjes së fundjavës kundër Fenerbahçes, Çapa tha se po priste që shqiptari të kthehej në formën e tij të dikurshme dhe kjo do të ishte në të mirë të tij personal dhe të ekipit. “Të mos harrojmë se gjatë kësaj kohe nuk kemi pasur Debatik Currin. Shqiptari, përpara se të vritej kishte një grafik efektiv në skuadrën tonë. Shpresoj shumë që të hyjë prapë “në korsinë e duhur” dhe të jetë fitimtar si për veten e tij, ashtu edhe për Gençlerbirliginë. Ne duam që në skuadrën tonë të rritet gara dhe konkurrenca Brenda grupit, në këtë rast do të rritej edhe cilësia e saj. Sidoqoftë e pres që Curri të kthehet në formën e tij, shpresoj të ndodhë sa më shpejt” – tha trajneri i Gençlerbirligisë. Debatik Curri është dëmtuar dy herë radhazi në gju, gjatë dy viteve të fundit gjë që i ka vënë atij seriozisht në rrezik karrierën. Vetë futbollisti mendon që ka qenë I pafat gjatë kësaj periudhe, pasi përveç dëmtimit ai ka humbur mundësinë që të jetë titullar në nivel klubi. “Gjatë mungesës sime te Genclerbirligi janë promovuar mbrojtës të tjerë dhe unë e kam pasur të vështirë të rimarr vendin tim në skuadër. Pas një dëmtimi të tillë, është shumë e rëndësishme të luash në mënyrë që të rikthehesh në formë dhe unë këtë mundësi nuk e kam pasur deri tani”, tha lojtari. Curri ka luajtur në pesë ndeshje këtë sezon, të gjitha si zëvendësues, që bëjnë në total 102 minuta. Gjithsesi, ai u aktivizua me Kombëtaren rreth 20 minuta në ndeshjen zyrtare me Slloveninë (1-0) dhe si titullar në miqësoren me Kamerunin (0-0).