Trajneri Arian Fetishi: Rekordet Kombëtare i zbukuruan garat

876
Në datat 13 e deri më 17 dhjetor 2017, në Kopenhagen të Danimarkës u zhvilluan garat e Kampionatit Evropian i Notit në pishinë 25 m, në të cilin Shqipëria u përfaqësua me 5 notarë: Franc Aleksi, Binald Mahmuti, Spiro Goga, Aleksandër Ngresi dhe Kejsi Fetishaj, së bashku me trajnerin Arian Fetishaj. Gjatë pesë ditëve të garave, në bisedat me trajnerin Arian Fetishaj u mësua gjithçka për notarët tanë janë në këtë event, njëherësh edhe për rezultatet e larta të dy prej tyre. “Pritshmëritë janë për rezultate të larta, por po ia lemë garave, të cilat nisin të mërkurën (15 dhjetor), në ora 09:30 me 100 m stil flutur që do të garojë Binald Mahmuti, si edhe 400 m stil i lirë, ku do të garojnë dy notarët: Franc Aleksi dhe Spiro Goga”, kjo ishte deklarata e parë e trajnerit Fetishaj në këtë Evropian, i cili çdo pasdite ishte optimist për garat e nesërme. Dhe nuk u zhgënjye, sepse në ditën e dytë, më 14 dhjetor, Franci Aleksi për të rritur, e Spiro Goga për kategorinë të rinj, thyen rekordet kombëtare. “Kishin mundësi për kohë më të mira, por unë i uroj të dy notarët, Francin e Spiron, të cilët në kategoritë e tyre thyen rekordin kombëtar. Këto rezultate që po shënojnë notarët tanë në këtë Evropian të Notit, veç punës së tyre individuale dhe ekipore, tregojnë edhe për mbështetjen serioze që jep FSHN-ja për notarët e talentuar, larg çdo paanshmërie e nënvleftësimi për talentet e progresin e tyre”. Dhe e veçanta në tri ditën e tjera të këtyre garave, ishte fakti se të gjithë notarët i përmirësuan kohët e tyre individuale, por pa mundur të arrinin rekorde të reja. Gjithsesi, trajneri Fetishaj e quan të suksesshëm këtë pjesëmarrje të tyre në Evropianin e Kopenhagenit, duke e quajtur këtë një përvojë për të gjithë. “Nuk u arritën synimet që kishin notarët, por me rezultatet që fiksuan, ata ishin brenda pritshmërive. Përpos të gjitha rezultateve, pjesëmarrja në këtë Kampionat Evropian ishte një përvojë shumë e mirë për të gjithë. Besoj se do të jetë edhe një bazë e fortë për rezultate shumë më të larta, nisur nga garat kombëtare dhe në ato ndërkombëtare”. Kështu u mbyll garimi i pesë notarëve shqiptarë në Evropianin e Danimarkës, i cili nisi me një takim falënderimi me presidentin e LEN, Paolo Bareli, si edhe trajnerin me origjinë shqiptare, Gjon Shyti, teknik i skuadrës përfaqësuese të Turqisë. Nga Kopenhageni duhet thënë se, tashmë notarët shqiptarë nuk shkojnë me ftesa dhe si amatorë në evente ndërkombëtare, por si garues të denjë, me progres të admirueshëm.
Sigal

ZHVILLIMI I GARAVE

Datë 13 dhjetor 2017

Notarët                       Koha              

100 m stil flutur

Binald Mahmuti (8)    59.68              

400 m stil i lirë

Franci Aleksi      (8)     4.07.93
          

Spiro Goga         (9)     4.14.58           

 

Datë 14 dhjetor 2017

Notarët                       Koha              

1500 m stil i lirë         

Franci Aleksi   (RK)    16.11.03         

Spiro Goga      (RK)    16.34.07         

200 m stil i lirë

Aleksandër Ngresi      2.01.71           

 

Datë 15 dhjetor 2017

Notarët                       Koha                

50 m stil i lirë

Binald Mahmuti          25.09

Keis Fetishaj               27.20

Franci Aleksi e Spiro Goga

I kanë mbyllur garimet

 

Datë 16 dhjetor 2017

Notarët                       Koha                

100 m stil i lirë

Binald Mahmuti          54.22

Aleksander Ngresi      55.39

100 m miks

Binald Mahmuti          1.01.50

 

Datë 16 dhjetor 2017

Keis Fetishaj               1.07.78

50m stil flutur

Keis Fetishaj               28.63

Datë 17 dhjetor 2017

50 m stil shpinë

Keis Fetishaj               31.59