Trajneri Andi Mara: Kupa e Shqipërisë, stacioni në rrugën e progresit

213
Nga Agron KAJA
NOT-KUPA E SHQIPËRISË/ Ja si vlerësohet nga trajnerë e gjyqtarë të rinj, të cilët mendohet të jenë e ardhmja e notit shqiptar
Studenti duket sikur nuk e ka përfaqësimin e skuadrave rivale në këto gara të Kupës së Shqipërisë, pse?
Ne i kemi kushtuar më shumë përfaqësimit cilësor, se sa atij sasior. Në këto gara të Kupës së Shqipërisë përfaqësohemi me 10 notarë, por në këtë event Studenti vjen si ekipi Kampion. Ndaj ne e quajmë një pjesëmarrje normale, duke menduar se vijmë edhe nga pushimet verore, në të cilat dihet që kanë ndikim në rënien e formës sportive të notarëve.

Gjithsesi, pse ende nuk po dëgjojmë në qendrën e zërit për ndonjë “student” Kampion?
Ne kemi pasur disa renditje të mira, edhe pse ende nuk është dëgjuar një kampion apo kampione nga ekipi i Studentit. Ne jemi pjesë e elitës së notit shqiptar në çdo event, dhe si ekip i ri në moshë, mendojmë se do të kemi të ardhme të mirë. Këtë do ta shohim që në garën e parë të sezonit të ardhshëm.

Gjithsesi, ju si ekipi Studenti, jeni të kënaqur me sa arritët në këto gara të Kupës së Shqipërisë?
Më duhet tu ripërsëris një moment, që ka rëndësi në këtë përgjigje. Ja u shpreha më sipër, se duke ardhur nga pushimet verore, vijmë paksa të lodhur, e në këto kushte, duhet më shumë kohë që të kapet forma më e mirë e çdo notari.

Kupa e Shqipërisë është e fundit, si veprimtari Kombëtare për vitin 2017, si do të vazhdoni përgatitjet me ekipin e Studentit?
Për sezonin e ri, stërvitja do të fillojë në ditët e para të muajit shtator, dhe së bashku me kolegët, kemi përgatitur planet stërvitore, por në parametra më të lartë cilësorë. Me përbërjen që kemi, te Studenti ka pritshmëri të mëdha për sezonin 2017-2018, dhe përsëri po citoj çka thashë më sipër, se që në garën e parë do të shohim efektet pozitive të notarëve të Studentit.

Gjatë muajit korrik 2017, në Durrës u zhvillua Kampionati Mbarëkombëtar i Notit, si e përshkruani sot këtë event?
Mendoj se ka qenë një nga veprimtaritë më të arritura për notin shqiptar. Përfituam shumë nga notarët kosovarë, të cilët kishin ekipe dhe individë shumë të përgatitur, e njëherësh, Studenti u shpall Kampion për femra dhe për meshkuj në atë veprimtari.

Si i vlerësoni veprimtaritë e notit, nga ana organizative dhe zhvillimore e tyre?
Realisht, ka një dorë të mirë në drejtimin e notit në Shqipëri, dhe unë veçoj punën e mirë që bëhet në Federatë, në veçanti nga Presidenti Agim Çiraku, të cilin e quaj si faktorin kryesor të ndryshimeve cilësore në këtë sport. Që ka vend për të tjera ndryshime cilësore, padyshim, por duke qenë graduale, efektet e tyre janë më kohështrirje më të gjatë.

Ku i mendoni pritshmëritë më të mira për sezonin e ri?
Ne funksionojmë si ekip, dhe këtu mendojmë që të jenë pritshmëritë e para pozitive. Por, edhe individët e Studentit do të bëjnë diferencën në veprimtaritë e sezonit të ardhshëm. Madje me notarin Franc Aleksi, i cili do të marrë pjesën në kampionatin Evropian të Notit në pishinë 25 m, gara që do të zhvillohen në datat 13-17 dhjetor 2017 në Danimarkë, presim rezultate të mira, pse jo edhe rekorde kombëtare në garat 800 dhe 1500 metra stil i lirë.

Ndonjë projekt ndryshe për sezonin e ardhshëm, e keni?
Po, dhe si projekt më parësor është që, të përfaqësohemi më shpesh në veprimtaritë ndërkombëtare në rajon e më gjerë. Ky është synim, por gjithçka do të vijë pas platformës stërvitore që kemi përgatitur për sezonin, i cili në këtë shtator për ne ka trokitur.

Dhe për ta mbyllur me përfaqësimin që Studenti bëri në Kampionatin Botëror të Notit në pishina 50 m, garat e të cilit u zhvilluan në Budapest, si e përshkruani këtë pjesëmarrje?
Për Studentin, pjesëmarrja në këtë Kampionat Botëror ishte me vlera të dyfishta. Sepse u përfaqësuam me dy notarë: Diana Basho dhe Franc Aleksi, ndërkohë që unë dhe kolegu im Eduard Cane, u trajnuam për Master si trajnerë të notit. Ishte një veprimtari nga e cila ne mendojmë se do të kemi efekte, dhe ato së shpejti do ti prekim të gjithë në sportin e notit shqiptar.
KUPA E SHQIPËRISË
Tiranë, 29-30 gusht 2017 
NOTARËT MË TË MIRË
FEMRA
Nikol Merizaj-Tirana 1051 pikë
MESHKUJ
Frenc Bërdaku-Teuta 1263 pikë
EKIPET MË TË MIRA
FEMRA
Te Stela me 197 pikë
MESHKUJ
Te Stela me 150 pikë
Somario 
Te Stela e fitoi Kupën si ekipi më i mirë për femra, por edhe për meshkuj. Për femra grumbulloi 197 pikë, ndërsa për meshkuj 150 pikë, duke i kaluar 13 skuadrat e tjera. Në këtë event të fundit për Notin shqiptar, thyerja e 5 rekordeve Kombëtare (4 për moshat nën 14 vjeç dhe 1 për të rritur), mbeti si referenca e progresit