Sulejman Starova ka pranuar me vendosmëri një sfidë të re në karrierën e tij. Tekniku me shumë përvojë, nuk ka hezituar, duke i thënë “po” kërkesës së drejtuesve të Laçit, për të qenë trajneri i skuadrës kurbinase pas largimit të Prengës.

63-vjeçari, që nga muaji shtator nuk kishte mundësinë ta ushtronte këtë profesion dhe dëshira për ta prekur nga afër futbollin, e për të transmetuar idetë e tij, bëri që të pranonte stolin e bardhezinjve.

“Kthehem pas një viti në Superiore dhe në radhë të parë falënderoj presidentin që më bëri ofertën. Kjo tregon se ai ka besim te unë dhe jam I obliguar të punoj me përkushtim dhe të bëj maksimumin bashkë me skuadrën, për të realizuar objektivat e klubit”, tha Starova.

Në vitin 2019 elementi i agresivitetit, gjithnjë brenda normave të futbollit, nuk ka qenë i pranishëm tek Laçi. Skuadra është përfshirë nga një ngërç dhe problemin kryesor e evidenton trajneri i sapoemëruar i kurbinasve.

“Në gjysmën e kampionatit, është dalluar në fazën mbrojtëse, më mirë se ekipet e tjera. Kjo anë është lëkundur disi, por shpresojmë të rikthehemi sërish në atë nivel, duke kaluar nga ndeshja në ndeshje”, u shpreh Bobi.

Cila është rruga për t’iu rikthyer paraqitjeve pozitive?! Në këtë drejtim Starova nuk shkruan një ekuacion të ndërlikuar në tabelë, është e thjeshtë…duhet fitorja me Flamurtarin të dielën.

“Kemi një ndeshje me Flamurtarin në shtëpi dhe përgjigjen duhet që skuadra ta japë menjëherë në fushë, duke dhënë maksimumin. Për rezultatin, do të mendojmë ne si staf teknik. Një rezultat pozitiv do të jetë një motiv më tepër për të punuar më i qetë në vijim”, tha Starova.

Europa është objektivi i deklaruar i Laçit, megjithatë ish tekniku i Partizanit e vendos theksin tek diferencat e vogla që kanë skuadrat në Superiore dhe vështirësitë që paraqet kampionati i më të mirëve në Shqipëri.

“Superliga është shumë e fortë dhe mes skuadrave ka një diferencë shumë të vogël, ndaj çdo ndeshje është e luftuar dhe konkurruese, ndaj rezultatin e di zoti, jo ne”, deklaroi trajneri i ri i Laçit.