“Topi i Artë”/ Ronaldo voton Mesin si lojtarin më të mirë

612
Sigal

Ronaldo voton Lionel Mesin për çmimin e  Topit e  të Artë, që do të jepet nga FIFA më 7 janar. Sigurisht që nuk bëhet fjalë për sulmuesin portugez të Realit të Madridit, i cili është kandidat kryesor për ta fituar këtë trofe individual, por për Ronaldon, fenomenin brazilian, tashmë i tërhequr nga futbolli, i cili është anëtar i këshillit administrativ të Komitetit Organizativ të Kupës së Botës Brazil 2014. “Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo janë të pabesueshëm, dy lojtarët më të mirë në botë, por Mesi  është më tërheqës për tifozët.” Braziliani i rekomandon bashkëkombasit të tij Nejmar, të luajë sa më shpejt në Europë. “Unë i këshilloj Nejmarit të shkojë sa më shpejt në Europë. Përveçse vendlindja e futbollit, është gjithashtu një mundësi kulturore, të cilën duhet ta shfrytëzojë sa më shpejt të jetë e mundur. Në Europë futbollistët, sidomos ata brazilianë  bëhen njerëz të vërtetë. Unë kam përfituar shumë gjatë 18 viteve karrierë në Europë. Mund të them se nuk ekziston asnjë universitet që të mëson atë që kupton atje.” Sa i përket Kupës së Botës Brazil 2014, Ronaldo pranoi se do të donte të luante në stadiumin e rinovuar  “Marakana”. “Do të doja të isha disa vite më i ri dhe të luajë sërish në Marakana. Futbolli brazilian do të trashëgojë shumë gjëra nga organizimi i Kupës së Botës: stadiume të rinj dhe perspektiva të reja të lojës së futbollit.” Fenomeni Ronaldo ka marrë pjesë në 4 botërorë dhe mban rekordin me 15 gola të shënuar në Kupën e Botës. Legjenda e Brazilit, Ronaldo pohoi se Miroslav Kloze mund të thyejë në Brazil 2014 rekordin e tij të 15 golave në Kupën e Botës. “Shqetësohem por jo shumë”, deklaroi Ronaldo. “Mendoj se historia ime dhe ajo e Klozes janë të ndara nga njëra-tjetra. Nëse Klose shënon dhe më barazon apo më kalon mua, e di që arritja ime nuk do të fshihet nga historia”. 36 vjeçari foli edhe për yllin e Santosit, Nejmar, të cilin e këshilloi sërish se duhet të luajë në Europë që të përmirësohet dhe të rritet si lojtar.