Topi i Artë 2014, kur portieri rivalizon dy sulmuesit më të mirë të botës

515
Sigal

Sot, FIFA do të thotë fjalën e saj në lidhje me fituesin e çmimit më të madh individual për futbollistët, ku në tre më të mirët e botës janë Cristiano Ronaldo dhe Leo Messi, ku vitet e fundit i kemi parë shpesh së bashku në këtë renditje, por këtë herë treshen e plotëson një portier, Manuel Neuer, që po mendon t’u prishë festën duke u bërë pjesë e tre më të votuarve nga gazetarët, kapitenët dhe trajnerët e të gjitha kombëtareve që bëjnë pjesë në FIFA. Gjermani, argjentinasi dhe portugezi janë sot kundër njëri-tjetrit, në atë që pa frikë mund të cilësohet si një nga rastet më të përfolura për ndarjen e këtij çmimi, e kjo vetëm për faktin se shumë, por shumë mendojnë se ai që duhet të fitojë është Manuel Neuer, portieri që është më shumë se portier, portieri që ka ridimensionuar kuptimin dhe rëndësinë e të qenurit “muri” i skuadrës e ku këtë vit ka qenë me plot kuptimin e fjalës një mur, por një mur që ia kishte qejfi që të kryente lëvizje nëpër fushë, duke vendosur rekorde në pasime, rekorde në sprint, në pritje, në goditje të ndaluara, në gola të evituar dhe në pak gola të pësuar. Statistikat flasin në favor të tij, por ka një të metë të madhe, shumë të madhe, që nëse nuk fiton është meritë e kësaj: Manuel Neuer është portier dhe është vërtetuar nga koha se portierët nuk fitojnë, duke përjashtuar Lev Jashin këtu e shumë vjet më parë (1963). Në qoftë se Ronaldo apo Messi do luanin në pozicionin e Neuer-it, sigurisht që nuk do të “qullosnin” gjë, por ky portier-sulmues, e ka vërtetuar se i tejkalon pritshmëritë, ka reflekse tej normales dhe një zgjuarsi në lëvizje që e vendos baras me çdo mbrojtës të nivelit të lartë. Sa i përket skuadrave ku luan, kujtojmë që është një kampion bote, e në fakt ishte një nga faktorët kryesor se pse Gjermania arriti të fitonte Kupën e Botës, pasi të shumtë janë ata që e mbajnë mend ndeshjen e tij ndaj Algjerisë apo edhe pritjen e asaj gjuajtjeje drithëruese që Benzema kreu pothuaj në minutën e fundit në ndeshjen Gjermani-Francë. Ashtu edhe me Bajernin arriti që ta tregonte veten, duke shkuar deri në gjysmë finale, ku humbën ndaj Realit të Madridit të Kristiano Ronaldos. E duke u ndalur tek Ronaldo, ashtu si Neuer edhe ky futbollist fitoi shumë, por me klubin e tij dhe jo me Kombëtaren. Reali i Madridit pa dyshim ishte skuadra më e kompletuar e vitit, sa i përket klubeve, duke u bërë kështu edhe fituese për herë të dhjetë e trofeut të Ligës së Kampioneve. Pikun Ronaldo e arriti në këtë turne, ku mbi të gjitha dalloi për golat e shënuar dhe duke u bërë padyshim një nga faktorët kryesor që skuadra e tij të arrinte më në fund “La Decima-n” e famshme. Sa i përket Botërorit, për fat të keq të Portugalisë dhe Ronaldos, ishin në të njëjtin grup me Gjermaninë e Neuerit që nuk tregoi aspak mëshirë por e mundi 4-0. Sa i përket titujve të fituar janë pak a shumë barazim, po aq barazim janë edhe në faktin e ndikimit që kanë pasur tek skuadrat e tyre, diçka që për 2014-ën, anëtari tjetër i 2014-ës si futbollisti më i mirë, Leo Messi, nuk është se ka dhënë shumë. Pa tituj kolektiv, por me një titull personal, thyerje e thyerje rekordesh. Në fakt, prania e Messit në këtë përzgjedhje është bërë më shumë si e detyruar, duke parë “magjitë” që ai bën në fushë është e pashmangshme të mos e përfshish në më të mirin e vitit, duke qenë se pa dyshim është një nga më të mirët e historisë, por për hir të së vërtetës, për 2014-ën kishte disa futbollistë që e meritonin më shumë sesa ai që të ishin në tre më të mirët si Robben apo Muller, që pa dyshim kanë dhënë shumë më shumë për skuadrat e tyre dhe janë dalluar edhe si individë por edhe për lojën kolektive. Bota e sportit ka zier me plot kuptimin e fjalës për këtë përzgjedhje, ku mendimet janë ndarë në dy pjesë, ku disa anojnë për gjermanin ndërsa disa të tjerë për portugezin, e sa i përket Messit, numri i “disave” është goxha më i ulët, aq sa mendohet se fitorja për “Pleshtin” të jetë pothuaj e pamundur. Megjithatë, në qoftë se vendoset si për Neuer-in apo për Ronaldon, pa dyshim që titulli do të jetë më se i merituar për të dy, e mjafton vetëm të presim shpalljen zyrtare që do të jetë sigurisht shumë sportive.

Herolind Shala bëhet pjesë e Spartës së Pragës

Futbollisti i Kombëtares Shqiptare, Herolind Shala, ka firmosur dje një kontratë me skuadrën çeke të Spartës së Pragës, duke u bërë kështu futbollisti më i ri i këtij ekipi.  Futbollisti 22 vjeçar në një deklaratë të ditës së djeshme, tha se është bërë pjesë e kësaj skuadre, që janë edhe kampionët aktual të Çekisë dhe që në bazë të arritjeve të deritanishme, po shkojnë përsëri drejtë asaj rruge, çka do t’i japë mundësinë që të luajë në Ligën e Kampioneve. Shala aktivizohej më përpara për skuadrën e Odd, që nga viti 2011, e sigurisht që një lëvizje e tillë në karrierën e tij është vetëm arritje, duke e shtuar edhe më numrin e futbollistëve shqiptar që aktivizohen me skuadra që kanë një nivel më të lartë se ekipet paraardhëse. Shala nuk ka ngurruar dhe ka përshëndetur të gjithë mbështetësit e tij në rrjetin social “Facebook” nga ku edhe ka njoftuar për nënshkrimin e kontratës së re.

Skënderbeu humbet përsëri miqësoren në Spanjë

Duket se pas çdo miqësoreje që Skënderbeu po organizon në Spanjë, nga ku edhe po kryen fazën përgatitore, po vihet re edhe më shumë niveli jo i mirë si i mbrojtjes ashtu edhe sulmit tek skuadra korçare, por për të mos e lënë me kaq, kujtojmë që Skënderbeu pretendon që të jetë kampione Shqipërie, ndërkohë që në ndeshjet miqësore që ka realizuar, ka grumbulluar vetëm gola të pësuar, që janë shumë edhe në qoftë se bëhet fjalë vetëm për ndeshje miqësore. Këtë radhë korçarët humbën ndaj belgëve të Oostende me rezultatin final 4-0, duke shtuar serinë negative pas humbjeve me Klub Bryzh 5-0 dhe ndaj ADO Den Hag 2-0. Në total, deri më tani Skënderbeu ka pësuar 11 gola në tre ndeshje, duke mos shënuar asnjë, çka përbën një pikë delikate për këtë skuadër. Në fakt përveç formës jo të mirë të Skënderbeut, këto ndeshje tregojnë edhe formën jo të mirë të kampionatit tonë, që edhe skuadrat më të mira nuk ia dalin që të jenë rezultative jashtë Shqipërisë, në të shumtën e rasteve. Kuptohet që po flasim vetëm për miqësore, sa i përket Skënderbeut, por miqësoret bëhen për tu zhvilluar dhe për të treguar vlera parasezonale, diçka që “ujqërit” po e kanë të pamundur ta tregojnë, të paktën deri më tani.

 Jetmir Sefa është zyrtarisht lojtari i Tiranës

Blerja më e re e Tiranës është Jetmir Sefa, mesfushori i avancuar që erdhi nga radhët e Laçit. Është një rikthim në shtëpi për Sefën që në fakt edhe fillesat i ka në Akademinë e Tiranës, duke luajtur për skuadrat e moshave por edhe për ekipin e parë gjatë viteve 2005-2010, e në këtë vit u transferua tek Skënderbeu për tu rikthyer përsëri pas pesë vitesh tek Tirana. Duket se edhe bardheblutë po e shohin me nostalgji merkaton, pasi po rikthejnë në fushë ish-ët e tyre, siç ndodhi edhe në rastin e Muzakës. Potenciali i Sefës njihet qartë dhe mund të thuhet se është një blerje e goditur për Tiranën që kanë qëllime për të qenë ata fituesit e kampionatit këtë sezon.