Tomori sistemon bankinën, Bledar Devolli dje nisi stërvitjen e parë

905
Sigal

Nga Agron KAJA

KATEGORIA E PARË/ Pas largimit dy ditë më parë të Gersi Arbrit, dje në Berat është vendosur akordi për teknikun e ri

Edhe pse ka luajtur vetëm javën e parë, Kategoria e Parë nuk ju ka shpëtuar problematikave të sezoneve të kaluara, e këtu spikat fillimisht edhe situata e trajnerëve. Ka ndodhur kështu me Tomorin, i cili pas barazimit 1-1 në fushën e tij, në javën e parë të Kategorisë së Parë, është përballur edhe me dorëheqjen e trajnerit Gersi Arbri. Gjithsesi, drejtuesit e klubit nuk kanë qëndruar indiferentë, madje në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë me Bylisin, ata kanë patur edhe “shoqërinë” e një ish-futbollisti të tyre, sot trajner. Bëhet fjalë për gjirokastritin Bledar Devolli, i cili pas largimit nga Kamza në tre javë kampionat të Kategorisë Superiore, e ka gjetur skuadrën që do të drejtojë në vazhdimësi. Dhe është pikërisht Tomori në Kategorinë e Parë, skuadrën me të cilën ai ka luajtur 15 vite më parë, e tashmë ka marrë “bekimin” që ta drejtojë nga bankina. Për gazetën “Telegraf”, Devolli e konfirmoi këtë lëvizje, dhe dje ai deklaroi se gjithçka është përfunduar. “Pas disa ditësh bisedime me drejtuesit e klubit, unë vendosa që të marr drejtimin e Tomorit, duke besuar edhe tek projekti që klubi ka për skuadrën në këtë sezon. Synim është rikthimi i Tomorit në elitë, dhe kjo do të jetë një rrugë e vështirë, që së bashku me skuadrën, drejtuesit e tifozët beratas, do të punojmë ta bëjmë realitet. Nuk kemi kohë për të humbur”, kështu theksoi dje Bledar Devolli në deklaratën e tij për gazetën “Telegraf”. Por edhe vetë klubi beratas e ka zyrtarizuar këtë lëvizje në faqen e tij në Facebook, ku citon deklaratën e trajnerit pas akordit me drejtuesit e klubit beratas. Prova e parë zyrtare në bankinën e Tomorit, për Devollin do të jetë në Pogradec, në ndeshjen e javës së dytë të Kategorisë së Parë, ku e gjen skuadrën pogradecare me 3 pikë, pas fitores 2-1 në javën e parë ndaj Besës. Ky është sezoni i pestë që kur Tomori është larguar nga Kategoria Superiore, dhe në këtë sezon, drejtuesit e futbollit në Berat kanë deklaruar se është koha e duhur për të synuar ngjitjen në elitë.