Toleranca zero ndaj dhunës në stadiume, drejt dështimit

447
Sigal

Lista e ndëshkimeve me pezullim të lojtarëve dhunues vazhdon të shtohet në mënyrë drastike

Futbolli në Shqipëri po merr gjithmonë e më shumë pamjen e monedhës me dy anë, në kontrast të dukshëm bardh e zi me njëra-tjetrën. Rastet e përsëritura të dhunës, sidomos në kategoritë inferiore, ku dy gjyqtarë janë rrahur dhunshëm: Gentjan Nora, gjatë ndeshjes Gramozi-Memaliaj dhe, anësori Rezart Zhuli në përfundim të takimit Skrapari-Memaliaj, është sinjali më i qartë se me gjithë thirrjet e vazhdueshme për tolerancë zero ndaj dhunës në stadiume, duket se ajo ka mbetur vetëm në rrafshin demagogjik. Rastet e shumta, kur ta paktën janë pezulluar 15 fusha, janë ndëshkuar 25 futbollistë dhe 8 zyrtarë të niveleve të ndryshme, janë faktet më kokëfortë se, situata nuk është përmirësuar aspak nga ajo e sezonit të kaluar.

15 FUSHA TË PEZULLUARA

Megjithëse vetëm në fillim të sezonit (java e 7-të në Kategorinë Superiore dhe e 8-ta në të Parën), dhuna në stadiume ka qenë prezente në forma dhe për arsye të ndryshme, sidomos në kategoritë inferiore të futbollit në vend, ku tifozët i kanë tejkaluar rolin e të qenit sportdashës, duke hedhur objekte të ndryshme, shishe uji, gurrë apo mjete të rrezikshme rrethanore. Dje, Komisioni i Disiplinës ndëshkoi Lushnjën për të zhvilluar një ndeshje pa praninë e shikuesve, për shkak se tifozët hodhën fishekzjarre. Në total janë 15 ekipet të ndëshkuara nga Komisioni i Disiplinës, për të zhvilluar ndeshje pa shikues, apo për të luajtur në fushë asnjanëse: tre prej tyre janë të Kategorisë Superiore (Tomori 4, Vllaznia 1 , Luftëtari 1), gjashtë të Kategorisë së Parë (nga një ndeshje Ada, Butrinti, Gramshi, Himara, Naftëtari dhe Lushnja), si dhe katër nga Kategoria e Dytë (Memaliaj 4, Përmeti 2 , Erzeni 2 dhe Delvina 1 ndeshje). Naftëtari dhe Këlcyra, për shkak të tejkalimit të skajshëm të dhunës, janë ndëshkuar për të zhvilluar nga tetë ndeshje në fushë asnjanëse.

5 PËRJASHTIME PËR JETË

Lista e ndëshkimeve me pezullim të lojtarëve vazhdon të shtohet dhe tani, ajo është ndalur për momentin në 25 futbollistë të ndëshkuar në të tre kategoritë e futbollit shqiptar, ku spikasin pesë pezullime përjetë, katër futbollistëve të Gramozit:  Ervis Peçi, Renato Saliko, Hyserion Shupe dhe Efiliano Liço, të cilët rrahën dhe gjakosën pa mëshirë gjyqtarin Gentjan Nora, gjatë ndeshjes Gramozi-Memaliaj. Pak ditë më parë, Blutë e Komisariatit të Policisë Kuçovë kanë arrestuar 22-vjeçarin Donald Harizi, futbollist i ekipit të Memaliajt. Arrestimi i tij është bërë pasi, pas përfundimit të ndeshjes të futbollit Skrapari-Memaliaj, gjatë rrugës për në dhomat e zhveshjes Harizi ka goditur me grushte gjyqtarin anësor të ndeshjes Rezart Zhuli. Rasti i djeshëm e çon në 12 numrin e rasteve të dhunës në stadiumet e futbollit të qarkut të Beratit në 3 vitet e fundit, ku në të shumtën e rasteve dhuna është ushtruar nga futbollistët mbi gjyqtarët.

TETË ZYRTARË TË NDËSHKUAR

Të paktën tetë zyrtarë janë pezulluar në afate të ndryshme, për veprime që bien dukshëm në kundërshtim me rregulloret e aktivitetit të miratuar nga Federata Shqiptare të Futbollit. Në fakt, gjithmonë e më shumë po flitet për influencën e tribunës “VIP”. Zyrtarët e ndëshkuar janë president klubesh, zëvendëstrajnerë apo punonjës klubesh, të cilët për një arsye apo një tjetër janë përfshirë në incidente me gjyqtarët e ndeshjeve, apo i kanë nxitur lojtarët e tyre të bojkotojnë takimin.