Titulli 2015-2016 qëndron në Korçë, ASK-ja nxjerr “bosh” Partizanin

661
Nga Agron KAJA
VENDIMI/ Skënderbeu e fitoi një betejë ligjore dje me Komisionin e Etikës në FSHF, Arbitrazhi Sportiv në Lozanë i dha të drejtë
Në vendimin e bërë publik dje në faqen zyrtare, ASK sqaron se nuk është dashur të marrë në shqyrtim provat, pasi FSHF-ja nuk kishte asnjë bazë ligjore për të marrë këtë masë, heqjen e Titullit Kampion Skuadrës së Skënderbeut, për sezonin futbollistik 2015-2016. Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (ASK) ka dhënë dënimin në procedurë arbitrare, mes Skënderbeut dhe Federatës Shqiptare të Futbollit. Ndërsa Apeli është pranuar dhe vendimi i dhënë më 23 qershor 2017 nga Komisioni i Etikës pranë FSHF-së, ai dje është hedhur poshtë. Kujtojmë se, më 1 qershor 2016, Komisioni i Apelit i UEFA-s mori një vendim, në të cilin Skënderbeu u shpall i papërshtatshëm për të luajtur në sezonin 2016-2017 të Ligës së Kampioneve, pasi u zbuluan se rezultatet e më shumë se 50 ndeshjeve të këtij klubi ishin manipuluar për qëllime bastesh. Më 26 korrik 2016, ASK-ja hodhi poshtë apelimin e bërë nga Skënderbeu, dhe konfirmoi vendimin e marrë nga Komisioni i Apelit në UEFA. Në vijimësi të procedurës mes UEFA-s dhe ASK-së, Komisioni i Etikës në FSHF filloi një procedim në rang kombëtar. Dhe 23 qershor 2017, ai dha dënimin që u apelua nga skuadra korçare, duke arritur në përfundimin se Skënderbeu kishte shkelur Kodin e Etikës të FSHF-së dhe Kodin e Disiplinës Sportive. Ky vendim që i hoqi Skënderbeut Titullin Kampion të sezonit 2015-2016, i vendosi edhe një gjobë prej 2 milionë lekësh korçarëve, ndërsa i hoqi edhe 12 pikë nga klasifikimi i sezonit 2016-2017. Por, më 4 gusht 2017, Skënderbeu apeloi në ASK këtë vendim, të cilin e ka quajtur që në fillim si të padrejtë, duke kërkuar anulimin e tij. Ja si shprehet dje ASK-ja në vendimin e saj: “Një procedurë arbitrare filloi në ASK, e cila mori në shqyrtim këtë çështje, ku më 22 janar 2018 mbajti një mbledhje në prani të palëve. Pasi mori në konsideratë të gjitha argumentet e ngritura nga palët, paneli arriti në përfundimin se sanksionet që u vendosën klubit nga Komisioni i Etikës në FSHF, duhet të anulohet, pasi i mungonte baza e të drejtës ligjore për të vendosur sanksione në lidhje me faktet ne shqyrtim. Megjithatë, paneli i KAS-it thekson se vendimi aktual nuk ishte i bazuar në mungesën e besueshmërisë së provave mbi rastet e manipulimit të ndeshjeve. Aq më pak, ky vendim mund të kualifikohet si largim nga jurisprudenca e vendosur nga panelet e mëparshme të ASK-së. Në anën tjetër, Paneli i ASK-së arriti në përfundimin se, raportet e dhëna nga Sistemi BFDS i UEFA-s, ishin një mjet i vlefshëm në identifikimin dhe sanksionimin e mëtejshëm të shkeljeve për manipulime ndeshjen. Gjithsesi, paneli nuk ka nevojë të shqyrtojë raportet e BFDS në detaje, në mungesë të një baze të mirëfilltë ligjore nga rregulloret e FSHF-së, për të imponuar sanksionet në nivel kombëtar”. Kështu, Skënderbeut i rikthehet titulli Kampion i sezonit 2015-2016, duke e lënë me “gisht në gojë” Partizanin, pasi drejtuesit e kësaj skuadre e kishin deklaruar se po prisnin këtë vendim.
Presidenti Takaj: Vendimi ishte i pritshëm


Dje, pas dhënies së vendimit për rikthimin e Titullit Kampion 2015-2016, Presidenti i Skënderbeut, Ardian Takaj, deklaroi mediatikisht se, vendimi ishte i pritshëm. “Ishte një vendim që ne e prisnim, sepse ishim të bindur se çfarë kërkonim. Ishte një titull i mohuar padrejtësisht nga Komisioni i Etikës në FSHF. Titujt merren në fushë, jo me VKM, apo me komisionin e Disiplinës dhe Etikës”, kështu deklaroi dje Njëshi i skuadrës korçare, i cili foli më pas edhe për çështjen e dënimit 10-vjeçar nga UEFA. “Ne nuk na intereson aspak ulja e këtij dënimi, sepse Skënderbeu ose duhet të falet, ose le të mbetet ky dënim. Edhe një vit dënim për ne do të ishte tepër, sepse jemi me meritë të plotë këtu ku jemi. Me dyshime mund të akuzohen të gjitha skuadrat në botë, dhe ne jemi dëshmitarë të asaj që po ndodh”, ishte ky deklarimi mediatik i Ardian Takajt, lidhur me vendimin e djeshëm për rikthimin e Titullit Kampion 2015-2016.
Argumenti i ASK-së për vendimin e marrë ishte se, Komisioni i Etikës në FSHF shkeli rregulloren, në lidhje me çështjen e titullit të sezonit 2015-2016. Gjykata e Arbitrazhit Sportiv u dha të drejtë korçarëve, dhe e cilësoi dënimin e dhënë nga Komisioni i Etikës si i pabazuar në ligj
Komisioni Etikës 
në FSHF
Fatmir Brraka
Bejkush Birçe
Bashkim Koka
Ardian Leka
Agron Kuliçaj

KATEGORIA SUPERIORE
Renditja 2015-2016 
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 36 79
2. Partizani 36 74
3. Kukësi 36 63
4. Teuta 36 63
5. Tirana 36 53
6. Vllaznia 36 39
7. Laçi 36 36
8. Flamurtari 36 35
9. Bylis 36 32
10. Tërbuni 36 18
Sigal