Tirana-Partizani, pritja zgjatet edhe 24 orë të tjera

517
Sigal

Ndeshja e prapambetur e kampionatit mes Tiranës dhe Partizanit do të shtyhet edhe 24 orë të tjera, për tu luajtur me 13 mars, në ora 19:00

 Një ndeshje që pritej shumë dhe pikërisht kur ishim vetëm pak ditë para zhvillimit të takimit, ndeshja u shty përsëri. Të paktën një gjë e mirë është në këtë rast, që nuk u shty vetëm një ditë para, ashtu si herën  e kaluar dhe biletat nuk u shtypën nga klubi i Tiranës, po si herën e kaluar, duke shmangur kështu problematikat e shfaqura herën e kaluar. Arsyet e shtyrjes së takimit kanë si bazë mospërgjigjet e policisë shtetërore që të sigurojnë mbarëvajtjen e ndeshjes, për shkak të një proteste që do të mbahet në sheshin “Skënderbej”, po në të njëjtën ditë, edhe pse në orare të ndryshme. Policia, duke mos qenë e sigurt për zhvillimet e protestës, nuk siguron se do të jetë në gjendje dhe në kohë që të sigurojë edhe zhvillimin e takimit mes Tiranës dhe Partizanit, duke mos marrë përsipër që do të jenë në numër të mjaftueshëm prezent gjatë këtij takimi, që sigurisht rrëmben një vëmendje të madhe tek tifozët jo vetëm të skuadrave përkatëse, por të gjithë Shqipërisë. Pritet që stadiumi të jetë i tejmbushur, duke parë të nevojshme medoemos praninë e policisë, edhe pse ky takim nuk është se ka sjellë ndonjë herë dhunë mes palëve, por gjithsesi masat duhet të merren. Në fakt, edhe pse dje u bë zyrtare se ndeshja nuk do të luhej ditën e enjte, përvoja na ka mësuar se mund të bëhen ndryshime në minutat më të fundit, ashtu siç ishte rasti i po të njëjtës ndeshje, që ishte planifikuar të luhej para dy javësh. Edhe pse nuk është shtyrë shumë, vetëm 24 orë, përsëri ajo që bie në sy është fakti se vazhdon telenovela e stërzgjatur për këtë takim, edhe pse në rastin e parë u shty për mungesë të fushës, pasi terreni i “Qemal Stafa” ishte jo gati, e në këtë rast shtyrja i përket një tjetër arsyeje, asaj të garantimit të sigurisë gjatë zhvillimit të ndeshjes. Të paktën këtë herë, ndeshja do të jetë me tifozë dhe nga të gjithë shpresohet që gjithë kjo pritje të përkthehet me futboll të bukur dhe spektakël në fushën e lojës.

A. Hoxha: Do luftojmë deri në fund për titullin kampion

Edhe pse ndeshja me Tiranën u shty për 24 orë, përgatitja e futbollistëve vazhdon të jetë e madhe, ku dje është ndalur të flasë për këtë takim edhe portieri Hoxha në deklaratën e dhënë për shtyp është shprehur mbi ndeshjen ndaj Vllaznisë dhe pritshmëritë për takimin me Partizanin: Jemi në prag të përballjes derbi, vijmë pas një humbje aspak të merituar në Shkodër. Në aspektin psikologjik sigurisht ka mjaft ndikim, por ne do të vazhdojmë deri në fund luftën për të arritur objektin tonë “Titullin Kampion”. Ndeshjet e mbetura do ti vlerësojmë një e nga një dhe do të luftojmë deri në fund të kampionatit. Përgjatë 2 muajve të fundit kam kaluar një moment jo të mirë pasi kam sakrifikuar për të qenë në fushë edhe pse jo në 100 % të formës time, si pasojë e një dëmtimi . Këtë periudhë i gjithë ekipi nuk ka dhënë pritshmërinë që pritej dhe përballja derbi vjen në momentin kyç për të bërë kthesën e shumëpritur. Çdo ekip kalon një moment jo të mirë përgjatë një sezoni futbollistik, por me mbështetjen e tifozëve, të cilët na përkrahin fuqimisht, ekipi do arrijë ta kalojë këtë moment dhe t’i dhurojë një tjetër kënaqësi në përballjen ndaj rivalëve historik. Tifozët janë pjesa më e bukur e kësaj ndeshjeje dhe i bëj thirrje të jenë sa më të shumtë pasi ne nuk do ti zhgënjejmë. Garantoj se do të japim maksimumin tonë në këtë 90 minutësh dhe i vetmi rezultat që na kënaq është të shijojmë fitoren për ne dhe sidomos për tifozërinë e kuqe pasi jemi të vetëdijshëm se luhet për krenarinë e kryeqytetit”, përfundoi portieri Hoxha.

 Ditmar Bici “braktis” Flamurtarin, i bashkohet Tiranës

Edhe pse ishte thënë se mbrojtësi Ditmar Bici do të shkonte tek klubi i Flamurtarit, pasi të mbyllte kontratën me skuadrën iraniane, diçka e tillë nuk ka ndodhur, pasi jo më larg se dje, Bici i është bashkuar ekipit të Tiranës në stërvitje, duke braktisur Flamurtarin pa filluar mirë të jetë pjesë e tyre. Duket se forma e keqe që ka aktualisht klubi vlonjat ka bërë Bicin që të ndryshojë mendje, duke u larguar kështu në drejtim të bardh e bluve. Mbrojtësi ka marrë miratimin e drejtuesve të klubit kryeqytetas dhe stafit teknik për tu stërvitur me bardheblutë gjatë periudhës që Bici vijon çështjen gjyqësore me skuadrën iraniane Traktor Sazi për të prishur kontratën. E nisur nga kjo, në pamundësi për tu federuar, mbrojtësi do të vijojë të stërvitet me bardheblutë, duke hequr kështu dorë nga Flamurtari

Armenia shpall listën anti-Shqipëri,

Duhet edhe pak kohë që ndeshja Shqipëri-Armeni për eliminatoret e “Françë 2016”, të jetë në prag, por kjo nuk e ka ndaluar trajnerin e Armenisë Shaland që të shpallë formacionin anti- Shqipëri, duke shpallur kështu edhe formacionin kryesor që do të jenë kundërshtarët e Shqipërisë me datë 29 mars, kur edhe takimi do të zhvillohet në “Elbasan Arena”. Lista e paraqitur nga trajneri nuk është e plotë, pasi janë vetëm 17 futbollistë, por këtyre 17 futbollistëve të grumbulluar do t’ju shtohen edhe 6 lojtarë të tjerë për të plotësuar kështu listën e plotë anti-Shqipëri.

1. Roman Berezovsky (Dinamo Moskë, Rusi)

2. Hovhannes Hambartsumyan (Vardar, Maqedoni)

3. Robert Arzumanyan (Amkar, Rusi)

4. Hrayr Mkoyan (Esteghlal, Iran)

5. Karlen Mkrtchyan (Tobol, Kazakistan)

6. Artur Edigaryan (Dinamo Minsk, Bjellorusi)

7. Artak Edigaryan (Zalgiris, Lituani)

8. Edgar Manucharyan (Ural, Rusi)

9. Gevorg Ghaazaryan (Kerkyra, Greqi)

10. Henrikh Mkhitaryan (Borusia Dortmund, Gjermani)

11. Marcos Pizzelli (Aktobe, Kazakistan)

12. Artur Sarkisov (Vollga, Rusi)

13. Yura Movsisyan (Spartak Moskë, Rusi)

14. Norayr Aslanyan (Almere Siti, Holandë)

15. Artyom Simonyan (Zyrih, Zvicër)

16. Gael Andonyan (Olimpik Marsejë, Francë)

17. Ruslan Koryan (Lokomotiv Tashkent, Uzbekistan)

Ndryshime tek Kukësi, Ivan Gvozdenovic është zv/trajneri i ri

Ka ndryshime të Kukësi, ndryshime që vijnë si pasojë e situatës jo të mirë që po kalon ekipi, situatë që flet më së shumti për atë humbje ndaj Tiranës, diçka që nuk është përtypur edhe aq lehtë nga trajneri Gjici që menjëherë ka vendosur të marrë masa, duke ndryshuar bankinën e keipit, ku si zv/trajner është një futbollist aktual, pikërisht Ivan Gvozdenoviç, që si futbollist nuk ka pasur mundësi të aktivizohet rregullisht në lojë, por mesa duket ky ndryshim në karrierë i jep tjetër drejtim synimeve të tij. Përvoja e tij në futbollin e luajtur jep siguri për Gjicin duke ëbrë që ky i fundit t’i besojë edhe një rol drejtuesi në ekip. Nisur nga kjo, Ivan do të “varë këpucët në gozhdë” sa i përket futbollit të luajtur, për tu përqendruar vetëm në detyrën e tij më të re.

Vllaznia plotëson stafin drejtues, Ilir Dibra në rolin e zv/trajnerit

Në mbledhjen e djeshme të Bordit Drejtues të klubit të Vllaznisë janë vendosur me propozim të trajnerit Zmijani anëtarët e tjerë të stafit të Vllaznisë, ku si zv/trajner do të jetë Ilir Dibra, trajneri i portierëve do të jetë Avenir Dani dhe përgatitësi fizik do të jetë Vildan Tufi. Tani me plotësimin edhe të stafit drejtues, puna e trajnerit të ri të Vllaznisë do të fillojë me ritmet e duhura, ku kujtojmë që fitorja ndaj Partizanit ishte një fillesë shumë e mbarë për trajnerin Zmijani.

 Komisioni i Etikës mblidhet nesër për ndeshjen Partizani-Flamurtari

 Etika do të marrë në shqyrtim ndeshjen e shumëpërfolur mes Partizanit dhe Flamurtarit, të luajtur më 4 mars në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, ndeshje që kaloi në vëmendje të të gjithëve pas deklaratave të administratorit Idrizi që akuzoi futbollistët se kishin toleruar ndaj Partizanit. Një deklaratë e tillë bëri bujë, por që siç dihet nuk ngeli në kontekstin vetëm të deklaratës, pasi Idrizi dhe drejtuesit e klubit vlonjat e dërguan çështjen në Prokurori dhe njoftuan edhe Etikën për dyshimet e tyre. gjatë ditëve të para, ky Komision nuk u përgjigj aspak nisur nga dyshimet e hedhura të klubit ndaj vetë lojtarëve, por bëhet me dije se nesër do ta marrin në shqyrtim edhe këtë çështje, që nuk ngelet e vetme, pasi janë edhe dy takime të tjera që kanë si emër të përfshirë Partizanin dhe Laçin, si në ndeshjen në Kupë ashtu edhe në kampionat.