Tirana-Partizani, kryeqyteti sundon kampionatin

479
Sigal

Partizani dhe Tirana janë dy skuadrat kryeqytetase që aktualisht po dominojnë futbollin në Shqipëri si nga loja ashtu edhe nga rezultatet, njëra me sulmin më të mirë (Tirana) dhe tjetra me mbrojtjen më të mirë (Partizani). Ndeshjet e javës së tetë treguan edhe një herë se janë skuadrat më në formë aktualisht dhe duket se do të luftojnë të vetme për titull. Partizani kaloi atë test të vështirë ndaj Vllaznisë në Shkodër, duke fituar me rezultatin minimal 1-0, por rezultat që i dha tre pikë dhe e vendosi përsëri në pozitat e kreut. Ndërkohë Tirana arriti jo vetëm me rezultat por edhe me një lojë më superiore, ta mundte Kukësin kryesues drejtpërdrejtë dhe të shfaqej përsëri agresive ndaj kundërshtareve. Po të shohim tabelën e renditjes, kryesueset janë me nga 15 pikë ndërsa tre ndjekësit më të afërt (Flamurtari, Kukësi dhe Laçi) janë me nga 13 pikë, diferencë e vogël kjo që nuk të lë hapësira për gabime nga asnjëra skuadër. Dhe duket se edhe shorti po i favorizon këtë javë pasi të dyja do të ndeshen me vendet e fundit ne renditjeku Partizani do presë në shtëpi Elbasanin dhe Tirana do luajë në transfertë ndaj Teutës së vendit të 7-të. Në fakt një ndeshje më e vështirë pritet të jetë ajo e Tiranës që do shkojë të vizitojë një Teuta të “plagosur” nga humbja që pati me Apoloninë e ndërkohë që Partizani nuk duket ta ketë shumë të vështirë përballë një Elbasani që po kalon një periudhë shumë të errët në kampionat, ku përveç një fitore nuk ka arritur të grumbullojë asgjë më shumë, për më tepër që Partizani luan në shtëpi dhe duket pothuaj e pamundur që ti merren pikë brenda.  Rikthimi në të njëjtën pozitë në renditje për të dy skuadrat e Tiranës është një tregues i qartë se futbolli kryeqytetas po kthehet edhe një herë në pozitat që ka pasur shumë vite më parë e në fakt viti i fundit ku në krye të renditjes ishin dy skuadra të kryeqytetit daton në 2008 ku Dinamo u shpall kampion duke i rrëmbyer titullin Partizanit në ndeshjen e fundit.  Ndërkohë skuadrat e tjera që rivalizojnë për titull do të kenë ndeshje më të vështira, ku përmendim Skënderbeun që do të ndeshet me Vllazninë në Korçë, ndeshje kjo e vështirë për të dyja, sidomos për kuqeblutë që gjenden në një periudhë mjaft të keqe pas dy humbjesh radhazi, formë e dobët kjo që do të shfrytëzohet nga skuadra e Skënderbeut në mënyrë që të qëndrojë akoma në lojën për titull. Sfidë të vështirë pritet të kenë si Kukësi ashtu edhe Flamurtari që do të ndeshen ndaj njëra tjetrës në Kukës ditën e shtunë, një ndeshje që do të luhet vetëm për fitore nga kuksianët që nuk mund të tolerojnë humbje të tjera si ajo ndaj Tiranës, nëse duan që të jenë  akoma pretendentë për titull. Flamurtari nga ana tjetër duket se është abonuar me barazimet pasi ka 4 të tilla (bashkë me Laçin) dhe një fitore në transfertë do ia rriste pozitat si në renditje ashtu edhe do rikthente sadopak besimin e humbur në skuadër.

Kampionati në statistika

 

Mbrojtja më e mirë:

Partizani (2 gola të pësuar)

Sulmi më i mirë

Tirana (10 gola të shënuar)

Skuadra me më shumë fitore

Tirana, Partizani, Kukësi (4 secila)

Skuadra me më shumë humbje

Elbasani (7 humbje)

Ndeshjet e javës së 9-të

25.10.2014

Skënderbeu 14:00 Vllaznia

Kukësi 14:00 Flamurtari

26.10.2014

Laçi 15:00 Apolonia

Partizani 18:00 Elbasani

Teuta 18:00 Tirana

 

Në Vlorë mblidhen për ndryshime

Rezultatet jo pozitive me të cilat po përballet skuadra vlonjate kanë bërë që të nxitojnë në një mbledhje ditën e djeshme gjithë stafi i klubit dhe futbollistët e Flamurtarit. Në këtë mbledhje, donatori Idrizi ka reaguar ndaj rezultateve aspak të mira të skuadrës, duke thënë se një gjendje e tillë nuk mund të tolerohet pasi Flamurtari është një nga skuadrat me infrastrukturën dhe pagesat më të mira në kampionat. Sipas të gjitha gjasave, sot krerët e klubit do të mblidhen në një komunikim për shtyp në lidhje me gjendjen e krijuar dhe gjithashtu flitet se do të ketë edhe një listë futbollistësh që do të përjashtohen nga klubi.