Tirana nuk është e vlerave të dikurshme, stadiumi “shtëpi” e kryeqytetasve

547
Agron KAJA 
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” Blendi Nallbani, ish-futbollisti i Tiranës, Partizanit dhe i Kombëtares
Pas një shkëputjeje në kohë mes nesh, ju “trokitëm” për këtë intervistë. Besoj jemi të mirëpritur?
Natyrisht që po, madje do të thosha se për gazetën “Telegraf” kam detyrimin tim moral e profesional që të përgjigjem në çdo kohë. Për të shkruar për sportin, dera ime ka qenë dhe do të mbetet e hapur në çdo kohë, madje mua më duhet që t’u falënderoj për gjithçka.
Është një konstatim i yni ky apo realisht ju dukeni më shumë të përkushtuar në shikimin e ndeshjeve, se sa në komentet për to?
Ndoshta është edhe një konstatim, pasi ju e keni profesion që gjërat i nxirrni ngadalë e ngadalë, si pa kuptuar. Gjithsesi, unë në çdo rast u jam përgjigjur të gjitha mediave, sepse kam se çfarë të them, jo vetëm nga përvoja, por edhe nga aktualiteti që shoh në çdo kohë. 
Tashmë që ju drejtoni një klub tjetër në kryeqytet, Studentin, si ju shkojnë punët aty, kur nuk keni një skuadër futbolli?
Vërtet që nuk ka ekip futbolli, por te Studenti ka skuadra kampione, ka individë kampionë, pra ka një gjeneratë që në shumësportësh bën diferencën me shumë klube të tjera. Gjithsesi, kjo detyrë, mua asnjëherë nuk më ka penguar që të heq dorë nga futbolli. Sepse këtë detyrë na e ka bërë më të lehtë mbështetja e madhe që na ka dhënë Minsitria e Arsimit e Sporteve, veçanërisht Ministrja Lindita Nikolla, të cilën si klub e falënderojmë sinqerisht.
Në këto kushte, e keni ndjekur rregullisht Kategorinë Superiore, apo me raste të shkëputura?
Futbolli shqiptar jo vetëm që më tërheq, por më mban në çdo kohë të mbërthyer, si kur jam në fushë, ashtu edhe kur ndeshjet i shoh në televizion. Këtë sezon na është krijuar edhe një mundësi më shumë, pasi në TVSH jepen edhe ndeshje të veçanta të Kategorisë së Parë. Kjo është një kënaqësi tjetër që më tërheq shumë. 
Janë luajtur dy javët e para të fazës së tretë, cili është këndvështrimi juaj për to?
Kukësi më duket më mirë nga skuadrat e tjera të kreut, jo se po bind me lojë, por se po fiton si brenda, ashtu edhe jashtë fushës së tij. Patjetër që për këtë ecuri, përveç skuadrës e trajnerëve, meritë ka edhe Presidenti i klubit, Safet Gjici, pasi duket si i vetmi në Kategorinë Superiore që e trajton dhe e mbështet rregullisht skuadrën.
Po për skuadrat e tjera, cila është panorama juaj në këto dy ndeshje?
Partizani e gjeti fitoren në ndeshjen e dytë, por nuk po bind në lojën e tij, pasi sa vjen nga përgatitjet, tregon luhatje. Skënderbeu duket se e ka marrë shtruar këtë fazë të tretë, edhe pse nuk është ai i sezonit të kaluar, ndërkohë që skuadrat e tjera nuk kanë thënë më shumë se sa treguan në dy fazat e para. 
Çfarë dukuri veçoni në këto dy javë, raport me dy fazat e para? 
Për deri sa nuk janë shënuar shumë gola në këto dy javë, unë nënkuptoj se, bashkëpunimi i sulmuesve në fazat përmbyllëse të aksioneve dhe për gjuajtjet në portë, është shumë i varfër. Të dy këta tregues kanë munguar gati në të gjitha ndeshjet e luajtura, duke përjashtuar ndeshjen Flamurtari-Luftëtari, e cila mbetet ndeshja më e mirë e luajtur në dy javët e para të fazës së tretë.
Sikundër është formatuar renditja në 20 javë, cilat skuadra i shikoni më rivale në luftën për titullin Kampion në këtë sezon? 
Deri tani, Kukësi duket se është rivali i parë për titullin, pasi është 4 pikë para Partizanit e Skënderbeut. Të dyja këto skuadra nuk janë në nivelin e dy fazave të para, pasi Partizani nuk po bind në lojën e tij, ndërsa Skënderbeu nuk ka thënë shumë në këto dy javë. Kaq për to nuk mjaftojnë që të jenë rivalë deri në fund me Kukësin.
Si një ish-futbollist i Tiranës, e shikoni një skuadër me dritëhije në këto dy ndeshje, apo diçka tjetër?
Jo vetëm në këto dy javë, por gjatë gjithë këtij kampionati në vazhdim, nuk e dimë se çfarë Tirane po shohim, kjo Tiranë ka kohë që nuk e di se ku është. Ndërsa tifozët për çka kanë bërë në këto dy javë, në vend që ti adresojnë pretendimet te Presidenti i klubit, bëjnë veprime që nuk janë në traditën e tifozerisë bardheblu. Ndoshta duhet që nga drejtuesit e klubit të vendosen njerëz të aftë që të dinë ta menaxhojnë mirë klubin edhe në të tilla situata.
Në ndeshjen me Laçin, më shumë se sa loja, Tirana vuajti për golin. Është ky një tregues negativ për bardheblutë?
Po, edhe unë kështu e mendoj, një tregues negativ. Sepse nuk mund të ndodhë ndryshe, kur në dy ndeshje ende nuk është shënuar as edhe një gol nga Tirana. E kisha menduar këtë fitore të Laçit, i cili në këto dy ndeshje po tregon se e ka rregulluar për mirë skuadrën edhe me merkaton e janarit, ndërsa Tirana që mbetet jashtë synimeve në këtë sezon, më mirë të operojë me futbollistë vendas.
Duke qenë edhe gjysmëfinaliste në Kupën e Shqipërisë, do të ndikojë kjo ngarkesë fizike për rezultate pozitive te Tirana?
E vetmja rrugë që e çon në Evropë këtë Tiranë, mbetet Kupa e Shqipërisë. Zëra që mbeten thashetheme, kanë qarkulluar këto ditë, se do të bëhet një tolerim nga Kukësi në Kupë, ndërsa Tirana do ta kompensojë në ndeshjet e Kampionatit. Mirë do të jetë!
Me 9 golat që u shënuan në pesë ndeshje, është kjo një mesatare e mirë për Superioren?
Një Superiore të mirë, në aspektin e shënimit të golit, unë do ta mendoja që çdo javë të shënoheshin 12 deri në 15 gola. Deri tani ka një shterpësi në shënim, pasi në dy javë janë shënuar 14 gola.
Gjatë muajit janar, thuajse të gjitha skuadrat kanë bërë merkato, po, a u shfaqën efektet e saj tek të gjitha skuadrat në këto dy javë?
Ndonjë dallim të veçantë deri tani nuk kemi parë, prej atyre futbollistëve që në merkaton e janarit kanë plotësuar disa skuadra. Thënë sportivisht, ata nuk kanë bërë diferencën në këto ndeshje, pasi të gjithë nuk janë shumë cilësorë dhe e kanë të vështirë të përshtaten me grupin kaq shpejt.
Jeni një ish-portier i Tiranës dhe i Partizanit, si do ta ndani mendimin tuaj për atë çka ka ndodhur mes dy tifozerive gjatë javës së kaluar?
Mua më vjen keq që ndodhin këto gjëra, pikërisht në kryeqytet, në abuzim të emrave të këtyre dy skuadrave të mëdha. Tifozët e Tiranës do bëjnë mirë që të mbështesin më shumë skuadrën, se sa të merren me këto gjëra. Ndërsa tifozët e Partizanit të jenë më qytetarë në replikat virtuale në internet. Sepse kështu, ato kazmat e lopatat mbeten paradoksi më i ulët në këtë shekull të ri.
Të premten do të luhen ndeshjet e javës së 21-të dhe në mesjavën tjetër gjysmëfinalet e dyta të Kupës, do ndikojë kjo ngjeshje kalendari në psikologjinë e lojtarëve?
Vërtet që duket kalendar i ngjeshur, por duke qenë se vetë skuadrat e kanë pranuar postimin e datave, atëherë ato duhet të përgatiten që ti përballojnë sa më mirë. Kjo ngjeshje do të ndikojë do të ndikojë kryesisht nga dëmtimet që janë të pashmangshme në futboll, sepse ekipet tona nuk kanë luksin që edhe stolin e rezervave ta kenë të barabartë në nivel me lojtarët e formacionit. Lojtarët ne i kemi si me pikatore.
Cilat takime i veçoni si më të vështirat për javën e 21-të, apo edhe normale?
Për mendimin tim, si krye ndeshje e kësaj jave është ajo që luhet midis Tiranës e Kukësit, duke mos përmendur edhe ato detaje që ja u thashë më parë. Vllaznia-Flamurtari dhe Teuta-Partizani do të jenë shumë delikate, për vetë renditjen që kanë këto skuadra, ndërsa Luftëtari-Korabi duket si një ndeshje e mbyllur në favor të gjirokastriteve.
Somario
Në karrierën time si futbollist, unë kam pasur fatin që të luaja me të dyja skuadrat e kryeqytetit, Partizanin dhe Tiranën. Në sezonin 2002-2003 fituam Kupën e Shqipërisë me Partizanin, ku i gjithë stafi ishte i Tiranës. Pra, kjo është një përvojë që flet shumë sot, me ato çka po ndodhin prej tifozerive të të dyja këtyre skuadrave
SKEDINA E NALLBANIT
Kupa, kualifikimet të lexueshme
Në mesjavën e ardhshme, do të luhen ndeshjet e dyta çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, dhe Blendi Nallbani nuk nguroi që të vendoste skedinën e tij për këto ndeshje. Duke mos nënvleftësuar asnjërën nga katër skuadrat që janë në këtë tur çerek final, ish-portieri i Kombëtares i mendon kualifikime të lexueshme, më shumë duke ju referuar ndeshjeve të para të këtij turi eliminator. Sipas tij, vetëm në sfidën Tirana-Kukësi ka ndonjë dyshim për tolerim nga kuksianet, me zëra se do të ketë kompensim në kampionat për kuksianet, ndërkohë që në çiftet e tjera, kualifikimet thuajse janë vendosur që në takimet e para. Por, duke qenë se skuadrat vendase kanë shënuar gol në takimet e para në transfertë, dhe sipas specifikës së Kupës, Nallbani mendon se këtu qëndron “çelësi” i kualifikimeve, të cilat ai i mendon edhe ndeshje që veç rezultateve do të kenë edhe dukuri të tjera interesante. 
TIRANA-KUKËSI (1)
Kjo është një ndeshje shumë delikate, pasi ka “zëra” që Kukësi edhe mund të tregohet “altruist” me Tiranën, ndoshta mendohet për një kompensim në ndeshjet e kampionatit.
VLLAZNIA-TEUTA (1)
Shkodranët janë më pranë kualifikimit, jo vetëm se barazuan në ndeshjen e parë, por edhe se momentalisht janë skuadër më e mirë se durrsakët. Teuta mendon kampionatin.
BESËLIDHJA-FLAMURTARI (1X)
Edhe pse lezhjanët kanë fituar në takimin e parë, në këtë përballje mund të ketë edhe ndonjë surprizë nga Flamurtari. Fitorja në takimin e parë, favorizon Besëlidhjen.
SKËNDERBEU-LAÇI (1)
Duke qenë se ka barazuar në takimin e parë në Laç, Skënderbeu është thuajse është kualifikuar. Por kujdes, Laçi sukseset e tij i ka me dy Kupa të Shqipërisë të fituara.
Ndeshjet/ Java e 21-të
Datë 10 shkurt 2017
Teuta-Partizani 18:00
Datë 11 shkurt 2017
Skënderbeu-Laçi 14:00
Vllaznia-Flamurtari 14:00
Tirana-Kukësi 17:00
Datë 12 shkurt 2017
Luftëtari-Korabi 14:00 
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1. Kukësi 20 42
2. Partizani 20 38
3. Skënderbeu 20 38
4. Tirana 20 27
5. Luftëtari 20 25
6. Vllaznia 20 21
7. Flamurtari 20 20
8. Laçi 20 20
9. Teuta 20 19
10. Korabi 20 11
2 javë
Pasi u shty rinisja, deri tani Kategoria Superiore ka luajtur vetëm dy javët e para të fazës së tretë
14 gola
Në dy javët e para të fazës së tretë janë shënuar 14 gola, një mesatare 1.45 gola për ndeshje
Sigal