Tirana në mbledhjen e “pendimit dhe premtimit”, futbollistët zotohen për fitore

440
Sigal

Është mbajtur dje mbledhja e radhës e klubit të Tiranës, për të diskutuar mbi ecurinë aktuale të skuadrës, humbjen ndaj Laçit dhe çka është më e rëndësishmja, tre takimet e hekurta që i presin bardheblutë, duke filluar me këtë të premte ndaj Partizanit, pastaj ndaj Skënderbeut e duke e mbyllur me Kukësin. Në mbledhje qenë të pranishëm skuadra, stafi teknik dhe presidenti, ku u bisedua mbi rrugën që duhet ndjekur për të realizuar objektivat e sezonit. Në deklaratën zyrtare të klubit bëhen me dije temat që u diskutuan, duke vënë theksin tek premtimi i futbollistëve që do të angazhohen maksimalisht për të arritur një rezultat sa më të mirë në këto takime të ardhshme: “Në ambientet e stadiumit “Selman Stermasi” kanë qenë të gjithë të pranishëm e të ulur përreth një tryeze të rrumbullakët. Për më tepër se 90 minuta, bardheblutë kanë analizuar atë që ka ndodhur dhe kanë diskutuar për ndeshjet e radhës. Jo vetëm takimi me Partizanin por dhe ndeshjet me Skënderbeun e Kukësin, janë takime që duhen fituar dhe për këtë motiv, Tirana ka zhvilluar këtë mbledhje. Klima brenda skuadrës është përmirësuar dhe lojtarët kanë premtuar të japin më të mirën në fushën e lojës të premten, në përballjen me Partizanin. Presidenti Refik Halili i ka kërkuar skuadrës të luajë për tifozët bardheblu, të cilët pas shumë kohësh rikthehen aty ku e kanë vendin dhe presin fitoren. Futbollistët kanë thënë fjalën e tyre, pasi kanë dëgjuar analizën e trajnerit Gugash Magani dhe të stafit drejtues. Ndeshja e të premtes është takimi për të cilën ata janë zotuar të japin gjithçka në fushën e lojës”. Një zotim i bërë nga futbollistët e Tiranës që duan tani të lënë pas atë humbje ndaj Laçit dhe të fillojnë “gjuetinë” për të tjera fitore, e kësaj radhe duhet të fillojnë pikërisht ndaj Partizanit, në një stadium që këtë herë do të ketë tifozë nga të dy tifozeritë, jo si herën e parë që ndeshja u zhvillua pa tifozë dhe në ndeshjen e dytë ku ishin të pranishëm vetëm tifozët e Partizanit. Një zotim që fillon dhe mbaron me tifozët dhe dëshirën e përbashkët për ta parë përsëri Tiranën në krye, kampione.

Kupa e Botës në Katar 2022 do të zhvillohet në muajt nëntor-dhjetor

Një vendim që u mor dje nga krerët e FIFA-s, duke vendosur kështu edhe muajt se kur do të zhvillohet turneu më i rëndësishëm i futbollit botëror, Kupa e Botës, në Katar. Një vend që shtrihet në Lindjen e Mesme e që rezervon temperatura të larta gjatë verës, e nisur nga kjo është menduar nga shumë të menduarit e FIFA-s, krerët e mëdhenj, që turneu të zhvillohej si asnjëherë tjetër në muajt e dimrit, praktikisht në nëntor-dhjetor, ku finalja do të luhet me 23 dhjetor. Një vendim aspak i kënaqshëm ky i FIFA-s, që nga gjeneza, atëherë kur edhe vendosen se do të ishte Katari vendi organizator i Botërorit, pasi mesa duket edhe këtu çdo gjë bëhet për para dhe vetëm për para, sepse askush me mend në kokë nuk do ta dërgonte këtë turne në një vend që nuk ka kushtet e mjaftueshme atmosferike nga nënë natyrë dhe në një vend që nuk ka aspak kulturë në futboll. Gjithsesi, deri në vitin e largët 2022, ndoshta do të vijnë ndryshime të tjera, nisur edhe se kush do të shpallet kampione bote në Kupën e 2018-ës, në Rusi.

 Presidenti i Samdorias, Ferrero: Të gjithë të ndihmojmë Parmën

Situata jo edhe aq e mirë që ka mbërthyer Parmën, duket se ka vënë në lëvizje klubet e tjera në Itali, ku i pari që ka reaguar është presidenti i Sampdorias, Ferrero, që në një letër të hapur drejtuar presidentëve të çdo klubi në Serie A, ka bërë thirrje që të gjithë të ndihmojnë për këtë klub, pasi ekipi dhe futbollistët e meritojnë një gjë të tillë: “Duhet që të gjithë të japim një sinjal të fortë për Lukarelin dhe shokët e tij të ekipit. Duhet që t’u japim atyre mundësinë për të luajtur dhe të gjithë duhet të kontribuojmë për Parmën. Lojtarët e ekipit emilian janë heronj dhe meritojnë që t’u qëndrojmë të gjithë pranë. Shpresoj që apeli im të dëgjohet”. Një sinjal i qartë ky për mbështetje ndaj klubit emilian, ku ndodhet edhe futbollisti i Kombëtares, Andi Lila. Gjendja e klubit të Parmës është shumë e rënduar aktualisht, nga ana financiare, duke mos ia dalë dot që të mbulojë shpenzimet e nevojshme, nisur nga ato më minimalet që i përkasin një klubi të futbollit.

 Elseid Hysaj futet në formacionin e javës në Serie A

Një performancë shumë e mirë e Hysajt në ndeshjen e skuadrës së Kievos, skuadër ku luan edhe Vajushi, i kanë dhënë mbrojtësit edhe një herë tjetër kënaqësinë e përfshirjes edhe një herë tjetër në formacionin e javës në Serie A, diçka që vendoset nga ekspertët e futbollit atje, duke e radhitur 21-vjeçarin në mbrojtësit më të mirë të kampionatit. Në formacion, Hysaj ndodhet në shoqëri shumë të mirë ku nuk mungojnë emrat e Ruganit dhe Emanuelson në mbrojtje, ndërsa në pozicionet e tjera janë përfshirë emrat si Icardi, Pirlo, Mauri, Candreva, etj.

  Ndeshja mes Tiranës dhe Partizanit, ja mungesat dhe rikthimet e mundshme

Ndeshja e vitit për të dy ekipet e kryeqytetit, ku mobilizimi do të jetë i plotë, por përsëri pritet që të ketë mungesa në formacionet e të dy ekipeve, ndërkohë që ka edhe rikthime në të mirë të Partizanit, si p.sh. mesfushori Batha që nuk luajti në ndeshjen e fundit me Teutën për shkak të kartonit që mori në Kukës, e pritet që të rikthehet për këtë ndeshje, edhe pse mund të ketë ndonjë dyshim sado të vogël, pasi Batha ishte edhe i dëmtuar gjatë kësaj jave “pushimi”, por deri të premten prania e tij duket pothuaj e padiskutueshme, pasi rikuperimi po shkon në rrugën e duhur. Batha është padyshim një nga mesfushorët më të mirë të kampionatit shqiptar, ku edhe pse në një moshë të re, vetëm 22 vjeç, ka arritur që të bëhet pjesë e rëndësishme e formacionit të Partizanin. Nga ana tjetër, Partizani duket se do të vuajë një mungesë të madhe, atë të Nderim Nexhipit, që u shfaq i dëmtuar në ndeshjen ndaj Apolonisë dhe pas vizitave  mjekësore të kryera, përgjigjet nuk kanë qenë edeh aq pozitive, ku tani lojtari ka vetëm edhe dy ditë që të bëhet gati për ndeshjen më të rëndësishme të vitit. Në rast se nuk ia del, kjo do jetë një mungesë shumë e madhe për Partizanin, pasi kapiteni me përvojën e tij di të bëjë diferencë në fushën e blertë.

Erando Karabeci: Rezultati 3-0 nuk tregon atë që dhanë të dyja skuadrat në fushën e blertë

Një ndeshje që duhet të hidhet pas krahëve për futbollistët e Tiranës është ajo ndaj Laçit, ku këta të fundit u mundën me rezultatin 3-0, rezultat që sipas Karabecit nuk tregon realisht atë që skuadrat dhanë në fushë. Ajo humbje e dërgoi skuadrën në vendin e dytë, por ndeshja ndaj Partizanit është vetëm për fitore dhe Karabeci shprehet se në këtë takim nuk do të mungojë, ashtu si ndaj Laçit, pasi do të jetë gati për trajnerin Magani. “Rezultati 3-0 nuk tregon atë që dhanë të dyja skuadrat në fushën e blertë. U ndëshkuam nga një gabim i portierit, që ndodh në futboll, krijuam raste të shumta për shënim, por ishim të pafat. Sidomos në pjesën e dytë kemi dominuar në lojë ndaj Laçit. Unë isha i sëmurë dhe e ndoqa sfidën nga televizori. Të them të drejtën vuaj më shumë kur e shoh nga skuadrën time kur mundet. Me 100% do të jem në derbi. Sot nuk jam stërvitur sepse kisha nevojë edhe për një ditë pushim, por të premten do të jem gati”. Ndërkohë futbollisti u ndal edhe tek prania e tifozëve, duke thënë se tani që janë në stadium do të kenë më shumë shanse për të fituar. “Ne kemi pasur një ecuri të mirë, nëse merr parasysh faktin se na kanë munguar tifozët. Tani që do të jenë në stadium do të kemi më shumë shanse për të fituar.”