Tirana, hapi fals ndaj Laçit vlen sa sezoni

465
Sigal

Shqipëria organizon Ballkanikun e Pingpongut

 Shqipëria do të organizojë për herë të parë Kampionatin Ballaknik të Pingpongut për të rritur U-21, të programuar për në datat 30 korrik-3 gusht. Marrëveshja u nënshkrua dje në një nga sallat e Hotel “D’oro” në Tiranë, ku ishin të pranishëm përveç Presidentit të Komitetit Olimpik Shqiptar, Viron Bezhani, edhe Sekretari i Përgjithshëm, i Bashkimit Ballkanik të Pingpongut (BTTU), Milorad Tërposvki. Ky do të jetë Kampionati i 40-të Ballkanik i Pingpongut.

  Majlinda Kelmendi fiton “Samsun Grand Prix”

 Kampionia e Botës, Majlinda Kelmendi, fitoi medaljen e artë dhe pikë të reja në ranglistën botërore të xhudistëve për peshën 52 kilogram, pas triumfit të saj në turneun “Grand Prix” në Samsun të Turqisë. Në finalen e madhe, Majlinda Kelmendi fitoi me ippon ndaj përfaqësueses së Italisë, Odete Xhufrida. Kelmendi në duelin e parë eliminoi rumunen, Larisa Florian, pastaj ukrainasen, Maria Buiok, ndërsa në gjysmëfinale gjermanen Romi Tarangul.

 Bardheblutë i tremben një tolerimi të mundshëm të Skënderbeut me Vllazninë në Shkodër

 Tirana do të luajë sot kundër Laçit (14:00) me synimin e vetëm për të marrë fitoren ndaj kurbinasve në ndeshjen hapëse të javës

së 26-të të Kategorisë Superiore. Pas humbjes me Kukësin dhe barazimin me Partizanin, bardheblutë kanë humbur terren ndaj Vllaznisë dhe tani e shohin veten në zonën e rënies nga Kategoria. 24 herë kampionët kanë një pikë më pak se shkodranët,  që do të luajnë të dielën në Shkodër ndaj Skënderbeut kryesues. Korçarët kanë krijuar një diferencë prej +14 pikësh ndaj ndjekësve më të afërt (Partizani, Laçi e Kukësi), kështu që në kampin tiranas besojnë se kampionët mund të tolerojnë në “Loro Boriçi”.

Trajneri i Tiranës, Gugash Magani, i cili ka pësuar vetëm një humbje në nëntë ndeshjet e tij në krye të Tiranës, beson se lojtarët e tij i kanë të gjitha mundësitë për ta mposhtur Laçin.

Në “Qemal Stafa” pritet të jetë një Tiranë tepër sulmuese, madje do të jetë një formacion me katër lojtarë të pastër ofensivë, pasi prej kësaj sfide pritet vetëm fitorja, çdo rezultat tjetër do të ishte i papranueshëm, nisur edhe nga pozicioni në renditje. Ndaj, është kërkuar një sforco prej të gjithëve për takimin e së shtunës. Janë 90 minuta që vulosin mbijetesën, pasi një humbje e mundshme do rëndonte edhe më gjendjen. Dilemat janë të vogla, madje është projektuar edhe formacioni. Mario Morina, Selemani Ndikumana, Gilberto Fortunato dhe Frensis Kahata do të jenë në vijën frontale, ndërkohë që mesfusha do të jetë sërish në regjinë e Erando Karabecit, i ndihmuar edhe nga Afrim Taku. Në dy takmet midis tyre në këtë sezon, në fazën e parë ndeshja e mbyll në barazim 0-0 në “Qemal Stafa”, ndërkohë që Laç fituan kurbinasit me rezultatin 1-0 (gol i Sajmir Kastrati). Laçi, – i 3-ti, ka një avantazh prej +12 pikësh nga Tirana e vendit të 9-të. Në fakt, Laçi nuk është një skuadër transfertash, pasi ka humbur 7 nga 12 ndeshjet e luajtura. Nga ana e saj, Tirana ka fituar 6 nga 12 takimet e luajtura në shtëpi (plus 3 barazimeve dhe 3 humbjeve). Të dielën do të luajnë Teuta-Kastrioti, Besa-Kukësi, Flamurtari-Partizani dhe Vllaznia-Skënderbeu. Takimi Lushnja-Bylis nuk do të luhet, pasi Bylisi është përjashtuar. Lushnja e fiton ndeshjen 3-0 në tavolinë.

KATEGORIA SUPERIORE
Java XXVI

Sot, 29 mars

Tirana-Laçi 15:00

Të dielën, 30 mars

Teuta-Kastrioti 14:00

Besa-Kukësi 14:00

Flamurtari-Partizani 17:00

Vllaznia-Skënderbeu 14:00

Shënim:

Lushnja-Bylis nuk do të luhet, pasi Bylisi është përjashtuar. Lushnja e fiton ndeshjen 3-0 në tavolinë.

RENDITJA
1 Skënderbeu      54

2 Partizani    40

3 Laçi           40

4 Kukësi             40

5 Teuta         36

6 Besa          34

7 Flamurtari 31

8 Vllaznia           29

9 Tirana       28

10 Kastrioti  26

11 Bylis       24

12 Lushnja          23

U-17, Shqipëria humbje dinjitoze me Anglinë

 Kombëtarja U-17 e Shqipërisë humbi me rezultatin minimal 1-0 me Anglinë e asaj moshe në ndeshjen e dytë të saj për fazën “Elite Round” të Kampionatit Europian. Shqipëria luajti me këtë formacion: Elhan Kastrati; Ardit Toli, Paolo Ivani, Arbi Ranxha, Ardit Humoli, David Domgjonas, Alesio Hyseni, Federiko Zenuni (52’ Ardit Deliu), Heroid Gjoshi (49’ Amarildo Gjoka), Franc Bakalli (64’ Angelo Zojzi), Keidi Bare. “Djemtë” e Xhemal Mustedanagiçit bënë një paraqitje të pëlqyeshme ndaj “luanëve të vegjël” anglezë, të cilët vinin nga radhët e akademive të mëdha, si ato të Arsenalit, Çelsit, Mançester Junaitid, Totenhemit, Njukasëllit, Evertonit, etj. Pas një pjesë të parë të mbyllur në barazim pa gola, por me një traversë të goditur nga anglezët, Kombëtarja jonë pësoi një gol në minutën e 50-të nga Izi Broun, i cili luan me Çelsin. Goli anglez erdhi pas një këmbëngulje të gjatë, një ‘mish-mashi’ në portën tonë. Shqipëria pati pak raste për gol, teksa shansi më i mirë ishte ai Federiko Zenunit me një gjuajtje nga distanca, por që u bllokua nga portieri anglez Fredi Udman. Duhet theksuar fakti, se Kombëtarja U-17 e Anglisë nuk ka pësuar asnjë humbje në pesë ndeshjet e saj, përfshirë dhe tri të luajtura në fazën e eliminatore. Në takimin hapës, Shqipëria U-17 humbi 2-1 me Italinë, pavarësisht se shënoi e para anë të mesfushorit të Atletikos së Madridit, Keidi Bares. Anglia fitoi 1-0 me Çekinë, vend edhe ku po luhen ndeshjet e grupit 4. Dje, Italia humbi 2-1 me Çekinë. Pas dy ndeshjeve të para kryeson Anglia me gjashtë pikë, e ndjekur nga Italia dhe Çekia me nga tri pikë, ndërsa Shqipëria, zero pikë. Ndeshja e fundit e Shqipërisë është ajo kundër Çekisë vendase, më 31 mars, por takimi më shumë ka vlera simbolike, pasi Kombëtarja jonë ka pak shanse të kualifikohet për raundin pasardhës të Kampionatit Europian, vetëm në rastin se Anglia fiton me Italinë dhe Kuqezinjtë tanë mundin Çekinë.

KALENDARI U-17

26 mars

Itali-Shqipëri 2-1

Angli-Republika Çeke 1-0

28 mars

Angli-Shqipëri 1-0

Republika Çeke-Itali 2-1

31 mars

Itali-Angli

Shqipëri-Republika Çeke

Sulmuesi kosovar është ndëshkuar tri herë brenda një sezoni në kampionatin australian A-League

 Besart Berisha vendos rekord në Australi për… kartonët e kuq

 Sulmuesi kosovar, Besart Berisha, u bë lojtari i parë që ndëshkohet tri herë me karton të kuq brenda një sezoni të kampionatit australian, A-League. Sulmuesi mori karton të kuq në minutën e 49-të në ndeshjen e fituar 2-1 nga Brisbejn Roar kundër Melburn Hërt. Berisha luftoi fort për një top që po shkonte drejt zonës së vogël të portierit, dhe pasi preku topin, stërzgjatja e këmbës së tij preku fytyrën e portierit të Hërtit, Tando Velafi.  Portieri Velafi qëndroi për disa sekonda i shtrirë në fushë dhe gjyqtari Kris Beth pas një hezitimi të vogël, i tregoi kartonin e kuq. Berisha u ul në gjunjë duke mbajtur kokën poshtë dhe shpërthyer në lot, pasi vetëm dy ndeshje më parë ai ishte ndëshkuar me karton të kuq. Teksa shqiptari po largohej nga fusha, sërish në lot, tifozët e duartrokitën fort atë. “Unë mendoj se, ishte vendim i gabuar”, – tha Majk Mëlvej, trajneri i Brisbejn Roarit. “Bes (Besarti) pa mundësinë e tij, ai u stërgjatë për topin, e bëri kontaktin me topin, pati një streçing të plotë. Ai nuk u zgjat për ta dëmtuar portierin, por për të shënuar. Ai tashmë ka ndjenjën sikur e gjithë bota është kundër tij në këtë moment. Unë mendoj se nuk do ta apelojmë vendimin, pasi e pamë qartë atë dhe mendojmë se nuk ishte vendimi i duhur”, – shtoi Mëlvej. Trajneri i Hërtsave, Xhon van’t Ship tha se, Berisha ka nevojë të jetë më i kujdesshëm, por ai shpreson se reputacioni i sulmuesit nuk do të dëmtohet. “Ai (Berisha) është shumë i pafat, por ai duhet të jetë më shumë i kujdesshëm. Nuk është hera e parë për të. Unë jam i sigurt, që nuk ishte qëllimi i tij. Sigurisht, është e vështirë për Berishën. Por, ne gjithashtu jemi të lumtur që Tando nuk u dëmtua. Ai ka disa shenja, por është në rregull. Ai qëndroi në lojë”. Kjo ishte ndeshje e parë e Berishës, pasi u kthye nga pezullimi pas kartonit të kuq të marrë në barazimin 1-1 të Brisbejnit ndaj Sidnejit, më 14 mars pas ndërhyrjes së rrezikshme ndaj Seb Rjaëllit. Ish-lojtari i Kombëtares shqiptare u ndëshkua me karton të kuq pas dy të verdhave në barazimin 0-0 e Roarit me Perth Glorit, më 17 janar. Berisha do të mungojë në ndeshjen e radhës kundër Sidnejit. Besarti ka shënuar deri tani 11 gola në kampionatin australian, dy më pak sesa Tagart i Njukasëllit (13 gola) që kryeson edhe renditjen e golashënuesve. Për Berishën ky është sezoni i tretë në radhët e Brisbejnit, teksa numëron 46 gola në 73 ndeshje, pra një mesatare e lartë shënimi. Sezonin e ardhshëm, Besart Berisha do të luajë në radhët e Melburn Viktori.

Tre kartonët e

kuq të Berishës

17.01.2014

Perth Glori-Brisbejn Roar 0-0

Në minutën e 32-të

 

14.03.2014

Brisbejn Roar-Sidnej 1-1

Në minutën e 40-të

28.03.2014

Brisbejn Roar-Melburn Hërt 2-1

Në minutën e 49-të

Kosova, miqësore me Turqinë e Senegalin

 Pas marrjes së lejes nga FIFA, për zhvillimin e ndeshjeve miqësore ndërkombëtare, duket se Kosova nuk ndalet më dhe është në kërkim të kundërshtarëve prestigjiozë. Pas konfirmimit të ndeshjes me Turqinë më 21 maj, presidenti i FFK, Fadil Vokrri njoftoi se, Kosova do të luajë ndaj Senegalit më datë 25 maj. Ndeshja mes dy përfaqësueseve do të zhvillohet në Zvicër, më konkretisht në stadiumin e Gjenevës. “Pas disa dilemave të shfaqura rreth zhvillimit të ndeshjes me Turqinë, kam kënaqësinë që të ju njoftojë se tashmë përfundimisht Federata e Turqisë e ka dërguar konfirmimin zyrtar duke shprehur kënaqësinë që do të zhvillojë një ndeshje miqësore me Kosovën më 21 maj në Kosovë, ndaj kjo na bën që të heqim çdo mëdyshje që mund ta ketë pasur opinioni”, tha Vokrri në konferencën për shtyp. Sfida me Senegalin do të jetë miqësorja e tretë për Kosovën, pas asaj të luajtur me Haitin në Mitrovicë në fillim të marsit e mbyllur në shifrat 0-0 dhe asaj që do të luhet në Kosovë, më 21 maj me Turqinë.

Miqësoret e Kosovës

6 mars 2014

Kosovë-Haiti 0-0

21 maj 2014

Kosovë-Turqi

25 maj

Kosovë-Senegal