Tirana “hap krahun”, Laçi e mund bindshëm me një 3- turpëruese

504
Sigal

Rikthim tek fitorja për Vllazninë dhe Partizanin, ndërkohë që Flamurtari i shpëton në fund barazimit me Elbasanin

Në qoftë se duhet të merret një ekip në Superligë që të cilësohet si surpriza më e madhe, padyshim që emri që të vjen i pari në mend është ai i Laçit. Një skuadër kompakte, e organizuar dhe një forcë shkatërruese, ku ka marrë përpara pothuaj të gjitha skuadrat që cilësohen si fitueset e mundshme. Ndeshja ndaj Tiranës ishte një tregues i qartë se kjo skuadër ka brumë dhe që nuk vuan nga “ndjenja” e inferioritetit, e meritë për këtë padyshim që ka edhe trajneri Cungu, trajner që bëri më të mirën e mundshme me Kukësin e tani duket se po shtron një rrugë po aq të suksesshme edhe këtu. Ndeshje pozitive pati edhe për Vllazninë, që pas 6 humbjesh radhazi, kthehet më në fund tek fitorja, fitore që ndoshta më shumë do t’i vlejë trajnerit Raineri që të jetë përsëri pjesë e Vllaznisë. Rezultatet e arritura ditën e djeshme janë më se pozitive për Skënderbeun dhe Kukësin, që ndeshen sot në Korçë, duke parë që Tirana pësoi një humbje që e vë në pozita të vështira sa i përket kreut.

Vllaznia-Apolonia, një fitore në kohën e duhur

Më në fund Vllaznia arriti që të fitonte një ndeshje në këtë fazë të tretë, duke mundur Apoloninë me rezultatin 2-0, rezultat që përveç 3 pikëve duket se i jep edhe mundësinë që t’u “hapë derën” edhe fitoreve të tjera. Një fazë e vështirë kjo për Vllazninë, ku ndeshjet zhvilloheshin të gjitha nën “zhurmat” e largimit dhe afrimit të trajnerëve, por akoma nuk është zyrtarizuar një gjë e tillë. Nga ana tjetër, Apolonia vazhdon që të jetë pjesë e fundit të tabelës, si bashkëshoqëruese me Elbasanin, edhe pse ka 3 pikë më pak se këta të fundit.

Laçi-Tirana, kurbinasit kalojnë në “sitë” edhe Tiranën

Një ndeshje e bukur, një ndeshje e madhe për Laçin që mund edhe vetë kryesuesit e tabelës, por jo me rezultat fragmental, e mund në lojë, në rezultat, në përgatitje dhe nuk e lë që të shënojë, por vetëm i shënon, e jo pak, por plot 3 gola. Edhe një herë tjetër Laçi konfirmohet si “macja e zezë” e Tiranës, ku në takimin e djeshëm, këta të fundit nuk ishin në gjendje që të reagonin edhe pse pësuan gol. Kjo humbje e vë edhe një herë në ndjekje ekipin bardheblu, por llogaritë do fillojnë që të bëhen vetëm pas përfundimit të takimit të sotëm mes Skënderbeut dhe Kukësit, ku presin që rezultati të jetë në favorin e tyre, ndoshta një barazim i mundshëm, për të pritur më me qetësi derbin, javën e ardhshme.

Partizani-Teuta, rikthimi tek fitorja për të “kuqtë”

Një fitore mes polemikash për “demat” e Superligës, ku pas ndërrimeve në minutat e fundit të stadiumeve ku do zhvillohej ndeshja, arritën që të vendoseshin në “Loni Papuçiu”, për të marrë një fitore aq të vyer, në një kohë kur janë vënë në “shënjestër” nga të gjithë tifozët për atë humbje në Kupë ndaj Laçit. Fitorja 2-1 e Partizanit ishte më se e merituar dhe ndoshta, falë kësaj, do të vijë edhe momenti i paqes mes tifozëve dhe klubit, pas atij acarimi të përgjithshëm. Teuta, nga ana tjetër, e gjen veten përsëri krah humbjes, duke mos arritur që t’i bënte ballë të besuarve të Duros, duke shënuar kështu një tjetër humbje në kampionat, por gjithsesi qëndrojnë të mbrojtur nga ndjekësit më të afërt, Elbasani, që kanë 7 pikë më pak.

Elbasani-Flamurtari, fitore mes vështirësive për vlonjatët

Një fitore e nevojshme por e arritur me shumë vështirësi për vlonjatët, që me rezultatin e ngushtë 1-0, gol i shënuar në minutën e 88-të, arritën që të dilnin me tre pikë nga stadiumi. Kjo ishte një ndeshje që Elbasani provoi shansin e vet, por ato raste fragmentale që sjellin golin nuk qenë të pranishme tek kampi i tyre, duke humbur kështu mundësinë që të dilnin të paktën me një pikë nga kjo ndeshje. Sa i përket vlonjatëve, kjo fitore ishte mjaft e vyer, duke parë edhe vështirësinë që paraqiti kjo ndeshje, diçka që para se të fillonte takimi nuk është se të jepte këtë përshtypje. Tani, me këtë fitore, vlonjatët mbajnë akoma gjallë shpresat për një vend në Europë, por me paraqitjet që po bën Laçi, këto shpresa shkojnë çdo ditë e më shumë drejt venitjes.

Ndeshjet e javës së 23-të

Vllaznia 2-0 Apolonia

Laçi 3-0 Tirana

Partizani 2-1 Teuta

Elbasani 0-1 Flamurtari

Sot

Skënderbeu 18:00 Kukësi

  Skuadra ND F B H P
1 Tirana 23 14 5 4 47
2 Kukësi 22 15 2 5 47
3 Skënderbeu 22 13 5 4 44
4 Partizani 23 13 5 5 44
5 Laçi 23 10 8 5 38
6 Flamurtari 23 9 7 7 34
7 Vllaznia 23 9 2 12 26
8 Teuta 23 6 1 16 19
9 Elbasani 23 4 0 19 12
10 Apolonia 23 2 3 18 9

Magani: Nuk do mendojmë për Partizanin pa analizuar humbjen në Laç

 Një ndeshje për tu harruar ajo e Tiranës ndaj Laçit, ku humbja 3-0 ishte sa turpëruese aq edhe e dëmshme, jo vetëm për pikët e lëna por edhe për moralin e skuadrës. Një gjë të tillë e di edhe trajneri Magani, që nuk i kurseu kritikat për skuadrën dhe shthurjen që pësoi ekipi pas pësimit të golit të parë: “Sot nuk kam fjalë. U futëm në lojë me besimin për fitore por ndeshja fitohet me përqendrim gjatë gjithë kohës dhe me bindje. Në pjesën e parë, e nisëm lojën nën kontrollin tonë dhe u ndëshkuam nga një gabim dhe skuadra nuk e përjetoi mirë golin. Në pjesën e dytë ndryshuam skemat pasi futa në lojë 4-5 sulmues. Patëm raste për të barazuar por mund të kishim pësuar edhe më shumë. Kjo humbje nuk mund të justifikohet sepse duhej të ishim treguar më të kujdesshëm”. Gjithashtu, Magani u ndal edhe tek forma e sulmuesit Ndikumana, ndaj të cilit trajneri nuk i kurseu kritikat: “Ndikumana është stërvitur vetëm dy ditë me skuadrën dhe ka qenë në dyshim. Nuk bëri asgjë mirë edhe pse ka qenë vendimtar në momente të veçanta. Përgjegjësia është e gjitha e jona por kemi humbur vetëm një betejë dhe duhet të luftojmë deri në fund”. Sipas Maganit nuk do të mendohet për derbin pa u analizuar kjo humbje në Laç, duke theksuar madje që gabimet e bëra gjatë ditës së djeshme, nuk duhet që të përsëritën më në të ardhmen.