Tirana gjen heroin në Burundi, Ndikumana i jep fitoren në Ballsh

540
Sigal

Bardheblutë arrijnë fitoren e dytë rresht dhe nuk janë më të fundit. Shtohen shpresat për mbijetesë

Tirana mposhti 1-0 Bylisn, një ndeshje shumë të luftuar në “Adush Muça”, por heroi i takimit ishte lojtari nga Burundi, Jamin Selemani Ndikumana, autori i golit të vetëm. Edhe në takimin e fituar 1-0 kundër Partizanit, heroi ishte po një huaj, braziliani Zhilberto, ashtu sikundër edhe golashënuesi më i mirë sezonal i bardhebluve është portugezi me orgjinë nga Bregu i Fildishtë, Hoze Semedo (2 gola). Në fakt, është hera e parë në këtë sezon, që Tirana arrin të koleksionojë dy fitore radhazi, madje ndaj Bylisit i kanë fituar të dyja takimet këtë sezon: 1-0 në “Selman Stërmasi” (gol i Semedos) dhe 1-0 në “Adush Muça” (gol i Ndikumanës). Në “Adush Muça” loja nis me ritëm të lartë, por agresiviteti i shfaqur nga futbollistët e të dyja skuadrave bën që të ketë ndalesa të shumta të lojës, ndërsa rastet në portat respektive të jenë me pikatore. Shkëndijën e parë e jep në minutën e 9’ Bekim Kuli, i cili nuk arrin të përfitojë nga një pasiguri e mbrojtjes bardheblu. 4 minuta më pas kavajasi kërkon të befasojë të riun Caka nga distanca, por topi përfundon ngjitur me shtyllën. Rasti më i mirë për vendasit në pjesën e parë është ai i minutës se 36-të, kur pas një kundërsulmi të shpejtë Kuli tenton me finte, por kontrollon Caka thuajse në vijën fatale. Atëherë kur pritej vërshëllima e kryesorit për përfundimin e pjesës së parë, Mario Morino shpërdoron një rast të artë i vetëm përballë portierit Frashëri. Në pjesën e dytë Tirana shfaqet me tjetër fytyrë. Në minutën e 52, Ndikumana i vidhet mbrojtjes kundërshtare, por në momentin e fundit nuk arrin të kalojë portierin Frashëri. 2 minuta më pas sulmuesi nga Burundi sërish gjendet përballë Frashrit, por portieri i Bylsit është i pakalueshëm. Tensioni në fushë transferohet nga shkallet e stadiumit me ofendime mes tifozerive që e detyrojnë kryesorin të ndërpresë ndeshjen. Episodi që vendos sfidën është i minutës së 72-të. Pas një kombinimi perfekt mes sulmuesve bardheblu. Merita shkon për Mario Morinën, që pason në qendër për Ndikumanan, që këtë radhë nuk gabon. Bylisi nuk ka forca për të reaguar, falë edhe një mbrojtje solide të Tiranës që i lejon futbollistet vendas të rrezikojnë portën e Cakës. Përpjekjet dëshpëruese të vendasve në minutat e fundit, nuk sjellin ndryshim tjetër rezultati, kështu që Tirana i gëzohet një tjetër fitoreje shumë të rëndësishme, që e ngjit në vendin e parafundit falë golaverazhit më të mirë se Lushnja, pasi që të dyja skuadrat tashmë kanë nga 19 pikë. Tirana nuk pëson gol prej katër ndeshjesh, duke futur këtu dhe barazimet pa gola me Kastriotin dhe Teutën. Për herë të fundit, rrjeta e bardhebluve është tundur nga Skënderbeu, më 14 dhjetor, kur humbi 1-0.

   Flamurtari harron të fitojë

 Flamurtari nuk arrin të fitojë me Laçin, duke lënë dy pikë të arta në Vlorë, pas barazimit të vuajtur 1-1 me kurbinasit. Për kuqezinjtë kjo ishte ndeshja e tretë pa fitore, teksa trepikëshi i fundit është regjistruar me Partizanin. Flamurtari e nisi me vrull sfidën, madje i afrohet ndjeshëm golit në minutën e 3-të, por Bakaj tregohet në lartësinë e detyrës duke mos e lejuar prekjen e rrjetës pas tentativës së Begajt. Në një aksion pa shumë pretendime në minutën e 23-të, Erjon Vuçaj lëshon një perlë nga distanca, duke e dërguar topin aty, ku bashkohet shtylla me traversën. Një ekzekutim perfekt i shkodranit 23-vjeçar. Flamurtari gjen forca për të reaguar në minutat e fundit të pjesës së parë, fillimisht shënon në pozicion jashtë lojë, ndërsa në kohën shtesë, Bruno Telushi ngre entuziazmin në stadiumin e Vlorës, me një ekzekutim perfekt fluturimthi nga një distancë e largët. Ritmi i lartë i pjesës së parë, ndikon në anën fizike të formacionit të Stavri Nicës, që mendon më shumë për të ruajtur pikën. Gjithsesi Flamurtari i afrohet golit në minutën e 62-të me Zeqirin, goditja e të cilit ndalet vetëm mbi vijën fatale nga mbrojtja mike. Në të 75’, Abiliaj nuk arrin të pasojë për shokët, tenton vetë prirët me portën por nuk gjen kuadratin. Në minutat e mbetura të besuarit e Ernest Gjokës bëjnë gjithçka të për realizuar golin e trepikëshit, por mbrojtja mike reziston me të gjitha mënyrat deri në vërshëllimën e fundit të Metës. Flamurtari renditet në vendin e 7-të më 16 pikë, ndërkohë që Laçi ngjitet në kuotën e 28 pikëve, në vendin e tretë.

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA XIX

Sot, 17.02.2014

Teuta-Skënderbeu     18:00

Të dielën, 16.02.2014

Flamurtari-Laci          1-1

Besa-Kukësi       2-0

Bylis-Tirana       0-1

Të shtunën, 15.02.2014

Kastrioti-Vllaznia      3-2

Partizani-Lushnja      2-0

RENDITJA

1     Skënderbeu 18   +13 37

2     Partizani             19   +4   30

3     Laçi                     19   +3   28

4     Besa                    19   +2   28

5     Teuta                  18   +4   28

6     Kukësi         19   -1    27

7     Flamurtari           19   +1   26

8     Bylis            19   +1   23

9     Vllaznia       19   -1    22

10   Kastrioti              19   -5    21

11   Tirana          19   -9    19

12   Lushnja        19   -12  19

Besa i jep leksion Kukësit

 Besa arriti një fitore me shumë vlerë ndaj Kukësit, duke fituar me rezultatin e pastër 2-0. Argjend Mustafa në pjesën e parë (23’) dhe Bledar Mancaku në të dytën (83’) ishin dhe autorët e golave të fitores së tetë sezonale të kavajasve, që tashmë e shohin vetën në vendin e katërt. Për Kukësin, kjo ishte humbja e gjashtë dhe e para nën drejtimin e teknikut, Sulejman Starova.

  Sot, sfida Teuta-Skënderbeu

 Superpërballja e javës së 19-të është ajo midis Teutës e Skënderbeut, dy ekipeve që ndajnë dy vendet e para, por me korçarët që kryesojnë me +7 pikë nga Partizani i vendit të dytë. Ndeshja do të luhet nën ndriçimin e projektorëve (18:00) dhe pritet të dhurojë një spektakël të vërtetë në fushën e blertë.

Elbasanasi feston si i çmendur rrjetën e tij të parë në Superligën zvicerane dhe ndëshkohet

 Armando Sadiku, gol për Zyrihun

 Goli për Armando Sadikun është një çështje kohe dhe një detyrë që ai di ta bëjë shumë mirë. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare shënoi golin e tij të parë zyrtar me Zyrihun, pikërisht ndeshjen tij të dytë me skuadrën zvicerane (në fakt, në të parën luajti vetëm tetë minuta). Elbasanasi shënoi golin e tretë të ekipit të tij në fitoren 3-1 ndaj Tunit. Gavranoviç (22’) dhe Etoundi (30’) shënuan dy golat e parë të Zyrihut, ndërkohë që për Tunin diferencën e shkurtoi Shnojvli në minutën e 72-të. Sadiku hyri si zëvendësues në minutën e 59-të, në vend të autorit të golit të dytë të skuadrës së tij, Etoundit, dhe në minutën e 88-të realizoi golin e sigurisë. Zyrih fitoi një goditje të lirë nga e djathta e sulmit të tij, topi mbërriti në zonë dhe aty pas një këmbënguljeje, me një gjuajtje me rrotullim të trupit nga një distancë e afërt, Sadiku shifrat 3-1. Armando u ndëshkua edhe me një karton të verdhë pas heqjes së bluzës gjatë festimit. Për Zyrihun kjo ishte fitorja e tretë rresht. Ish-lojtari i Luganos dëshmoi kështu vlerat e tij edhe në Superligën zvicerane, teksa për të ky ishte goli i tij i shtatë, përfshirë dhe gjashtë të shënuar me Luganon më Challenge League, po në këtë sezon.

 ERGYS KAÇE

 PAOK-u i Ergys Kaçes humbi 2-1 në transfertën me Asteria Tripolis, në ndeshjen e vlefshme për javën e 25-të të kampionatit greke. 90 minuta të plota dhe lojë e mirë për mesfushorin e Kombëtares shqiptare.

 SHKËLZEN GASHI

 Mesfushori i Grasshoperit dhe i Kombëtares shqiptare, Shkëlzen Gashi, shënoi një gol mjaft të bukur në fitoren 5-1 kundër St. Gallenit. Kristian Nushi i St.Gallenit u ndëshkua me karton të kuq.

  Meha, i lindur për supergola

 Alban Meha nuk ka të ndalur. Mesfushori i kombëtares shqiptare shënoi golin e dytë të ndeshjes në fitoren e thellë 4-0 të Paderbornit kundër Arminia Bielefeld, takim i vlefshëm për Bundesligën 2 gjermane. Meha shënoi golin e dytë të takimit, teksa mori një top të gjatë nga mbrojtja në krahun e majtë të mesfushës ku ai ndodhej, dhe, pasi ndaloi topin në të hyrë të zonës, 27-vjeçari hyri drejt qendrës dhe me goditjen e tij të mrekullueshme e dërgoi topin në rrjetë. Me këtë fitore Paderborn, edhe pse me një ndeshje më shumë se Kaizerslautern i vendit të katërt, ngjitet në vend të tretë, pozicion që të çon në ndeshje “play-off” për të hyrë në Bundesligën e parë. Ky ishte goli i 6 i Mehës në 13 ndeshje për Paderborn këtë sezon, ndërsa “snajperi” ka dhuruar dhe 3 asistë.