Tirana-Flamurtari, sot për një futboll ndryshe

570
Sigal

Luhet sot ndeshja e parë e javës së 20-të të Superligës, me Tiranën dhe Flamurtarin që hapin serinë e takimeve

Kampionati shqiptar ndodhet aktualisht në një rrëmujë të “qëndrueshme”, ku pothuaj të gjitha skuadrat janë përfshirë në një prej skandaleve më të mëdha të paracaktimit të rezultateve në Shqipëri, ku janë gjashtë ekipe që do të hetohen nga Komisioni i Etikës pranë FSHF të hënën e ardhshme, por deri atëherë skuadrat, “jo edhe aq të qeta”, do të shkojnë për të luajtur ndeshjet e javës së 20-të. Kalendari i kësaj jave hapet me ndeshjen shumë të fortë mes Tiranës dhe Flamurtarit, ku secili klub do të përpiqet në një mënyrë a në një tjetër që të fitojë jo vetëm ndeshjen, por edhe simpatinë tek tifozët, duke parë që këto kohët e fundit ra ndjeshëm besueshmëria tek skuadrat e Superligës.

Kokë për kokë: Gjatë gjysmës së parë të kampionatit, Tirana është treguar më e saktë, ku ka arritur të fitojë një ndeshje me rezultatin 1-0 dhe barazuar një tjetër me rezultat të bardhë. Statistikat flasin në favor të skuadrës tiranase që është shumë më përpara në renditje sesa vlonjatët, duke krijuar një nxitje më të madhe për kuq e zinjtë e Superligës, ndoshta për t’i kujtuar kryeqytetasve datën 16.03.2013 ku e fituan me rezultatin 6-3.

Zhurmuesit: Shumë zhurmë për shumë gjë është rasti i trukimeve “superiore” të dyshuara kohët e fundit, e zhurmuesit janë si kambana alarmi për Flamurtarin që është skuadër nën hetim nga Komisioni i Etikës pranë FSHF, duke rritur kështu presionin tek ekipi, jo vetëm drejtuesit por edhe tek futbollistët. Nga ana tjetër, kemi një Tiranë që nuk është prekur nga kjo anë, nisur nga fakti se nuk u vunë re shkelje të këtij apo atij tipi që ta përfshinin edhe këtë klub me “shumicën”.

“Elbasan Arena”: Lëvizje pa fund për Tiranën, e kjo vjen kur stadiumi nuk është gati. Skuadra bardh’ e blu është e detyruar që të “shtegtojë” sa në një stadium në tjetrin për ndeshjet që luhen brenda në shtëpi, pasi stadiumi “Qemal Stafa” nuk është gati për të pritur ndeshje pasi fusha sapo është shtruar. Një javë më përpara, Tirana duke pasur përsëri ndeshjen në shtëpi, u drejtua drejt Durrësit që të zhvillonte takimin me Apoloninë, të cilin e fitoi 2-0.

Blerjet e reja: Në qoftë se duam të përmendim një emër futbollisti që bëri bujë me kontratën që nënshkroi, padyshim që do ishte Gjergji Muzaka, që u rikthye tek ish skuadra e tij në kohën më të përshtatshme të mundshme, ku si Muzaka ashtu edhe Tirana janë në kërkim të titullit kampion, diçka shumë e dëshiruar për të dy palët. Nga ana tjetër, Flamurtari goditi në shenjë para dy ditësh kur nënshkroi kontratë me futbollistin e natyralizuar si francez, Bedi Buval, që ka luajtur në shumë shtete dhe ekipe të njohura. Pozicioni i qendërsulmuesit që mbulon do ta ndihmojë shumë skuadrën e Flamurtarit, ndërkohë po dje u bë e kryer edhe zyrtarizimi i Bicajt tek Flamurtari, e edhe kjo cilësohet si një blerje e fuqishme në kampion vlonjat.

Ndeshjet e nesërme: Takimet interesante të javës plotësohen edhe me skuadrat e tjera, ku Kukësi pret në shtëpi skuadrën e Elbasanit, e kjo pritje është vetëm për të mundur elbasanasit, pasi çdo rezultat tjetër do të ishte i papranueshëm për kuksianët. Ndërkohë kalendari vazhdon të mbushet me ndeshjen mes Teutës dhe Vllaznisë, ku të dyja skuadrat janë “nën hetim”, por në rastin e Teutës ndodhet edhe nën presionin e vazhdueshëm të çdo qarku, qoftë mediatik apo hetimor. Partizani do të udhëtojë drejt Fierit ditën e nesërme për të “peshkuar” 3 pikëshin e parë për vitin 2015, pasi nuk është se mund të priten shumë surpriza nga fierakët. Ndeshja e fundit e kësaj jave vë përballë Skënderbeun me Laçin, ku korçarët ndodhen përballë një vështirësie me mungesën për një kohë të gjatë të Olajinkas që u pezullua nga Apeli pranë FSHF me 4 muaj qëndrim jashtë çdo aktiviteti sportiv.

 Dëmtimi i Majlinda Kelmendit, 5 muaj larg parketit

Xhudistja më e mirë e botës, Majlinda Kelmendi, pësoi një dëmtim të keq në gju, gjatë stërvitjes, pak kohë më parë, duke e detyruar sportisten që të ndërmarrë një operacion në gjurin e dëmtuar, operacion që sipas deklaratave të trajnerit të vetë sportistes, do ta mbajë këtë të fundit pesë muaj larg parketit. Vetëm pas këtyre muajve dhe një faze rikuperimi të mëvonshëm, do të mundet xhudistja numër një në botë që t’i rikthehet stërvitjes për tu përgatitur edhe për të qenë gati në Olimpiadën e “Rio 2016” në Brazil. Kelmendi, për vetë aftësitë e treguara, shihet si shpresa e Kosovës në Lojërat Olimpike për të arritur një medalje në një nga sportet që mund të marrin pjesë.

  Ditmar Bicaj i thotë PO Flamurtarit, lë skuadrën iraniane

Rikthehet në Shqipëri mbrojtësi Ditmar Bici, i cili pas katër  muajsh tek skuadra e Traktor në Iran, ka hedhur firmën tek Flamurtari, me një kontratë për dy vite e gjysmë. Mbrojtësi lezhjan ka luajtur në shumë skuadra të Superligës më përpara, si tek Kukësi, Skënderbeu dhe Tirana, për të bërë edhe një udhëtim tjetër tek ekipi vlonjat. Kishte ditë që qarkullonin fjalë për rikthimin e futbollistit në Superligë, por vetëm ditën e djeshme  u hodh firma nga të dy palët. Ditët e fundit të merkatos kanë qenë shumë të lëvizshme për ekipin vlonjat, ku vetëm dy ditë më parë zyrtarizuan edhe blerjen e një sulmuesi francez, Bedi Buval, duke e bërë edhe më të plotësuar përbërjen e skuadrës së Ramelës.

 Federata Italiane e Futbollit zgjedh Igli Taren si drejtorin sportiv më të mirë të 2014-ës në Itali

 Në një përzgjedhje të bërë nga vetë Federata Italiane e Futbollit, Igli Tare rezulton si drejtori më i mirë sportiv në Serie A, ku ka marrë me shumicë votash një përzgjedhje të tillë, duke e vlerësuar më së shumti për punën që bën me klubin e tij, Lacio, por edhe mënyrën se si punon, ku nuk është përmendur asnjëherë për veprime antisportive, siç mund të ketë disa të tjerë. Sigurisht që kriteri për këtë zgjedhje është edhe aftësia që ka çdo drejtor sportiv që të sjellë në skuadër elementë të rinj që ndikojnë në përmirësimin e mëtejshëm të ekipit.

 Olsi Teqja: Marrim pikë në Korçë

Mesfushori i skuadrës laçiane, i pyetur në lidhje me ndeshjen e kësaj jave me Skënderbeun është shprehur se nuk do të dalin pa pikë nga stadiumi i Korçës, stadium që kanë gjetur gjithmonë vështirësi për të marrë pikë. “Këtë radhë besimi është shumë i madh. Kemi lënë pas barazimin ndaj Partizanit dhe po mendojmë për sfidat e ardhshme. Do luajmë katër ndeshje shumë të vështira në këtë muaj. E fillojmë me Skënderbeun në transfertë, dy përballjet me Partizanin në kupë, dhe ndeshjen në shtëpi ndaj Kukësit. Do bëjmë gjithçka për t’i fituar këto ndeshje. Për trajnerin i gjithë grupi i lojtarëve do jetë i gatshëm”