Tirana e “kontradiktës”, fiton trofeun e dytë në futbollin shqiptar

534
Nga Agron KAJA
KUPA E 65-të E SHQIPËRISË/ Finalja kërkoi më shumë se 90 minuta për një fituese “bardheblu”, korçarët shuajnë ëndrrën e Evropës për Luftëtarin
Jo vetëm për Tiranën, por në gjithë historinë e futbollit shqiptar, nuk mbahet mend që një skuadër, e cila ka zbritur një kategori më poshtë nga elita, të fitojë Kupën e Shqipërisë. E këtë e bëri Tirana dje në mbrëmje në “Elbasan Arena”, ndaj një Skënderbeu që duket se me këtë trofe nuk i ka “marrëdhëniet” të mira. Ka qenë një finale, e cila në letër i favorizonte korçarët, jo vetëm se janë skuadra kampione e sezonit të kaluar dhe u renditën të tretët në sezonin që u mbyll, por edhe për faktin se Tirana zbriti në Kategorinë e Parë. Paradoks, dhe rikujtojmë këngën “Tirona jonë… Tironë e kontradiktës”, e cila në këtë rast është plotësisht e saktë. Por, kjo ka qenë edhe një finale e braktisur nga tifozët “Fanatiks” të Tiranës, të cilët kanë shkaktuar trazira në stadium. Në mesditën e djeshme ata kanë protestuar para bashkisë së Tiranës kundër Presidentit Refik Halili, ndërkohë që në minutën e 23-të të ndeshjes kanë hedhur tymuese në stadium dhe për tre minuta loja u ndërpre. Më pas, pjesa më e madhe e tyre u larguan nga shkallët e stadiumit, duke e bërë edhe më të paqartë qëndrimin që do të mbajnë në vazhdimësinë e skuadrës së Tiranës në Kategorinë e Parë. Gjithsesi, kronika e lojës nisi me presion nga Skënderbeu, që dukej i paqartë për të shënuar. Këtë e bëri Tirana me Edeh në minutën e 20-të, duke e bërë edhe më të dyshimtë synimin e Skënderbeut për të fituar për të parën herë në historinë e tij këtë trofe të futbollit shqiptar. Pjesa e parë, por edhe e dyta, janë nën presionin e Skënderbeut, por gjithmonë në gabimet e pasaktësitë e futbollistëve të tij për të gjetur golin, të cilin vetëm në minutën e 85-të mundën ta shënonin. Gjuajtja diagonale e Radasit jashtë zonës së Tiranës parakaloi disa futbollistë e përfundoi në rrjetë, një barazim që vetëm për 90 minutat ishte i tillë. Në dy shtesat nga 15 minuta, Tirana ishte më e qartë, më e saktë dhe më racionale në gjithçka në lojën e saj, e për pasojë erdhën dy golat e fitores. Në minutën e 103-të, Merveil arrin të çojë topin drejt portës korçare, portieri Shehi e devijon, duke e kaluar te këmbët e Moise, dhe ky nuk e ka të vështirë ta shënojë golin e dytë. Një gol që e bëri Skënderbeun të mendojë se edhe këtë herë Kupa nuk është “dashuri” për ta, sepse 10 minuta më pas, Jashanica shkakton penallti, pas ndërhyrjes së gabuar të tij ndaj Dajës. Merveil thellon diferencën për bardheblutë me një gjuajtje të saktë nga pika e bardhë, e kështu shënohet paradoksi i parë në futbollin shqiptar: Zbret një kategori më poshtë, fiton Kupën e Shqipërisë, trofeun e dytë më të rëndësishëm në futbollin shqiptar! Kjo është Tirana e sezonit 2016-2017, Tirana e Kontradiktës.
E mërkurë 31 maj 2017, ora 19:00, në stadiumin “Elbasan Arena”, ndeshja finale e Kupës së Shqipërisë
SKËNDERBEU-TIRANA 1-3
Shënues: Radas 85’/ Edeh 20’, Moise 103’, Mervill 113’ (p)
SKËNDERBEU (1-4-3-3): Shehi, Vangjeli, Jashanica, Radas, Mici (Idrizaj 63’), Nimaga, Muzaka, Xhejms, Latifi (Gripshi 79’), Gavazaj (Karimi 79’), Plaku. Trajner: Ilir Daja
TIRANA (1-4-2-3-1): I. Lika, Doka (Halili 83’), Teqja, Turtulli, Hoxhallari, Akua, Karabeci, Kërçiku, G. Lika (Daja 63’), Merveil, Edeh (Moise 80’). Trajner: Mirel Josa
GJYQTAR: Kridens Meta (Tiranë)
KARTONËT: KV: Vangjeli/ Edeh, Halili, Hoxhallari
MINUTA TË VEÇANTA
3-6’ Minutat e para janë të gjitha për Skënderbeun që ka kontrollin e topit, por për momentin nuk arrin t’i afrohet zonës së Tiranës për të rrezikuar katërkëndorin e Likës.

20’ GOL Tirana 0-1. Aksioni i parë i rrezikshëm i Tiranës, ku sulmuesi Edeh e gjen mbrojtjen korçare në rreshtim të gabuar. Me një diagonale nga krahu i djathtë, topin e dërgon në rrjetën e portierit Shehi. 

24’ Ndeshja ndërpritet, tifozët e Tiranës kanë hedhur një sasi të madhe tymuesesh blu dhe fillojnë të braktisin shkallët e stadiumit. Policia shton vëmendjen tek lëvizjet e tyre.

32’ Në harkun e 60 sekondave, janë dy mundësi për skuadrat. Së pari është Gilman Lika për Tiranën që me një diagonale e kalon topin ngjitur me shtyllën e majtë të Shehit, e më pas, situata zhvendoset shpejt në anën tjetër. Plaku godet brenda zonës dhe vetëm grushtimi i Ilion Likës e shpëton nga prekja e rrjetës.

36’ Skënderbeu ka rast goli me Plakun. Gavazaj e gjen të lirë në zonë, por gjuajtja e tij grushtohet nga portieri Lika.

51’Edhe pse Skënderbeu bën presion e dominon në lojë, Kërçiku i Tiranës lëviz bukur në krahun e djathtë, jep një top në qendër për Edeh, por ky nuk arrin të gjejë rrjetën e dytë.

77’ Tirana pranë golit, por Shehi është i gatshëm dhe pret topin e gjuajtur nga Daja.
85’ GOL Skënderbeu 1-1. Barazon Radas nga një goditje dënimi, e kalon topin mes këmbëve të të gjithë futbollistëve në zonën e Tiranës, dhe rrjetë. 
90’+4′ Mbyllet pa fitues koha e rregullt, nevojiten shtesat 2X15 min për të përcaktuar se kush do të jetë fituese e Kupës së Shqipërisë.
99’ Portieri i Tiranës gabon në daljen e tij, Xhejms e Vangjeli nuk gjejnë momentin e duhur për të shtyrë topin në rrjetën e bardhebluve. Rast i humbur.
103’ GOL Tirana 1-2. Në një aksion nga e djathta, Merveil arrin të çojë topin drejt portës korçare, portieri Shehi e devijon, duke e kaluar te këmbët e Moise, dhe ky nuk e ka të vështirë ta shënojë golin e dytë. 
113’ GOL Tirana 1-3. Penallti, Daja pengohet në zonë nga Jashanica, Merveil thellon diferencën për bardheblutë me një gjuajtje të saktë nga pika e bardhë. 
Finalet Skënderbeu-Tirana
Datë 14 mars 1976
17 Nëntori-Skënderbeu 3-1
Datë 21 mars 1976 
Skënderbeu-17 Nëntori 1-0
Datë 17 maj 2012 
Tirana- Skënderbeu 1:0
Datë 31 maj 2017 
Skënderbeu-Tirana 1-3
Ndeshje 4, Fitore Tirana 3, 
Fitore Skënderbeu 1, 
Golavarazhi 7:3 për Tiranën
Fituesit e Kupave
Tirana 16 herë
Partizani 15 herë
Dinamo 13 herë
Vllaznia 6 herë
Flamurtari 4 herë
Teuta 3 herë
Elbasani 2 herë
Besa 2 herë
Laçi 2 herë
Apolonia 1 herë
Kukësi 1 herë
Si u përzgjodh Kridens Meta “bilbili” i finales
Deri ditën e djeshme në mesditë, në ambientin mediatik sportiv në Shqipëri, përflitej se ndeshjen finale të Kupës së Shqipërisë, Skënderbeu-Tirana, do ta drejtonte një arbitër i ri, Juxhin Xhaja. Por, ky mbeti vetëm favorit në letër, sepse në fund Komiteti i Arbitrave ka vendosur për Kridens Metën, anëtar i Kolegjiumit të Gjyqtarëve të Tiranës. Në finalen e djeshme

Gjatë sezonit që u mbyll, Kridens Meta nuk u ka shpëtuar edhe kritikave për arbitrimet e tij, ku në qendër të vëmendjes ka qenë ndeshja Vllaznia-Partizani 1-1, në Shkodër. Në atë sfidë, Meta nuk akordoi dy penallti të pastra për Partizanin, që mund të kishte ndryshuar rezultati në favor të skuadrës së kuqe.
“Tirona Fanatics” 
Kërkesë Kryetarit Veliaj: Hiqja aksionet Refikut!
Paraditja e djeshme ka qenë e “nxehtë” edhe në ambientet para Bashkisë së Tiranës, në kohën kur brenda ndërtesës së saj zhvillohej mbledhja e Këshillit Bashkiak. Një grupim i tifozëve “Tirona Fanatics”, kanë organizuar një protestë, duke i kërkuar kryebashkiakut Erion Veliaj, që të mbajë qëndrim për rënien e skuadrës së Tiranës, nga Kategoria Superiore në Kategorinë e Parë. Ultrasit bardheblu i kanë kërkuar publikisht Kryebashkiakut të Tiranës, që të shfuqizojë akordin me presidentin e FK Tirana, Refik Halili, për t’i hequr atij aksionet dhe drejtimin e këtij të fundit. Dhe më pas ata i janë drejtuar Elbasanit, ku kanë qenë të parët që u shfaqën në qytet, e më pas në stadium. Rreth orës 17:30 ata “bllokuan” biletarinë e stadiumit, të shoqëruar nga brohoritjet në kor në mbështetje të skuadrës. Ndërsa tifozët e Skënderbeut kanë qenë shumë më të pakët dhe më të qetë para sfidës së djeshme.
Biletat dhe tymueset, këto “hallakatën” tifozët
Për ndeshjen e djeshme finale të Kupës së Shqipërisë, Skënderbeu-Tirana, biletat dolën në shitje që ditën e hënë, datë 29 maj. Duke iu referuar çmimeve të tyre, dje hyrja e tifozerisë nuk ka qenë aq e lehtë, pasi në disa zona, ajo kushtonte 1 mijë lekë të reja, një çmim që për tifozerinë shqiptare në ndeshje të tilla është i papërballueshëm. Gjithsesi, duke sfiduar çmimet, e më pak motin e nxehtë, korçarët e tiranasit e kanë bërë edhe më tërheqëse finalen e djeshme që u luajt në stadiumin “Elbasan Arena”, realisht deri në minutën e 21-të kur filluan të braktisin shkallët e stadiumit. Më parë ata e kanë ndezur “Elbasan Arenën”, duke ndalur ndeshjen për 3 minuta, pak pasi Edeh shënoi golin e avantazhit në minutën e 21-të. Një parullë gjigante: “Paaftësia juaj na bën me vjellë, nuk mbulohet turpi me një Kupë pa vlerë”, u duk si arsyeja e largimit të tyre nga shkallët e stadiumit, duke mbetur një pjesë e vogël.
Historia e skuadrave në finalen e “Elbasan Arena”

TIRANA
Pjesëmarrëse: 65 edicione
Në çerekfinale: 52 herë
Në gjysmëfinale: 34 herë
Në finale: 23 herë
Fituese: 16 herë
Bilanci: 529 ndeshje, 264 fitore, 89 barazime, 85 humbje.
Golat: 858:370
Ndeshje me Skënderbeun: 13
Bilanci: 10 fit, 3 bar, 0 humb, gol 23:6
Rezultati i kualifikimeve: 6-0
Në turin e parë: Me Sopotin, 1-1 / 7-0
Në turin e dytë: Me Luftëtarin, 4-1 / 1-0
Në turin e tretë: Me Kukësin, 2-1 / 0-0
Në turin e katërt: Me Besëlidhjen, 1-1 / 2-0
SKËNDERBEU
Pjesëmarrës: 61 edicione
Në çerekfinale: 30 herë
Në gjysmëfinale: 13 herë
Në finale: 4 herë
Fitues: asnjëherë
Bilanci: 343 ndeshje, 148 fitore, 76 barazime, 118 humbje, gol. 513:427
Ndeshje me Tiranën: 13
Bilanci: 0 fit, 3 bar, 10 humb. Gol. 6:23
Rezultati i kualifikimeve: 0-6
Në turin e parë: Me Butrintin, 1-1 / 8-0
Në turin e dytë: Me Apoloninë, 1-1 / 3-0
Në turin e tretë: Me Laçin, 1-1 / 1-0
Në turin e katërt: Me Teutën, 1-0 / 1-0
Sigal