Tirana e gdhin në krye, mjafton një gol ndaj Flamurtarit

431
Sigal

Ndeshja hapëse e javës së 20-të u mbyll me fitoren e bardh e bluve, duke u vendosur në krye të tabelës

Një ndeshje që ishte në fije të perit që të mos luhej, një herë për arsye se forcat e policisë së Elbasanit nuk merrnin përsipër që të ishin të pranishëm gjatë zhvillimit të ndeshjes, duke e sjellë situatën në një gjendje shumë të koklavitur, ndërkohë që arsyeja tjetër që mund të sillte anulimin e këtij takimi ishte një rast shumë fatkeq, ku vëllai i presidentit të Tiranës, Refik Halilit, humbi jetën si pasojë e një aksidenti. Nisur nga kjo, përpos ngushëllimeve, skuadra e Flamurtarit ishte e gatshme që të shtyhej ndeshja në një tjetër ditë, kjo në respekt të dhimbjes që ka prekur familjen Halili. Por asnjë nga këto nuk e ndaloi zhvillimin e ndeshjes ku në fund të saj, tre pikët kaluan në favor të Tiranës. Kjo ndeshje pa të hapeshin dyert e “Elbasan Arena” për herë të parë pas dy muajsh, për shkak të dhunës që u shfaq në këtë stadium gjatë ndeshjes Elbasani-Tirana. Duke u ndalur tek ndeshja e djeshme, që filloi me një minutë heshtje në nderim të kujtimit të vëllait të presidentit Halili, minutat e para ishin me një ritëm të lartë loje dhe që u përkthyen në disa raste të mira shënimi, por pa gola. Me kalimin e minutave të para, ndeshja u bë disi më e qetë dhe e ekuilibruar, ku rasti më i mirë për shënim ishte për Tiranën, me anë të Bakaj. Pjesa e dytë nisi përsëri e qetë, me Tiranën që ishte më agresive dhe e kërkonte më shumë golin, por pa mundur që të gjente rrjetën. Duhej të vinte minuta e 85-të kur Ndikumana do të gjente rrjetën pas një aksioni personal, që edhe pas përpjekjeve të portierit Lika, përsëri topi u fut në kuadrat. Në minutat e fundit, pavarësisht përpjekjeve të Flamurtarit, rezultati qëndroi i pandryshuar, për tu mbyllur me 1-0. Kjo fitore e vendos Tiranën në vendin e parë, që do ta gëzojë deri sa të mbarojnë takimet e tjera, por mund të qëndrojë edhe për gjithë javën, nëse ekipet tjera, Kukësi dhe Skënderbeu, dështojnë që të fitojnë.

Takimet që do të luhen sot:  

Kukësi-Elbasani: Nuk pritet që të ketë surpriza sa i takon kësaj ndeshje ku fituesit e vetëm, nëse duan që të shpallen kampion, shihet të jetë skuadra e Kukësit. Nuk ruan vështirësi të madhe për kryesuesit aktual takimi me Elbasanin ditën e sotme, ku për hir të së vërtetës elbasanasit nuk është se kanë treguar gjatë gjithë sezonit se mund të jenë “rrezik” për skuadrat e tjera, e sidomos skuadrat e kreut.

Teuta-Vllaznia: Kjo ndeshje është më shumë ndeshje nervash nga të dy palët, ku të dyja skuadrat janë të përfolura për paracaktim rezultatesh në takimet që u luajtën javën e 19-të të kampionatit. Të dy skuadrat vijnë pas humbjeve me të njëjtin rezultat, 2-1, ndërkohë në paraqitjet e përgjithshme ka qenë Vllaznia ajo që është paraqitur në një formë shumë më të mirë se kundërshtarja e sotme. Duke u marrë pak me zhvillimet e fundit, situata tek Vllaznia është në fakt paksa kaotike, ku ka shumë futbollistë që janë larguar nga klubi, duke e lënë skuadrën në një gjendje amullie.

Apolonia-Partizani: Një ndeshje e rëndësishme për të dyja skuadrat, por për Partizanin fitorja është e domosdoshme, pasi me barazimin e javës së shkuar humbi goxha terren ndaj tre ekipeve të tjera. Nga ana tjetër, Apolonia vjen pas një humbjeje ndaj Tiranës, duke e rënduar edhe më situatën në fundin e tabelës. Pavarësisht të gjithave, skuadra fierake nuk ka potencialin që të “zgjohet” pikërisht ndaj Partizanit, por gjithsesi përgjigjet më mirë do të jepen në fushë, nga të dy skuadrat.

Skënderbeu-Laçi: Pa dyshim ndeshja më e fortë e ditës së sotme, ku korçarët kërkojnë tre pikëshin e radhës në këtë fazë të tretë, por sigurisht që kundërshtari nuk është i kalibrit të Elbasanit. Sot, në këtë takim është i pranueshëm çdo rezultat, që nga fitorja e vendasve apo e miqve e deri tek barazimi. Laçi në fakt ka treguar shpeshherë këtë sezon se mund të jetë një skuadër shumë e vështirë për tu mundur, si kur luan në stadiumin e vet por edhe jashtë stadiumit.

Dje

Tirana 1-0 Flamurtari

Sot

Kukësi-Elbasani

Teuta-Vllaznia

Apolonia-Partizani

Skënderbeu-Laçi

 

Humb jetën vëllai i presidentit të Tiranës,

Ka humbur jetën dje në një aksident tragjik Agron Halili, vëllai i presidentit të Tiranës, Refik Halili. Kjo ngjarje tragjike ka ndodhur pak orë para zhvillimit të ndeshjes mes Flamurtarit dhe Tiranës, duke bërë që klubi vlonjat t’i ofrojë klubit bardh e blu, e në veçanti presidentit Halili, anulimin e ndeshjes për ta luajtur në një tjetër ditë. Kjo gjë nuk është pranuar nga presidenti tiranas, duke bërë që ndeshja të zhvillohej. Para fillimit të takimit u mbajt një minutë heshtje në nderim të kujtimit të Agron Halilit, ku të gjithë u bashkuan, pa zë, që të jepnin ngushëllimet e tyre.

 Nuri “Tajson” Seferi: Fitoj sot ndaj polakut Glovackin

Boksieri shqiptar, Nuri Seferi, i cili ndeshet sot në Poloni ndaj boksierit polak Glovackin, ka premtuar një fitore të tijën për të gjithë shqiptarët duke thënë se edhe pse nuk luan në vendin e vet, përsëri do të arrijë që të fitojë. Në rast fitoreje ndaj polakut, do të afrohej një hap më shumë drejt ndeshjes me gjermanin Huk, për titullin botëror të peshës “cruiser”. Edhe pse takimi i sotëm luhet në Poloni, pritet që të ketë shumë mbështetës për Seferin, si shqiptarë edhe të huaj, diçka që e ka pranuar edhe vetë boksieri në fjalë duke thënë: “shumë tifozë do të vijnë të më mbështesin, si shqiptarë edhe të huaj, ndërkohë unë do të bëj maksimumin për të mos zhgënjyer tifozët e mi dhe premtoj që do t’i shkaktoj humbjen e parë Glovackinit, që ka 23 ndeshje që është i pathyer”. Ndeshja zhvillohet sot në orën 19:30, ku pritet që shikueshmëria të jetë e madhe.

 Ferrari prezanton “bishën” e 2015-ës për F1, SF15-T

Ferrari ka bërë të ditur për publikun pamjen e makinës së garimit në Formula 1 për vitin 2015. Prezantimi i djeshëm u bë përmes internetit, duke qenë se drejtori i ri në detyrë i Ferrarit e cilësoi si humbje kohe prezantimin e makinës drejtpërdrejtë me gazetarët. Makina e këtij viti, SF15T, nuk ka shumë ndryshime me makinën e vitit të shkuar, përveç tek pjesa e hundës që është ndryshuar, duke hequr atë pamjen e vjetshme që bëri të shëmtuar çdo makinë nga paraqitja, në çdo skuderi.

 Australian Open, Djokovic mund Vavrinkan, në finale e pret Murray

U luajt dje gjysmë finalja e meshkujve në Australian Open mes serbit Djokovic dhe zviceranit Vavrinka, ku në një ndeshje prej 5 setesh, serbi ia doli që të fitonte atëherë kur duhej, në setin final me rezultatin 6-0. Tani vëmendja kalon e gjitha tek finalja që do të luhet të dielën ku përballë do të jenë dy njohje të vjetra ku serbi do të presë Murray-n. ndërkohë që sot do të luhet finalja e femrave mes S. Ëilliams dhe Maria Sharapova, ku sigurisht më e kuotuar për të fituar është amerikania, falë edhe formës së saj aktuale.

Shpëtim Duro: Vetëm 3 pikët janë rezultat pozitiv ndaj Apolonisë

Ndeshja me Apoloninë ndoshta nuk shihet aq e vështirë në letër për Partizanin, por në fushë situata mund të ndryshojë nga çasti në çast dhe këtë nuk ngurron ta pohojë as trajneri i Partizanit, Duro: “Në Fier na pret një ndeshje e vështirë. Synimet tona dhe të Apolonisë dihen tashmë. Kam besim te ky grup lojtarësh dhe cilësitë e tyre. Mobilizimi për këtë ndeshje është maksimal .Synimi është marrja e tre pikëve. Fieri po tregon rritje në lojën e saj dhe çdokush që do përballet nuk do ta ketë të lehtë ti marrë pikë”. Trajneri u ndal të fliste pak edhe për lëshimet e mundshme që mund të bëjnë skuadrat gjatë ndeshjeve dhe për ecurinë e ekipeve kundërshtare: “Ecuria e ekipeve të tjera nuk na intereson, por ne duhet të shohim vazhdimësinë tonë dhe të marrim maksimumin në çdo ndeshje, pa nënvlerësuar asnjë kundërshtar. Rreziku për tolerim nga ana e ekipeve që mund të bien nga kategoria ekziston dhe është e pa shmangshme, por shpresoj që mos të ketë të tilla lëshime”.

Abrashi mund t’i bashkohet Torinos, e kërkon trajneri Ventura

Amir Abrashi, një nga futbollistët më të mirë në Zvicër dhe një nga futbollistët më të mirë të Kombëtares shqiptare, kërkohet me ngulm nga trajneri i Torinos, Ventura. Mesfushori i talentuar ka kontratë me skuadrën zvicerane të Grasshopersit deri në fund të këtij sezoni, duke e bërë më të lehtë si transfertë, nëse ekziston edhe vullneti i palëve. Për skuadrën zvicerane, Abrashi caktohet si një nga futbollistët kyç, e largimi i tij do të thoshte një humbje e madhe për ekipin, por shitja është zgjidhja më e mirë e mundshme, për të mos u lënë që të largohet me parametra zero. Aktualisht tek skuadra torineze ndodhet edhe Migjen Basha, por që nuk po kalon formë shumë të mirë, për shkak edhe të dëmtimeve që ka pësuar. Torino ndodhet në vendin e 13-të të renditjes dhe këtë sezon është paraqitur shumë mirë në kampionatin italian.