Tirana dhe Teuta rrisin rivalitetin e Kupës së Shqipërisë

594
Tirana dhe Teuta e kanë rritur rivalitetin në maksimum në Kupën e Shqipërisë në not. Ka ndodhur kështu pasi duket se këto skuadra, si për meshkuj, ashtu dhe për femra, kanë dominuar pjesën më të madhe të garave. Janë munduar Stela dhe Nobis, por më së shumti janë paraqitur me notarë të moshës së fëmijë, që gjithsesi në mungesë të notarëve të të rriturve të skuadrave të tjera kanë arritur të dalin fitues. Në Kupën e Shqipërisë janë përfaqësuar tetë ekipe, të cilat ishin Stela, Nobis, Tirana, Uillson, Teuta, Butrinti, Flamurtari dhe Partizani. Ajo që ka rënë në sy edhe të specialistëve të notit, që në një farë e mënyre e pranojnë si fakt, ka qenë numri i pakët i pjesëmarrësve edhe pse Kupa e Shqipërisë është në nivelin e të rriturve. Sepse masiviteti më i madh është tek fëmijët, po pse jo dhe tek kampionati i të rriturve dhe të rinjve, që do të jetë në ditët e para të shtatorit. Përgjithësisht një garë e mirë, e cila shpresohet të jetë e tillë edhe në ditën e dytë. Një garë e ndjekur me vëmendje të madhe nga presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, dhe sekretarja e përgjithshme e Federatës Shqiptare të Notit, Suela Haxhija. Dhe përtej ndonjë reduktimi të garave, ndërsa janë hequr stafetat 4×50 metra stil i lirë, ndërsa janë shtyrë për sot 4×200 metra stil i lirë dhe 4×100 metra stil i përzier, Kupa e Shqipërisë e ka justifikuar veten me atë numër pjesëmarrësish që pati në Pishinën e Akuadromit në Tiranë.

Rekordet 

Gjithsej në ditën e parë janë thyer pesë rekorde. Një është për të rritur dhe kjo i ka takuar Klavio Meçes në 400 metra stil i lirë me kohën e re 4’07”75. Ndërsa katër janë për fëmijët e moshës 9-10 vjeç. E ka hapur serinë Vivian Xhemollari në 200 metra delfin me kohën 3’12”85. Më pas ka vijuar Sonia Kapedani në 200 metra shpinë me kohën 2’41”06. Fakti është që të dyja këto notare kanë zënë vendin e parë me të rriturit, pavarësisht se rekordet e tyre kanë qenë për fëmijët 9-10 vjeç. Ndërkohë dy rekorde po për këtë moshë kanë ardhur nga Gresi Koxhaku në 200 metra shpinë me kohën 2’51”75 dhe në 100 metra shpinë me kohën 1’22”53. Pra pesë rekorde në ditën e parë, që pritet të shumohen në ditën e dytë sot, garat e të cilit do të zhvillohen në ora 10:00 dhe 17:00.
Notarët me dy fitore 
Kanë qenë të shumtë notarët që kanë fituar nga dy gara dje në ditën e parë të Kupës së Shqipërisë. Kështu ka ndodhur me Klavio Meçen e Teutës në 400 metra stil i lirë dhe 1500 metra stil i lirë. Më pas Kevin Duraku në 200 metra bretkosë dhe 50 metra bretkosë, apo dhe Kenet Libohova i Tiranës në 100 dhe 200 metra shpinë. E duket se rreth këtyre notarëve do të diskutohet dhe kupa për notarin më të mirë për meshkuj. Kurse tek femrat e vetmja notare që ka fituar dy gara ishte Sonia Kapedani. Megjithatë një Kupë Shqipërie për t’u vlerësuar maksimalisht për rivalitetin që prodhon.
Rezultatet teknike të ditës së parë të Kupës së Shqipërisë

Meshkuj

400 m stil i lirë Klavio Meçe (Teuta) 4’07”75
200 m bretkosë Kevin Duraku (Nobis) 2’36”50
200 m delfin Franc Aleksi (Tirana) 2’19”63
100 m shpinë Kenet Libohova (Tirana) 1’06”47
4×100 m stil i lirë Tirana 3’54”81
200 m shpinë Kenet Libohova (Tirana) 2’22”28
100 m stil i lirë Binald Mahmuti (Tirana) 55”82
50 m bretkosë Kevin Duraku (Teuta) 32”25
1500 m stil i lirë Klavio Meçe (Teuta) 16’31”67
Femra
400 m stil i lirë Diana Basho (Tirana) 4’52”91
200 m bretkosë Sonia Kapedani (Stela) 2’58”69
200 m delfin Vivian Xhemollari (Stela) 3’12”85
100 m shpinë Alesia Neziri (Tirana) 1’15”93
4×100 m stil i lirë Teuta 4’35”87
200 m shpinë Sonia Kapedani (Stela) 2’41”06
100 m stil i lirë Nikol Merizaj (Teuta) 1’00”18
50 m bretkosë Kejsi Delli (Tirana) 38”88
1500 m stil i lirë Arsinda Dervishi (Nobis) 19’58”87
Kenet Libohova, një “italian” për Tiranën
Tirana e Arjan Fetishajt ka pasur një notar të “importuar” nga Italia. Është fjala për Kenet Libohovën, që dje ka qenë fitues në dy gara, 100 dhe 200 metra shpinë. Sepse ky është dhe specialiteti i tij. I datëlindjes 1998, Libohova jeton në Udine dhe notin e zhvillon në skuadrat lokale të zonës së Friulit. E megjithatë ka shfaqur cilësi, ndërsa për Fetishajn është një notar që ka ardhur në rritje. “Nuk është hera e parë – thotë Fetishaj – që është këtu. Sepse ka qenë edhe vitin e kaluar, ndonëse rezultatet nuk kanë qenë kaq të mira sa dhe sivjet. Ka parë që mund të bëhet më mirë, ndërsa ka ardhur me një formë në rritje. E tregoi këtë që në garat e marsit në pishinat e mbyllura, ndërsa theu një rekord të Ilir Ymerit. Një notar që mund dhe duhet të jetë surprizë e këtij aktiviteti”. E Libohova, fjalëpak e punë shumë, me dy garat e tij i ka dhënë pikët Tiranës, që sot duhet të jetë fituese e Kupës së Shqipërisë edhe prej tij.
Nikol Merizaj bën provën e Rios në Kupën e Shqipërisë
Nikol Merizaj, përfaqësuesja e notit shqiptar në Lojërat Olimpike “Rio de Zhainero 2016”, e ka bërë provën e saj gjenerale në Kupën e Shqipërisë. E ardhur nga Greqia, atje ku gjendet prej më shumë se sa një vit, ajo ka qenë përfaqësuese e Teutës. E ka ndihmuar këtë skuadër të dalë fituese në stafetën 4×100 metra stil i lirë, ndërsa më pas është fituese vetë në 100 metra stil i lirë. Një formë e mirë, e cila shpresohet të jetë e tillë dhe në Lojërat Olimpike “Rio de Zhainero 2016”. Por ndërsa ka ardhur Merizaj, Sidni Hoxha ende nuk është shfaqur, ndërsa do të jetë përfaqësuesi i dytë i notit shqiptar në Lojërat Olimpike “Rio de Zhainero 2016” i kualifikuar me normën B. Megjithatë ardhja e Merizajt, e cila ka pasur dhe momente diskutimi me presidentin Çiraku dhe sekretaren Haxhiaj, i ka dhënë më shumë bukuri Kupën së Shqipërisë për të rritur.
Gjergj Vyshka
Sigal