Tirana bën “biz” me 11 vende të para, vetëm tre rekorde kombëtare për moshat

533
Nga Agron KAJA
KUPA E SHQIPËRISË/ Në ditën e parë, reshjet e shiut nuk i ndërpresin garat dhe rekordet kombëtare për moshat. Sot zhvillohen garat për ditën e dytë, priten edhe surpriza
Dje startoi Kupa e Shqipërisë në Not, e cila u karakterizua nga lufta e fortë në gara, por edhe nga “lufta” e fortë me motin e trilltë: paradite kohë e nxehtë e me temperatura të larta, ndërsa pasdite kohë me shi, por që më pas ja lanë vendin garave. Duhet thënë se ishte një event, në të cilin notarët dhe notaret vinin pas pushimeve verore, e zakonisht në të tilla raste, vështirësitë e thyerjes së rekordeve kombëtare bëhen edhe më të pamundur. Gjithsesi, duke ju referuar Kryegjyqtarit të garave të Kupës së Shqipërisë, Emin Lishi, vetë rezultatet tregojnë se notarët nuk e kanë shpërfillur programin stërvitor. “Kjo është një periudhë e vështirë për të dhënë më të mirën nga notarët, sepse pjesa më e madhe e tyre vjen pas pushimeve verore. Unë si Kryegjyqtar mendoja se do të ishin rezultate më të ulëta, por jo, të gjitha rezultatet treguan seriozitetin e notarëve dhe të trajnerëve të tyre”. Në fakt, në garat e djeshme, paradite dhe pasdite, u thyen edhe tre rekorde kombëtare, ku spikat notari i Butrintit, Renaldo Serjani, në garat 50 dhe 100 m stil flutur, si edhe Sara Dande e Stelës në garën e 800 metrave, stil i lirë. Për ditën e djeshme, këto rekorde po i quajmë si “qershiza mbi tortë”, sepse nga 20 garat e zhvilluara, 11 prej tyre u fituan nga ekipi i Tiranës, me trajner Arjan Fetishaj. Kur zëri potent i komentatorit, Bashkim Martiri jepte fituesit e çdo gare, Tirana dukej si pikë referimi e vendeve të para, pse jo, edhe e vendeve të tjera të podiumit. Në garat e kësaj Kupe të Shqipërisë, dje u pa një pjesëmarrje normale e skuadrave, 14 të tilla, por që në disa gara, kryesisht në ato të stafetës, kishte edhe dy, tre edhe katër ekipe, ndërkohë që janë tetë korsi garimi. Gjithsesi, ky mund të mbetet momenti për tu parë në këto gara, ndërkohë që sot do të zhvillohen 20 garat e tjera dhe të fundit për këtë event. Nga bashkëbisedimi me trajnerë e notarë, pritet të ketë rivalitet, pse jo edhe rekorde të reja kombëtare, por që prej tyre nuk mundeshin të përcaktoheshin saktë. Gjithsesi, sot, edhe moti duhet të jetë me notarët dhe notaret, të cilët do të japin më të mirën e tyre të fundit për këtë vit, në pishina të hapura. Do të jetë Maratona Mbarëkombëtare ajo që do të mbyllë më 9 dhe 10 shtator sezonin në natyrë, ndërkohë që nga të gjitha garimet e këtij viti, kanë dalë edhe notarët e notaret që do të marrin pjesë në Kampionatin Evropian i Notit (pishinë 25m), i cili do të zhvillohet më 13-17 dhjetor 2017, në Kopenhagën të Danimarkës.
Në garat e djeshme, paradite dhe pasdite, u thyen edhe tre rekorde kombëtare, ku spikat notari i Butrintit, Renaldo Serjani, në garat 50 dhe 100 m stil flutur, si edhe Sara Dande e Stelës në garën e 800 metrave stil i lirë
Sigal