Tifozët shqiptarë sigurojnë “lejen” për praninë në Serbi

510
Sigal

Paraprijnë ish-futbollistët, ndeshje miqësore me Serbinë para kualifikueseve

 Tifozët shqiptar më në fund morën përgjigjën e dëshiruar për të qenë pranë Kombëtares në 14 tetor në Beograd. Federata serbe, e detyruar edhe nga rrethanat, ka vendosur në dispozicion të tifozëve tanë numrin e biletave të caktuara nga rregullorja e UEFA-s, 4% të kapacitetit të stadiumit pra një total biletash prej afro 1500 copë. Federata serbe është shprehur se dëshironte që të zhvillohej ndeshja pa tifozët miq vetëm për të shmangur konfliktet e mundshme që mund të ndodhin gjatë ndeshjes. Gjithashtu janë shprehur se FSHF do të mbajë përsipër përgjegjësinë për tifozët e vet dhe se duhet të bashkëpunojnë për çdo informacion që do të kërkojnë për tifozët udhëtues pasi do të ketë masa të rrepta kontrolli. Në deklaratën e tyre ata kanë përmendur se FSHF duhet të plotësojë të njëjtat kushte dhe të ndjekë të njëjtin parim për tifozët serbë në ndeshjen që do të luhet me 8/10/2015. Për më tepër në deklaratën e tyre kanë shprehur edhe gatishmërinë për të mirëpritur tifozët shqiptar gjithashtu kanë nxitur tifozët vendas që të vazhdojnë të mbështesin kombëtaren e tyre. Në kuadrin e këtij takimi, do të zhvillohet një miqësore mes veteranëve të futbollit tonë dhe atij serb dhe pritet që të luhet me datën 13 tetor, një ditë para ndeshjes së Kombëtares tonë ndaj asaj serbe. Kjo ndeshje pritet të luhet për arsyen e vetme të krijimit të një frymë sa më të paqtë dhe të qetë për tifozët që do të jenë të përfshirë në stadium një ditë më pas. FSHF bën të ditur se është menduar ky aktivitet për të sjellë një frymë harmonie mes tifozëve, pasi mund edhe të ndodhë që kjo ndeshje të luhet shumë edhe në shkallët e stadiumeve, mes tifozëve. Kërkohet që të ulen disi gjakrat dhe të mos nxiten tifozët e të dyja palëve në përkujtesa politike që nuk kanë të bëjnë me sportin e futbollit dhe që shkaktojnë vetëm zemërata për të dyja palët. Nuk është bërë akoma e ditur data e saktë edhe pse flitet për 13 tetor, gjithashtu nuk janë shpallur akoma emrat e futbollistëve që do të marrin pjesë por ndër të tjera janë bërë të ditur çmimet e biletave dhe në krahasim me çmimet tona janë shumë të ulëta pasi fillojnë nga 3 deri në 20 euro.

 Serbia e cunguar në ndeshjen me Shqipërinë

Bëhet e ditur se Neven Subotiç dhe Adem Ljaiç nuk do të jenë në radhët e futbollistëve serbë që do të luajnë ndaj nesh me 14 tetor dhe mungesa e tyre nuk është për arsye dëmtimesh por sepse kështu kanë vendosur vetë futbollistët. Mbrojtësi i Dortmundit, Subotiç, është shprehur se aktualisht dëshiron ti përkushtohet vetëm klubit të tij dhe të mos përfshihet në asnjë ndeshje me Kombëtaren ndërsa mesfushori i Romës, Ljaiç, duket se nuk është thirrur pasi nuk këndon himnin serb, kujtojmë që ky i fundit është me origjinë boshnjake. Në fakt këta dy futbollistë janë ndër më të mirët që Serbia ka dhe mungesa e tyre do të jetë një avantazh për Përfaqësuesen tonë.

 Stadiumi “Elbasan Arena” çdo gjë gati për Kombëtaren

Puna e mirë që është bërë për stadiumin, më në fund po del në dritë. Duket se çdo gjë është gati, që nga fusha, dritat, karriget, dyert dhe fasada e jashtme. Pritet vetëm inaugurimi dhe ne fakt nga FSHF cilësohet jo e përshtatshme që ndeshja e parë që luhet aty të jetë ajo e Shqipërisë me Danimarkën, pasi më përpara duhet të testohet gjendja e stadiumit, që nga bari, dritat e deri tek pjesa e sigurisë, e për këtë mendohet se duhet të luhet më përpara një ndeshje provë. Mendohet se do të jetë një ndeshje miqësore e futbollit të femrave ose ndoshta edhe ndeshja e kësaj të diele mes Elbasanit dhe Apolonisë të shtyhet për të mërkurën, sa më afër datës së ndeshjes kualifikuese. Në ditët në vazhdim pritet që të vijnë edhe përfaqësues të UEFA-s që do të testojnë cilësinë e stadiumit, por me punën që është bërë nuk besohet se do të ketë ndonjë problem nga vëzhgimet e tyre.

  Kampionatet europiane rifillojnë pas “magjisë” Champions

 Pas ndeshjeve të mesjavës për Champions League, kthehen edhe kampionatet më të rëndësishme europiane për të thënë fjalën e tyre në fundjavën e futbollit.

Bundesliga pas një përfaqësimi dinjitoz nga skuadrat e veta në Champions, luan javën e shtatë të saj me ndeshjet më pikante mes Bayen Munchen-Hannover, Leverkusen Paderborn dhe Dortmund-Hamburg. Aktualisht në krye të tabelës qëndrojnë bavarezët që nuk ju lejohet asnjë gabim pasi ndiqen shumë afër me pikë nga M’Gladbach dhe Leverkusen që do ndeshen përkatësisht me Mainzin dhe Paderbornin.

Serie A në javën e gjashtë të saj sjell sfidën e kreut të kampionatit, Juventus-Roma. Dy skuadra që janë në pikë të plota por që në këtë ndeshje në një mënyrë a një tjetër do të lënë pikë, në mos ndaj njëra-tjetrës, ndaj kundërshtarëve. Fitorja ka shumë vlerë për të dyja por duket se Juventus do ndodhet në një pozitë pak më të vështirë pasi e pësoi humbjen e parë të sezonit në ndeshjen ndaj A.Madrid, ndërkohë që Roma mori një barazim ndaj Man.City në transfertë.

Premier League vjen edhe këtë javë me një derbi londinez, ku do të ndeshen mes tyre Chelsea-Arsenal. Një sfidë që vë përballë vendin e parë të renditjes dhe vendin e katërt që është Arsenal dhe në rast fitoreje të këtyre të fundit do e ngushtonin diferencën në renditje me tre pikë. Ndërkohë Man.City do të ndeshet me Aston Villen në një kohë që ‘qytetarët’ kanë vetëm një pikë më shumë në renditje se Aston Villa.

Primeira Division risjell edhe një herë luftën për titull që po bëjnë Barcelona dhe Real Madrid në distancë. Blaugranat kanë një ndeshje relativisht më të lehtë se madrilenët pasi do ndeshen me Ray Vallecano, ndërkohë që të besuarit e Ancelotit do të luajnë kundër Ath.Bilbao, një kundërshtar gjithmonë i rrezikshëm kur luan në shtëpi.