Tifozët braktisin stadiumet, të indinjuar shprehen: “ky nuk është futboll”

490
Skandalet e njëpasnjëshme që kanë përfshirë Federatën Shqiptare të Futbollit, duket se po shtohen në numër dita-ditës. Skandali i fundit lidhet me mungesën e reagimit nga ana e këtij institucioni për disa ndeshje që janë zhvilluar në kampionat, të cilat janë përfolur si të trukuara, ndeshje që janë denoncuar edhe nga presidentë ekipesh. Tregues i qartë i këtij fenomeni në futbollin shqiptar është mungesa e tifozëve në stadiume, të cilët janë shndërruar në “kafaze” bosh, ku të pranishmit për ndjekjen e ndeshjeve të kampionat janë të paktë në numër, kjo për shkak të neglizhencës nga ana e FSHF-së lidhur me qëndrimin e saj për të gjitha dyshimet e ngritura për trupimin e ndeshjeve dhe marrjen e masave për skuadrat që bëjnë lojë të pisët. Siç ndodhi në takimin Kastrioti dhe Bylisi, ku u duk qartë që ishte thjesht një show dhe se FSHF-ja si institucion kompetent nuk mbajti asnjë qëndrim lidhur me këtë fakt. Po ashtu edhe për akuzat e hedhura nga dy klubet e tjera, Skënderbeu dhe Partizani, të cilët shprehën dyshimet për ndeshjen e luajtur në “Qemal Stafa”, ndeshje e cila u fitua nga Partizani me rezultatin 2:1. As për këto dyshime të ngritura nga dy klubet kryesuese të këtij sezoni nuk pati reagim nga ana e FSHF-së. Edhe pse lidhur me trukimet e ndeshjeve në kampionat FSHF-ja është paralajmëruar dhe nga UEFA, përsëri nuk është marrë asnjë masë nga ana e institucionit të futbollit shqiptar për të bërë kontrolle të imtësishme në këtë pjesë dhe për të marrë në konsideratë të gjitha ankesat, përndryshe do të mund të përballet me probleme më madhore, të cilat mund të çojnë deri në përjashtimin e skuadrave shqiptare nga aktivitetet që organizon UEFA. FSHF-ja nuk flet as atëherë, kur gjyqtarët futen në fushë vetëm si protagonistë, duke marrë vendime që në shumicën e rasteve bien në kundërshtim me rregulloren e tyre. “Xhaketat e zeza” janë vënë nën kontroll për të bërë atë që u thuhet, duke shkatërruar “fair-paly”-in me gjykimet e dhëna në kundërshtim të plotë me rregulloren e tyre. As në këtë rast FSHF-ja nuk duket gjëkundi për të marrë masa. Pra për shkatërrimin e futbollit shqiptar nuk mjaftonte vetëm dhuna në fusha apo plot skandale të tjera, të cilat kanë përfshirë futbollin shqiptar ndaj të cilave FSHF-ja është treguar plotësisht indiferente. Tani duhet të përballemi dhe me faktin sesi ndeshjet në futbollin shqiptar trukohen hapur dhe për këtë nuk del asnjë t’i ndëshkojë. Të gjitha këto skandale janë duke e shkatërruar plotësisht futbollin shqiptar çdo ditë e më shumë. Tregues i qartë janë stadiumet boshe, kjo pasi tifozët janë të zhgënjyer me gjykimet e dhëna dhe me marrjen parasysh të ankesave të paraqitura nga klubet respektive rreth dyshimeve për trukimet e ndeshjeve. Siç ishte rasti i Presidentit të Flamurtarit Sinan Idrizi, i cili akuzoi lojtarët e tij, se kishin shitur ndeshjen ndaj Partizanti, ndeshje e cila përfundoi me rezultatin 2:1. Ndeshje, të cilën Idrizi në atë kohë e cilësoi si turpin e radhës në futbollin shqiptar. 
Disa nga ndeshjet e trukuara 
Elbasani-Skënderbeu 1-4
Kukësi-Elbasani 3-0
Laçi-Partizani 3-0
Partizani-Flamurtari 2-1
Kukësi-Flamurtari 4-0
Partizani-Elbasani 4-1

Rregullore e UEFA-as
Neni 4, pika 1/g e rregulloreve të UEFA-s për aktivitetet që organizon, parashikon se klubet duhet të “mos jenë përfshirë direkt apo indirekt që nga prilli 2007 në ndonjë aktivitet që ka si qëllim modifikimin apo influencimin e përfundimit të një ndeshje në nivel kombëtar apo ndërkombëtar, duke ia konfirmuar këtë me shkrim UEFA-s”. Më pas, neni 4, pika 2 e rregulloreve të UEFA-s, parashikon qartësisht se pavarësisht vendimeve të marra nga organet disiplinore vendase apo edhe organet gjyqësore, do të jetë UEFA ajo që do të thotë fjalën e fundit, për të përcaktuar fajësinë apo jo të klubeve në fjalë e si rrjedhojë edhe regjistrimin e tyre në aktivitete ndërkombëtare”.
Sigal