“Tifozat Kuq e Zi” akuzojnë Policinë: “Po na trajtoni si kriminelë ordinerë!”

544
Sigal

 Protesta ndaj bluve: “S’ndodh në asnjë stadium të botës, na duket vetja sikur jemi në burgun e Guantanamos”

Grupimi i më i madh dhe i organizuar i tifozëve shqiptarë, “Tifozat Kuq e Zi”, akuzuan Policinë e Shtetit se, ka ushtruar ndaj tyre një trajtim çnjerëzor dhe aspak dinjitoz. Gjithçka ka ndodhur gjatë ndeshjes miqësore ndërkombëtare Shqipëri-Lituani, të fituar bindshëm 4-1 nga Kombëtarja jonë falë golave të realizuar nga Alban Meha (me një silurë nga rreth 30 metra), Edgar Çani, Migjen Bashë dhe autogoli i lituanezit Palionis. Ndeshja, e zhvilluar në një “Qemal Stafa” tërësisht të amortizuar dhe nën një shi të vazhdueshëm, u ndoq nga tifozët besnikë të kuqezinjve, një pjesë e mirë e të cilëve ishin edhe në “Uleval” të Oslos, atje ku Shqipëria shkroi një nga faqet më të mira të saj të historisë së futbollit. Sjellja e policisë, sipas grupit të tifozëve kuqezinj, ishte e turpshme. Përmes një komunikate publike për mediat, “Tifozat Kuq e Zi” kanë theksuar se ky trajtim tashmë ka kaluar si rutinor. Ata kanë theksuar se, nëse ky trajtim atipik do të vazhdojë të përsëritet, atëherë ata do të marrin vendim që nuk do të ishte në favor të asnjërës palë. Komunikata e plotë: “Tifozat Kuq e Zi (TKZ) kishin bërë përgatitjet e duhura me rastin e ndeshjes miqësore të 26 marsit kundër Lituanisë në Tiranë. Ajo që u pa në transmetimin e ndeshjes ishte vetëm ndeshja e cila nga gëzoi pa masë të gjithë neve. Por prapaskena e kësaj ishte e errët, këtë e themi pasi tashmë është bërë rutinë që policia e shtetit të sillet në mënyrën më arrogante të mundshme me ‘Tifozat Kuq e Zi’.

Kordoni i policëve që krijohet brenda tribunës D1 (karshia majtas) ku vendosen ‘Tifozat Kuq e Zi’, të ngjan me ndonjë oborr të Guantanamos së famshëm (burgut amerikan), gjë e cila nuk ndodh në asnjë stadium të botës. Ne nuk jemi kriminelë ordinerë, por jemi njerëz që udhëtojmë nga të katër anët e copëtuara të Shqipërisë Etnike, që lagemi nga shiu, thahemi nga vapa dhe nuk ikim nga stadiumi, për një ideal të shenjtë, për dy ngjyra që janë oksigjen për neve. Me këtë rast duam të reagojmë fuqishëm ndaj kësaj policie e cila ka kërcënuar edhe me heqjen e flamurit të UÇK-së në rrethojën e stadiumit. Një veprim i pabazuar në asnjë rregullore e FIFAS-s. Kur kjo e fundit është kundërshtuar nga ne, ata kanë kërcënuar me dhune dhe me masa arresti kundrejt drejtuesve tanë. Nëse kryeministri flet për nacionalizëm dhe atij nuk i hyn gjemb në këmbë e kundërta ndodh me popullin i cili privohet nga e drejta e shprehjes! Kjo është dyfytyrësia e policisë shqiptare në të gjitha ndeshjet. Ku shprehja ‘Marr vetëm urdhra, nuk zbatoj rregullore’, është shprehja e tyre më e përdorshme. Para pak kohësh ne kemi mbajtur një takim me Federatën Shqiptare të Futbollit, dhe jemi thellësisht të dëshpëruar që asnjëra nga pikat që kemi kërkuar në drejtim me hyrjen në stadium dhe policinë nuk është plotësuar. Nuk kërkojmë aspak më tepër, së çfarë kanë tifozeritë europiane atë të respektimit të hapësirës sonë dhe mosprezencën e policisë në ambientin tonë duke u bërë shkak i provokimit kryesor në të gjitha ndeshjet. Të qenit të trajtuar si kriminelë ordinerë s’mund ta durojmë dot, në të kundërtën ‘Tifozat Kuq e Zi’ janë të shtrënguar të reagojnë në mënyrën e tyre e cila nuk do jetë mirë për të gjitha palët”, – përfundon komunikata e grupimit më të madh dhe më të organizuar të tifozëve shqiptarë.

De Biazi falënderon tifozët

 Trajneri i Kombëtares, Xhani De Biazi, i përshëndeti të gjithë shqiptarët përmes faqes së tij në rrjetin social “Facebook”, menjëherë pas kthimit të tij në Itali. “Një përshëndetje për të gjithë Ju. Ishin ditë të shumë të lodhshme dhe të mbushura me punë të fortë. Ju falënderoj për mbështetjen tuaj të madhe dhe i vlerësoj shumë komentet pozitive. Po ju lexoj të gjithëve, një nga një dhe Ju falënderoj! Faleminderit! GDB (Xhani De Biazi)”, përfundon komenti i teknikut italian. Shqipëria fitoi 1-0 me Norvegjinë, për kualifikueset e Botërorit 2014 dhe 4-1 në miqësoren me Lituaninë.

HISTORIA

Kur Shqipëria fitonte pjesën e parë 3-0…

 Shumë gola dhe lojë e mirë e Kombëtares të jep kënaqësi, ndonëse është thjesht një miqësore. Kishte kohë që, Shqipëria nuk e mbyllte pjesën e parë në avantazh 3-0. Duke i hedhur një sy statistikave, rezulton se hera e parë ka ndodhur në shkurt të vitit 1993, kur Shqipëria mbyllte pjesën e parë 3-0 ndaj Përfaqësueses së Kosovës (shënonin Eduard Abazaj, Indrit Fortuzi dhe Bardhyl Seferi, autogol). Dhjetë vjet më vonë, në shkurt 2003 fitonim po 3-0 ndaj Vietnamit (miqësore) me dy gola te Florian Myrtaj dhe Alban Bushit. Në gusht 2006, Igli Tare, Ervin Skela dhe Altin Lala vulosnin një 0-3 ndaj San Marinos, në një tjetër miqësore dhe tani tre gola nga këmbët e Alban Mehës, Edgar Çanit dhe Migjen Bashës, të tre lojtare të “erës” së italianit De Biazi. Valdet Rama u bë i pari lojtar që luan për Shqipërinë, që aktivizohet në kampionatin spanjoll, me Real Valadolid.

Jehona ndërkombëtare

 Dy fitoret e Shqipërisë ndaj Norvegjisë (1-0, zyrtare) dhe Lituanisë (4-1, miqësore), kanë bërë jehonë në mediat ndërkombëtare. Portali italian, “Calcio.it”, u ka bërë nga një portret të shkurtër lojtarëve shqiptarë që luajnë në Serinë A, duke filluar me Edgar Çani, Lorik Canën, Samir Ujkanin, Erjn Bogdanin, Migjen Bashën. Vlerësimi për Edgar Çanin: “Nota 6.5 – Ka lavdi edhe për sulmuesin e Katanias, në miqësoren e fituar 4-1 të Kombëtares së tij përballë Lituanisë. Në rastin e golit të tij, pyka shqiptare u nis nga limitet e pozicionit jashtë loje për t’i paraprirë portierit në daljen e tij, duke shënuar me një prekje të lehtë me të djathtën”. Paraqitja e Lorik Canës nuk u vlerësua, për argumentin në fjalë: “Vetëm 19 minuta, kur llogaritë ishin mbyllur. Shumë pak për ta gjykuar”. Migjen Basha u vlerësua me 6.5: “Në një terren të baltosur, në limitet e papraktueshmërisë, bëri një paraqitje shumë të mirë në arenën ndërkombëtare. Në miqësoren kundër Lituanisë, u bë protagonist me një gol më të vërtetë të bukur”. Erjon Bogdani, nota 6: “Për të pak punë, edhe për faktin se ndeshja nuk ishte ndër më prestigjiozët”. Goli i jashtëzakonshëm i Alban Mehës u komentua edhe nga mediat gjermane, sidomos ato afër Padebornit, skuadrës ku luan mesfushori i Kombëtares. “Alban Meha duhet të festojë dyfish. Së pari, për fitoren 1-0 të Shqipërisë në Norvegji, ku atdheu i tij ka shanse të mira për të shkuar në Botëror, pavarësisht se mesfushori nuk luajti. Së dyti, në miqësoren kundër Lituanisë, Meha tregoi cilësinë e tij në kontrollin e topit. Me një supergjuajtje të përfunduar në gol, nga një distancë prej 30 metrash, ai çeli serinë e golave në fitoren 4-1”, – shkruan “Kicker”.

  Momenti i artë i Bashës

 Migjen Basha mund të luajë kundër Napolit, pas dy muajve në bankinën e Torinos. Mateo Brigi është duke vuajtur nga një dëmtim dhe mesfushori shqiptar është në skema e Xhampiero Venturës. Basha, i cili bëri dy paraqitje të mira me Norvegjinë dhe Lituaninë, nuk luan në kampionat qysh nga fitorja kundër Sienës, më 13 janar, kur u fut në fushë në krah të Brigit, pasi Gaci ishte i pezulluar. Para asaj sfide, paraqitja e fundit e Bashës ishte kundër Milanit, më 19 dhjetor. Basha në këtë sezon të Serisë A ka koleksionuar 12 paraqitje, duke shënuar vetëm një gol, ai kundër Parmë, në humbjen 3-1. Më pas, pak hapësirë për të, kjo dhe për shkak të modulit të zgjedhur nga trajneri. Por, tani ka ardhur momenti që ai të luajë me Torinon. Kapiteni i kombëtares shqiptare ka vlerësuar lartë mesfushorin e Torinos, Migjen Basha, duke e cilësuar një përforcim të qëlluar.

Lorik Cana, pas ndeshjes me Lituaninë është shprehur për ekipin dhe sidomos për faktorin e ri të saj, Migjen Basha në mesfushë.

“Dua të veçoj Bashën, që po sjell një nivel të lartë në Kombëtare, në krahasim me lojtarët e tjerë që kemi parë. Ai të krijon garanci dhe qetësi në lojën që bën. Më duhet të përgëzoj edhe Ramën që, edhe pse në një terren të vështirë, luajti shumë mirë”, tha Cana.

Shtutgardi kërkon Mërgim Mavrajn

 Qendërmbrojtësi i Kombëtares Shqiptare, Mërgim Mavraj  nuk do të qëndroj në Greuther Furth sezonin e ardhshëm. Mbrojtës do të jetë edhe sezonin e ardhshëm pjesë e Bundesligë së parë gjermane, pavarësisht se klubi në të cilin ai është kapiten, Greuther Furth e ka prerë biletën për në Bundesligën 2. Mavraj që cilësohet si një nga mbrojtësit më cilësor të ligës elitare gjermane ka bindur me paraqitjet e tij këtë sezon, ku rikthehej në Bundesligë pas disa vitesh në kategorinë e dytë. Destinacioni i ardhshëm i gjigandit të mbrojtjes shqiptare mund të jetë Mainz ose Stutgardi, që kanë shfaqur interesimin edhe para disa muajsh. Por në luftë për 26-vjeçarin janë edhe klube të tjera të Bundesligës. Kartoni i Mavrajt vlerësohet shumë. Mërgimi është tashmë një lojtar titullar me Shqipërinë, për të cilën ai ka zhvilluar 10 ndeshje.

  Inter-Xhaka

 Aventurës së mesfushorit zviceran me origjinë shqiptare, Granit Xhaka te Borusia Mynshengladbah po i vjen fundit. Pas ngacmimeve të Lacios, skuadra zikaltër avancon me një ofertë konkrete prej 9 milionë eurosh, shumë që mund ta bindë skuadrën e Lusien Favre ta lejë të lirë 20-vjeçarin që po ngroh stolin prej disa muajsh.

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA XX

 30.03.2013

Luftëtari-Bylis      14:00

Apolonia-Laçi        14:00

Kukësi-Shkumbini           14:00

Skënderbeu-Teuta           17:00

Flamurtari-Besa      17:00

31.03.2013

Kastrioti-Tirana           14:00

Vllaznia-Tomori      17:00

RENDITJA

1      Skënderbeu    19   +27  48

2      Teuta         19   +10  37

3      Flamurtari    19   +18  35

4      Kukësi        19   +8   33

5      Vllaznia      19   +4   29

6      Tirana        19   +2   29

7      Kastrioti           19   -2   28

8      Laçi          19   -2   27

9      Bylis         19   +5   25

10     Besa          19   -2   23

11     Luftëtari           19   -11  17

12     Shkumbini           19   -14  16

13     Tomori        19   -21  9

14     Apolonia      19   -22  8

KATEGORIA E PARW
Java XXII

30.03.2013

Himara-Besëlidhja

Gramshi-Naftëtari

Mamurrasi-Kamza

Pogradeci-Partizani

Iliria-Lushnja

Dinamo-Ada

Burreli-Butrinti

Tërbuni-Elbasani

1    Lushnja         22   +25  53

2    Partizani       22   +4   43

3    Mamurrasi       22   +9   39

4    Pogradeci       22   +11  38

5    Tërbuni         22   +13  36

6    Iliria          22   +5   32

7    Butrinti        22   -2   28

8    Dinamo          22   +0   27

9    Burreli         22   -1   27

10   Gramshi         22   -12  27

11   Himara          22   -3   26

12   Ada             22   -4   23

13   Besëlidhja      22   -6   22

14   Elbasani        22   -10  22

15   Kamza           22   -13  22

16   Naftëtari       22   -16  17