Thyhet Luftëtari, dorëhiqet trajneri Dede

473
Sigal

Gjirokastritët humbasin në shtëpi. Dede, tekniku i gjashtë që largohet në gjashtë javë kampionat

Nevil Dede është trajneri i radhës, i cili largohet nga drejtimi i një skuadre të Kategorisë Superiore, duke dëshmuar edhe njëherë se puna e një tekniku në Shqipëri nuk është aspak komode. Luftëtari i tij humbi 2-0 në Gjirokastër me Besën, duke anuluar atë shije të mirë që la fitorja 3-0 e bluzinjve në Fier ndaj Apolonisë vendase. Dede, një ish-kapiten i Tiranës dhe i Elbasanit, por dikur dhe një lojtar i Partizanit, nuk mundi dot ta duroj humbjen me kavajasit, duke e shpallur publikisht dhe direkt në mediat dorëheqjen e tij. “Deri diku ekipi nuk arriti të reagonte dhe përgjegjësia për këtë është imja”, – theksoi tekniku tiranas që u largua pa analizuar takimin e dobët të gjirokastritëve. Gjithsesi, ai mori votëbesimin e presidentit Flamur Bime, por dorëheqja e Dedes është për momentin e pakthyeshme. Në gjashtë javët e para janë larguar Hulian Rubio nga Tirana (nuk firmosi kontratën), Shkëlqim Muça nga Flamurtari, Përparim Daiu dhe Stavri Nica nga Laçi, Hasan Lika nga Teuta. Për Luftëtarin, që ka grumbulluar 7 pikë në gjashtë ndeshje, kjo ishte ndeshja e dytë rresht që humbiste në Gjirokastër pas asaj 1-0 me Tiranën, me të cilin Dede kishte fituar shtatë tituj kampionë si lojtar. Përsa i përket ndeshjes, golat fitues u shënuan nga kroati Pedrag Pocuca. Pas një goditje këndi shkon në kokën e kroatit, që e përplas fillimisht në tokë e prej andej përfundon në rrjetën e Selimajt, i pavëmendshëm në këtë rast, ashtu si edhe mbrojtja e vet. Në minutën e 84-t, Bernard Berisha depërton plot finesë e teknikë nga e majta e sulmit të tij, duke e amortizuar indirekt reagimin gjirokastrit. Duhej të vinte minuta e 77-të, kur shkodrani Rraboshta t’i afrohej ndjeshëm golit të barazimit. Sulmuesi bluzi godet shtyllën e portës së Hoxhës. Kosovari i Besës meriton vëmendje të veçantë nga mbrojtja bluzi, sepse është i gatshëm të ndëshkojë, sikurse bëri në minutën e 84-t duke dribluar thuajse tërë mbrojtjen gjirokastrite dhe nxjerr në pozicion të pastër shënimi Bruno Ditën.

KASTRIOTI-TEUTA  0-1

Trajneri i Teutës, Gentian Begeja, shijoi fitoren e dytë në stolin durrsak dhe të parën në tranfsertë, teksa “djemtë e detit” fituan 1-0 në Krujë me Kastriotin. Goli i mbrojtësit Akil Jakupi, shënuar në minutën e 70-të i çoi nënkampionët e Shqipërisë në kuotën e 10 pikëve, duke e futur sërish në shinat e pretendimeve të mëdha, edhe ajo për të kapur kreun e për të fituat titullin. Durrsakët, me lojën e zhvilluar në Krujë, dëshmuan se nuk i trembeshin faktit që në këtë përballje nuk kishin shërbimet e kapitenit Sheta dhe mbrojtësit Fernando Da Silva. Që në minutën e 14-të, është Teuta që rrezikon me sulmuesin Daniel Xhafaj. Portieri vlonjat i Kastriotit, Shpëtim Mocka, ishte ndër më të mirët në fushë. Karapici i Kastriotit u jep frymëmarrje e fantazi lojës së të tijve, ndërkohë që jep disa asiste të bukura për Fatakin, i cili nuk arrin të superojë mbrojtjen durrsake, që rreshtohet mirë dhe nuk lejon asnjë hapësirë. Pjesa e dytë është edhe më kërkuese për të dyja palët, me krutanët që kanë iniciativën, por vuajnë në finalizim, ndërkohë që durrsakët shfaqen rrallë, por rrezikshëm në portën e Mockës. Minuta e 70-të do të ishte fatlume për të besuarit e Begejës, që me anë të një mbrojtësi, sikurse është Akil Jakupi, zhbllokojnë shifrat. Përmes një roveshiate të bukur, mbrojtësi kryeqytetas mposht portierin vlonjat të Kastriotit, deri në atë minutë i pakalueshëm e shpëtimtar i vërtetë nga ndëshkimi i të tijve.

______________________________________________________________________________________________

KUR POLICIA KEQKUPTON DETYRËN

Policia e Shtetit shoqëroi të shtunën për disa orë kapitenin e Partizanit, Alert Alcani, në pushimin midis dy pjesëve gjatë ndeshjes Partizani-Dinamo (3-2), një rast i pazakonshëm në skedat e ndalimit të bluve, nisur edhe nga arsyet me të cilat ajo e motivoi atë, duke krijuar dhe një precedent jo normal. Sipas versionit të lojtarit lezhjan, Alcanit, ai përfundoi në Komisariatin numër 2 pa ndonjë arsye të qartë. “Unë thjesht kërkova që të shkoja pranë skuadrës që të merrja çantën dhe aty policët nuk më lejuan ta bëja një gjë të tillë, duke më larguar në mënyrë të dhunshme. As nuk i kam sharë, as nuk i kam kundërshtuar”, – tha ai për mediat. Policia paraqiti versionin e saj në lidhje me shoqërimin e aksionarit të Partizanit Paro Laçi, kapitenit dhe një tifozi të kësaj skuadre. “Ata kanë kundërshtuar dhe fyer uniformat blu, ndaj janë shoqëruar në rajon, ku janë mbajtur deri në përfundim të ndeshjes”. Vetëm disa ditë më parë, u organizua në zyrën e ministrit të Sporteve, Aldo Bumçit, një takim tresh midis këtij të fundit, presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka dhe Zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Policisë për Sigurinë Publike, Muhamet Rrumbullaku, në lidhje me dhunën, gjithmonë dhe më të pranishme në stadiumet shqiptare, ku spikasin ato të kategorive inferiore. Në atë takim, kryefjala ishte “tolerancë zero kundër dhunës”. Rasti më ekstrem ishte dhunimi i hapur, pra në vëzhgimin e policisë së Ersekës, i gjyqtarit gjirokastrit, Gentian Nora, në fund të takimit Gramozi-Memaliaj, të vlefshëm për javën e parë të Kategorisë së Dytë, pas së cilës arbitri përfundoi në spital, ndërsa katër lojtarë të Gramozit u përjashtuan përjetë nga futbolli. Në fakt, të gjithë ata që shkojnë në stadium për të përjetuar emocionet që dhuron një ndeshje futbolli, qoftë dhe pa golin e shumëdëshiruar, kanë konstatuar një fakt të thjeshtë: puna e policisë lë shumë për të dëshiruar. Arsyet mund të jenë të shumta, objektive apo subjektive. Kjo nuk ka të bëjë më faktin se ai grup prej 20 apo 100 njerëz me uniformë blu nuk dinë të bëjnë detyrën apo të zbatojnë udhëzimet strikte, gjatë një ndeshje futbolli. Të gjithë argumentet të çojnë në konkluzionin se, ka një mungesë totale koordinimi me Federatën Shqiptare të Futbollit, si organizatore e aktiviteteve futbollistike, çka sjell dhe një plan masash jofikas. Problemet më të mprehta janë në qytetet e vogla, pra në ndeshjet e kampionateve inferiore. Fakti, që deri tani janë ndëshkuar nëntë ekipe (3 nga Kategoria Superiore, 5 nga Kategoria e Parë dhe 1 nga Kategoria e Dytë) me zhvillimin e ndeshjeve pa shikues, për shkak të hedhjeve të objekteve të rrezikshme nga ana tifozëve, nuk lë një shije të mirë edhe për punën e forcave blu. Kjo lidhet edhe me faktorë socialë, por dhe me policë tifozë që nuk veprojnë në kohën e duhur për të ndaluar rastet sporadike të dhunës. Në fakt, duhet pranuar se ndryshe nga shumë vende europiane, ku huliganët janë shndërruar në një problem serioz për policitë e atyre vendeve, në Shqipëri problemet janë të një natyre tjetër. Është thënë shpesh që, origjina e dhunës është në tribunën “VIP”. Të paktën nëntë zyrtaë klubesh janë ndëshkuar me 2 apo 12 muaj pezullim, për të mos i ndjekur ekipet e tyre. Shpesh këta janë dhe nxitësit fillestarë të dhunës, për të mos harruar edhe revoltën që vjen nga bankinat për ndonjë vendim të dyshimtë të gjyqtarëve. Rasti i tifozëve “VIP” problematikë, por me mandat kufizues ndaj masave që mund të marr policia ndaj tyre, përfshitë këtu deputet lokalë, tashmë numëron disa raste, madje ndonjë edhe rast ekstrem ku është qëlluar edhe me pistolete lodër si mjet presioni. Policia duhet të ketë forcë për të mos lejuar zyrtarët problematikë, ashtu si Federata të mos i pranojë në stadium. Është folur shumë për rastet, kur lojtarët apo aktorë të tjerë të lojës kanë përdorur dhunë, përfshirë grushtet apo gjakosjet me dashje të kundërshtarëve, e këtu nuk kanë munguar edhe zyrtarët e dhunuar, për të mos përmendur fyerjet. Prokuroria e ka në dorë të nisë hetime dhe të kërkojë dënime për dhunuesit. Një nga mungesat që konstatojnë delegatët e huaj në ndeshjet ndërkombëtare është mungesa e kamerave të sigurisë në stadiume, gjë nuk ndodh jashtë vendit. Sistemi i sigurisë dhe survejimi elektronik në stadiumet tona lë për të dëshiruar, por ai i drejtpërdrejtë ndaj tifozëve huliganë, zyrtarëve të papërgjegjshëm mund të funksionojë. Rasti kur gjyqtari rrihet në sytë e mijëra tifozëve dhe polici nuk reagon duhet të mos ndodhë më.