Teuta Swimming, së shpejti ‘kryezonja’ e Notit

796
Sigal

Intervistë me trajnerin e “Teuta Swimming” Eros Pavon

Për herë të parë ndodh një risi në notin shqiptar. Madje, kjo dukuri është historike dhe unikale. Një trajner italian drejton ekipin shqiptar ‘Teuta Swimmimg’. Ecuria e këtij ekipi është po aq e re sa vetë mosha e anëtarëve të tij. Presidenti Feim Alliu, para se të linte detyrën e presidentit të FSHN-së, pikasi në veprimtarinë e tij specialistin e njohur të notit italian Eros Pavon. Ndërkohë, në Durrës kishte nisur punën mbi bazë dëshirash një ekip simpatik i quajtur Teuta Swimming. Veç konkurrencës së ndershme të klubit të hershëm me tradita të Teutës së Durrësit, kjo Teuta Swimming kërkonte të depërtonte në rrugë të reja sa shkencore aq edhe të pashkelura. Kërkonte të krijonte historinë e re të notit durrsak, që nuk do të ishte as më shumë dhe as më pak se vazhdimësia e traditave të vyera të Durrësit në këtë sport. Financat janë siguruar privatisht nga prindërit e notarëve si: Gjergj Ngresi, Edmond Berdaku, Barush Mujali, Gent Golashi, Ilir Zhupaj, Tan Kadiu, Irko Qirjako etj.. Për ta nisur punën në mënyrë cilësore, Feim Alliu solli një ditë në Durrës Eros Pavon, i cili u mirëprit nga i gjithë grupi. Dhanë fjalën se do të kryejnë një punë shembullore, me objektiva shumë të avancuara për kushtet e notit shqiptar. Dhe në më pak se dy vite, Teuta Swimming është pozicionuar e treta me notin e rritur. Akoma edhe më e besueshme është e ardhmja e kësaj Teute, aq sa mendohet se në më pak se dy vite do të marrë në dorë çelësat e notit shqiptar. Për këtë synim dhe punën e jashtëzakonshme që po kryhet në ditët e Kampionatit Kombëtar të Notit për të rritur, zhvilluar në Tiranë me 3-4 shtator 2014, biseduam në formën e një interviste me trajnerin italian të Teuta Swimming 44- vjeçarin Eros Pavon.
Shumë i thjeshtë dhe modest, aq sa asnjë nga mediat shqiptare nuk e veçoi pjesëmarrjen tuaj në këtë eveniment të notit shqiptar?
Unë kam ardhur për punë dhe jo për t’u dukur dhe tërhequr vëmendjen e shtypit shqiptar. Bëj punën time dhe kaq është e mjaftueshme.
Cili është Eros Pavon?
Jetoj në Cerano–Piemonte, Itali, apo siç është më e lehtë për t’u njohur nga ju shqiptarët në zonën e Milanos. Kam mbaruar studimet e larta në ISEF të Torinos në specialitetin e notit. Jam imprenditore, apo në versionin e kuptimit tuaj, sipërmarrës. Kam në ngarkim 7 pishina noti, me një personel të konsiderueshëm dhe punojmë për masivitetin. Për të matur nivelin cilësore drejtoj një ekip me shumë notarë sipas grupit të moshave, që quhet ‘Tecri Nuota ASD’. Dallohet niveli i lartë i notimit dhe mbi baza të plota shkencore.
Si ndodhi që ju morët përsipër një barrë kaq të rëndë, për të drejtuar një ekip noti shqiptar, madje, që në hapat e para të krijimit të tij?
Pasioni dhe vullneti i pamatë për punën, rruga e përkushtimit dhe e sakrificës për profesionin nuk njeh kufi dhe e konsideroj veten me shans që jam këtu pranë notit tuaj. Është propozimi i Feim Alliut, i cili më garantoi se çdo gjë do të plotësohet kundrejt asistencës dhe angazhimit konkret të punës sime. Edhe tani që bisedojmë, jam në pozita të angazhimit shpirtëror, të dëshirave dhe përqendrimit tim maksimal për t’ia dalë me ‘Teuta Swimming’ dhe aspak të detyrimeve financiare. A mund ta masësh me të ardhura, tërë këtë punë kolosale të një grupi fëmijësh durrsakë të udhëhequr me një përkushtim të rrallë nga prindërit e tyre? Shpenzimet janë brenda tyre dhe unë e dua të gatshëm dhe të bindur këtë grup që puna me ta të na çojë atje ku duam.
Të flasim më hapur z. Pavon. Punën nga Italia si e drejtoni këtu në Durrës, pasi ju duhet të ndiqni detyrat tuaja funksionale?
Lidhemi për ditë me Durrësin, me Edmondin, Gjergjin dhe të tjerët. U kam dorëzuar planet e mia të stërvitjes dhe kërkoj pas çdo seance stërvitore të informohem, se si po zbatohen këto plane. Bëj korrigjimet e nevojshme dhe në përputhje me dukuritë konkrete sugjeroj ndryshimet përkatëse. Dua t’ju shpjegoj se në pasqyrat që zotëroj, kam të dhëna të hollësishme për ecurinë e çdo notari, rezultatet e tij për çdo garë. Kur ndodhemi në gara të rëndësishme zyrtare brenda Shqipërisë dhe jashtë saj, më duhet të ndodhem patjetër pranë tyre. Punoj konkretisht me ta, për teknikën, ecurinë e garës, startet dhe kthesat, mënyrat e lëvizjes së krahëve dhe të këmbëve, qëndrimi i trupi në ujë dhe pozicioni i kokës gjatë notimit.
Kur morët kontaktin e parë me Teuta Swimming, përshtypjet për grupin e notarëve?
Një gjë vlen të sqarohet. Unë nuk ia imponoj Durrësit elementët që frekuentojnë notin, ajo është puna e juaj. Por me elementët që më takon të punoj, vlerësoj seriozisht angazhimin tim. Por jemi me fat të dyja palët, pasi vë re se është një grup i shkëlqyer notarësh dhe kam vënë bast për ardhmërinë e tyre të shkëlqyer.
A mund të diferenconi aftësitë dhe cilësitë e notarëve, pasi zor se treguesit të jenë rrafsh të barabartë?
Është shumë e vështirë për mua ta bëj një gjë të tillë, por me që më kërkohet, diçka mund të shpjegoj. Notari Aleksandër Ngresi, është në nivelin më të mirë të notarëve italianë të moshës dhe nga ky djalë 14 -vjeçar noti shqiptar për pak muaj do të ketë surpriza të bujshme. Në këto parametra janë edhe Frenc Bërdaku, 11- vjeçari Kledi Kadiu dhe pse jo edhe vogëlushja tjetër e kësaj moshe Nargi Golashi. Në nivele mesatare gjithnjë krahasuar me notarët italianë janë Enea Zhupa, Ron Mujali dhe Ralf Qirjako, megjithëse, ky i fundit sapo ka nisur të shkumëzojë në pishinë. Është edhe Dhimitër Noçka, një notar energjik por mosha e tij e “madhe” 18- vjeçare kërkon punë shumë të madhe për ta bërë të njohur si sportist i ujit. Pra grupi është i mbarë dhe më nxit për të punuar edhe më shumë, e për t’i çuar përpara synimet.
Po pse çfarë synoni me këtë Teuta Swmming, ku mesatarja e moshës është 13.8 vjeç?
Çfarë synoj?! Të jemi kampionë absolutë në Shqipëri dhe po  përdor një figurë natyrisht miqësore, kur të notojnë këta durrsakë të zot të kenë futur në “bark” edhe notarët e ekipeve të tjera. Këtu në këtë ekip janë rekordmenët dhe kampionët e rinj të Shqipërisë. Puna ende nuk është në kulm. Nuk dua t’i sforcoj dhe t’i krijoj probleme shëndetësore. Duhet të jemi të durueshëm, pasi një pasion i çastit për rezultate të përshpejtuara mund të ketë pasoja të pariparueshme për fizikun e notarëve të ekipit. Medaljet dhe diplomat aty janë, po kështu rekordet që janë fiksuar është ambicia e jonë dhe për këtë do të tregojmë durim.
Dhe kur mbaron ky durim?
Shumë shpejt. Në më pak se dy vite. Që tani Aleksandër Ngresi është mbajtës i 11 rekordeve kombëtare për moshën 13-14 vjeç. Rekorde po shënon edhe Frenc Berdaku dhe Kledi Kadiu. Edhe si ekip në disa stafeta Teuta Swimming po tregon aftësi. Plani stërvitor është i tillë, që jo gara mbi treguesit fizikë, por të shkojnë të dyja paralel. Durim dhe jo sforcim. Në një gjë shpreh siguri: Teuta Swimming është ekipi cilësor që kërkon noti shqiptar. Po punojmë për të qenë faqebardhë ndaj kujtdo, jo për të shprehur supremaci dhe inate, por aftësi, cilësi dhe kulturë të lartë sportive.
Konstatoni xhelozi apo një lloj kryelartësie tek trajnerët e tjerë të notit, në raport sigurisht me komunikimin me ju? Noti italian, është shumë më lart nga noti shqiptar dhe ne nuk pamë qoftë edhe një rast që ato të shkëmbenin ndonjë mendim me ju. Pse vjen kjo?
E kam të vështirë të përgjigjem. Unë nuk erdha tani në Tiranë me autoritetin e një specialisti të afirmuar italian për notin, por si trajneri i Teuta Swimming. Kjo mbase u ekzagjerua më shumë, duke më parë si kundërshtar të tyre se sa për të shfrytëzuar një takim të thjeshtë pune apo të paktën shkëmbim përvoje. Federata e juaj e Notit që ka nisur një punë të mrekullueshme, mund t’i shfrytëzojë këto kampionate edhe për shkëmbime përvoje e debate ndërmjet trajnerësh. Unë do të isha i gatshëm të ndihmoja në këtë drejtim, pavarësisht se, këtu më sollën miqtë e mi durrsakë dhe ekipi që kam në patronazh. Por ndërkohë vlen të ndalem në një fakt kuptimplotë. Ekipi i Teuta Swimming vjen e zgjerohet. Notarë nga Tirana dhe nga ekipe të tjera kanë nisur stërvitjet në Durrës. Kjo ndodh me Klea Konoplevën dhe pak kohë më parë edhe me rekordmenen e vogël Sonja Kapidani. Nga Italia erdhi enkas për t’u hedhur në garë me ju edhe më e mira notare shqiptare Noel Borshi. A nuk tregon kjo për afirmim të punës tonë?
Atëherë Pavon jemi në pritje të projekteve tuaja ambicioze me këtë Teuta Swimming, që dukshëm po trondit ecurinë pozitive të notit shqiptar.
Ju siguroj që do të bëhet më e mira. Gëzohem për këtë punë gjigande të nisur në Durrës dhe që po vazhdon e tillë nga notarët e vegjël dhe prindërit e tyre. Dhe mua më takon të mbështes me të njëjtin përkushtim, madje, edhe më shumë. Noti na ka forcuar edhe miqësinë njerëzore. I kam thërritur në Itali për stërvitje dhe më tej do ta vazhdoj këtë praktikë. Por sa me dëshirë i presin notarët italianë që unë drejtoj, këta shqiptarë të ujit. Suksese Teuta Swimming! Suksese notit shqiptar!

Bujar QESJA