Teuta Swimming, kampionët e parë të vitit

732
Sigal

Rekorde durrsake në Kampionatin e parë Kombëtar i Notit për të Rinj dhe të Rritur “Indoor 2014”

– Aleksandër Ngresi përmirësoi tre rekorde kombëtare për moshat

– Johan Ceka, notari më i mirë për të rinj

– Rekorde edhe nga Sonja Kapedani dhe Kledi Kadiu

– Noti durrsak me protagonistë të denjë

 Ajo çka ndodhi me 19-20 prill, në pishinën 25-metërshe në resortin “Te Stela” në Tiranë, ishte tejet mbresëlënëse dhe e denjë për tu rrëfyer në formën e këtij materiali. Një grup notarësh shumë të rinj, pjesa dërrmuese e të cilëve të ditëlindjes 2000 provokuan aftësitë e tyre në kampionatin e parë kombëtar të notit për pishina të mbyllura. Federata Shqiptare e Notit, e drejtuar nga presidenti Agim Çiraku dhe sekretare Suela Haxhiaj  për të nxitur nivelin dhe cilësinë e notit kombëtar, organizuan për herë të parë Kampionatin Kombëtar të Notit për pishina të mbyllura 25-metërshe. Në ekipet që vendosëm të marrin pjesë në këtë ngjarje të shënuar sportive, ishin edhe ekipi shumë i ri i notit Teuta Swimming. Ky ekip është ngritur mbi bazën e pasionit dhe vullnetit të jashtëzakonshëm të një grupi fëmijësh, të mbështetur fuqimisht nga prindërit e tyre. Janë pjesëmarrës në katër veprimtari ndërkombëtare, dy në Itali dhe dy të tjera në Mimoza Cup në Hercegnovi (Mali i Zi). Vitin  e kaluar Teuta Swimming ngacmon pjesëmarrjen e saj për herë të parë në veprimtaritë e moshave dhe tani guxon të shfaqet dhe të rrisë sipërfaqen e pretendimeve edhe në për të rritur. Të mos harrohet fakti që Aleksandër Ngresi, Frenc Bërdaku, Ron Mujali janë të ditëlindjes 2000, e më tej Kledi Kadiu vetëm 11 vjeçar e Sonja Kapedani e Nagi Golashi 10 -vjeçare. Dhe si për të rritur disi mesataren e moshës dhe për të dëshmuar pak përvojë notimi, përkrah tyre janë edhe “veteranët” Enea Zhupaj dhe Johan Ceka  dhe 15-vjeçarja Klea Konoplevia. Ky është gjithë “inventari” i ekipit simpatik, plot grinte e karakter Teuta Swimming. Por cilët janë themeli i këtij ekipi, i cili sigurisht do ti zgjerojë ambiciet për ecuri dhe trofe? Janë tre:

Feim Alliu, Eros Pavon dhe trinomi Gjergj Ngresi, Edmond Bërdaku dhe Barush Mujali. Kjo treshe shërben si një turbinë, ku gjenerojnë fuqi në rritje dhe të pakonsumuara të një Teuta Swimming kurajoze deri në pozicionime historike për notin shqiptar. Arkiva e mahnitshme e regjistruar  në vite dhe e protokolluar në traditën e notit durrsak, ka gjasa të përmirësohet në dimensione të pabesueshme. Superlativat nuk janë nga autori i shkrimit, por nxitur nga puna e mahnitshme e këtij grupi djemsh dhe vajzash që e shikojnë pishinën si mbështetëse të ëndrrave të tyre sportive. Feim Alliu, një notar i viteve 60-të – 70-të, prindi i notarit të talentuar David Alliu larguar për studime në Angli, mori për disa vite drejtimin e Federatës Shqiptare të Notit. Aty u njoh me specialistin italian 44-vjeçarin Eros Pavon, që drejton një akademi të tijën të notit nga qendrat e njohura periferike të Milanos. Mjaft ekipe noti dhe instruktorë janë nën “urdhrat” e tij dhe puna e kryer shoqërohet me jehonë në notin e zhvilluar italian. Notarja e famshme italiane Pelegrini është e shkollës së Eros Pavon-it. Ky specialist i artë italian, me një dashamirësi të madhe iu përgjigj kërkesës së Feim Alliu për të asistuar në notin shqiptar. Teuta Swimming e kishte shumë të nevojshme asistencën profesioniste të italianit të shquar të ujit dhe i bëri thirrje t’i drejtojë ata, të jetë pranë tyre në çdo hap. Dhe mrekullia ndodhi. Ai i dha “OK” kësaj kërkese dhe tashmë po bëhen gati dy vjet që ai është trajneri dhe frymëzuesi i arritjeve të Teuta Swimming. Për dy vjet pas kësaj, në mos më shpejt Pavon është shprehur se Teuta Swimming do të jetë balli i notit shqiptar, ku në duart e tyre do të jenë të gjitha kohët rekord të këtij noti. Pavon nuk ngutet të rritë ngarkesat në stërvitje, pasi djemtë janë të njomë dhe mund të dëmtohen. Forca dhe palestra janë dukuri të planifikuara diku në moshën 17-18 vjeçare dhe me të drejtë gjykohet se pas kësaj punë sistematike shumë vjeçare të startohet me personalitet edhe në pishinat e huaja. Por deri atëherë, rekordet kombëtare shqiptare do të jenë plotësisht në duart e Teuta Swimming. Kjo përvojë e këtij ekipi shpresëdhënës, i ka ulur kokën edhe ekipeve shtetërore që mbulohen nga klubet sportive, të cilët ndonëse dhe me kuadër lakmues financiar shohin në pishinë mungesën e perspektivës dhe ecurisë. Prandaj edhe kjo punë e madhe që po bëhet me Teuta Swimming, po kthehet në ngjarje sportive, në një pikë referimi jo vetëm të mbijetesës në sporte por edhe të shpresës dhe perspektivës. Eros Pavon vjen disa herë në vit në Durrës, ndjek nga afër stërvitjet. I fton notarët durrsakë edhe në Itali, ku kryhen edhe stërvitje të përbashkëta me notarët italianë. I nxiti të marrin pjesë në dy veprimtari cilësore ndërkombëtare  në Itali: e para në dhjetorin e vitit të kaluar në Xhenova dhe e dyta në fundin e muajit mars në Milano. Veç kësaj Pavon ka udhëhequr durrsakët në Mimoza Cup në dy raste dhe mbetet i kënaqur me arritjet, punën, vullnetin dhe pasionin e këtij grupi notarësh, që janë të gatshëm për të bërë historinë e rezultateve të bujshme të notit shqiptar.

“Indoor 2014”

Thuajse tërë ditën e 19 prillit, u ndodha pranë Teuta Swimming tek pishina e mbyllur “Te Stela”. Kam përjetuar momente të pashlyera dhe të pamenduara që kur shkela në këtë pishinë. Kur Aleksandër Ngresi, një talent i sigurt i notit, përfundoi garën e 200 metrave stil shpinë me kohën 2’27”20, Feim Alliu ka qarë së fëmijë nga gëzimi dhe vjen me vrap tek ne për të thënë sihariqin. “Shiko çfarë ndodh me këtë rast, – shprehet Alliu, –  kjo kohë që bëri Ngresi është 3-4 sekonda larg rekordit më të vjetër kombëtar, që mbahet prej 35vitesh nga Ilir Ymeri i Vllaznisë. Pra është koha e dytë më e mirë. Por Aleksandri është vetëm 14 vjeç. Ky do të shkohet vallë kështu…” Po kështu mjeshtri Hysen Haxhia (Kitrra), nuk përmbahet kur ka parë finalen e garës 200 metra katërnotim të Frenc Bërdakut. Te Stela u përmirësuan pesë rekorde kombëtare për moshat dhe që të pesta janë vendosur nga Teuta Swimming. Veçon Aleksandër Ngresi që  avancoi tre kohë për moshën 13-14 vjeç. Vëreni se çfarë ndodhi më rekordin e garës 200 metra shpinë. Koha e re e Ngresit është 02’27”20 dhe ajo që mbahej nga Kristi Xhaferri e realizuar në vitin 2011, ishte 02’36”30. Pra i bie më shumë se 9 sekonda. Në 50 metra shpinë, Sandri 14 vjeçar me kohën 31”67, përmirëson rekordin që mbahej nga Franc Aleksi me 32”04 arritur në kampionatin botëror zhvilluar në Turqi me 16 dhjetor 2012. Ndërsa rekordi i tretë, u vulos në 100 metra shpinë ku koha e re është fiksuar në shifrat 01’09”18. Këtu Aleksandër Ngresi ka konkurruar vetveten, pasi ishte ai mbajtësi i rekordit të vjetër. Kur u ndodhëm në Hercegnovi (Mali i Zi), me 14 shkurt 2014, ky Ngres sfidues mori medaljen e artë ndër përfaqësues ballkanik të konkurrimit. Kësisoj kemi të bëjmë me një notar, që do ti marrë “mbarë” të gjitha kohët ekzistuese dhe kjo jo vetëm për moshën e tij. Dy rekordet e tjera i përkasin moshës 10-11 vjeçare për meshkuj ku Kledi Kadiu në 100 m shpinë kapi kohën 1’23”44 nga 1’27”50 të Dilan Rekës dhe Sonja Kapedani për moshën 9-10 vjeç në garën e 100 m shpinë, ku koha e re është 1’26”07. Notari Johan Ceka për kategorinë e të rinjve, u vlerësua notari më i mirë i kampionatit. Dhe në përfundim të garave, gjyqtaria shpalli zyrtarisht me titullin kampion për të rinj dhe të rritur, ekipin e mirorganizuar të Teuta Swimming. Ndonëse me uniforma sportive, të gjithë notarët nga gëzimi bien në ujët e pishinës dhe i gëzohen pa masë këtij suksesi të pritshëm, por që erdhi më shpejt nga ç’mendohej. Dhe menjëherë teksa lotët e gëzimit kishin mbuluar fytyrat jo vetëm të notarëve, por edhe të prindërve të tyre vjen reagimi edhe i Eros Pavon nga Italia: “Grazie figli miei, siete meravigliosi”!(Faleminderit fëmijët e mi, jeni të mrekullueshëm).

Në vend të epilogut

Çfarë vihet re pas kësaj ngjarje të shënuar për Teuta Swimming? Gëzohet por jo deri në shpërdorim. Ata me të drejtë e konsiderojnë këtë sukses, vetëm një stacion të trenit të ecurisë së tyre. Objektivi final kërkon më shumë sakrifica se deri tani, më shumë përkushtim, më shumë pasion e grinte. Feim Alliu mblodhi prindërit dhe si një këshill trajnerësh i pashpallur, bëhet analiza e punës. “Nuk kemi kohë të festojmë, thotë Alliu dhe në unison edhe të gjithë të tjerët. Pas kësaj fillon një tjetër ngarkesë e vërtetë, pasi Teuta Swimming nuk është një ëndërr por realitet. Ekipet rivale do ti bëjnë mirë llogaritë me ne dhe konkurrenca pritet të jetë e madhe. Prandaj që të vazhdohet me këto ritme, na duhet shumë punë dhe vullnet. Por do t’ia dalim. Erosi ka sjellë tjetër program dhe kërkon që puna të mos ndalet dhe të rinisë menjëherë. Deri këtu mirë. Por sfidat vazhdojnë”. Emri i mirë i Teuta Swimming ka rritur dimensione të paparë. Janë me dhjetëra kërkesa të notarëve në ekipet e tjera që kërkojnë ti bashkëngjiten kësaj punë të mrekullueshme që bëhet këtu. Madje notarët Klea Konoplev dhe Sonja Kapedani vijnë për çdo ditë në Durrës nga Tirana, për tu stërvitur e qenë dikush në not. Tashmë Teuta Swimming një kapitull i ndezur i notit shqiptar, “flakët” e të cilët kërkohet të mbahen të ndezura. Kjo natyrisht pritet të jetë një tjetër shpërblim dhe inkurajim, për këtë grup të pasionuarish që kërkojnë të bëjnë në not atë që nuk është bërë kurrë më parë. Dhe kjo lexohet qartë jo vetëm tek notarët dhe prindërit e tyre. Por edhe tek organizatori Feim Alliu. Por mbi të gjitha tek frymëzuesi i tyre, trajneri dhe specialisti italian i notit Eros Pavon.

Ekipi i Teuta Swimming

Nga e majta: Ron Mujali, Aleksander Ngresi, Klea Konoplev, Feim Alliu (organizatori dhe manaxheri i ekipit), Kledi Kadiu, Frenc Berdaku, Enea Zhupaj.

Notarët fitues të

“Teuta Swimming”

në garat “Indoor 2014”

TË RINJ

 (MESHKUJ)

100 m stil i lirë   Johan Ceka                59.21

200 m stil i lirë   Johan Ceka                2.05.86

400 m stil i lirë   Johan Ceka                4.28.95

50 m shpinë        Aleksandër Ngresi     31.67

200 m shpinë             Aleksandër Ngresi     2.27.20

200 m delfin       Franc Bërdaku           2.35.72

100 m katërnotim             Johan Ceka                1.09.50

200 m katërnotim             Franc Bërdaku           2.35.33

(FEMRA)

400m stil i lirë           Klea Konoplevia       4.59.33

200 m katërnotim             Klea Konoplevia       2.35.35

TË RRITUR

(MESHKUJ)

200m stil i lirë           Johan Ceka                2.05.86

400m stil i lirë           Johan Ceka                4.28.95

50m shpinë                Aleksandër Ngresi     31.67

200m shpinë              Aleksandër Ngresi     2.27.20

200m delfin        Franc Bërdaku           2.35.72

(FEMRA)

400m stil i lirë           Klea Konoplevia       4.59.33

200m katërnotim       Klea Konoplevia       2.35.35

STAFETW

Të Rinj/(MESHKUJ)

4x 50m stil i lirë               1.50.49

4x 100m stil i lirë             1.00.83

4 x 200m stil i lirë            8.53.73

Të rritur/ (MESHKUJ)

4 x 200m stil i lirë            8.53.73

REKORDET E VENDOSUR NGA NOTARËT E “TEUTA SWIMMING”

 MESHKUJ

 Kat 10-11 vjeç

 Kledi Kadiu (Teuta Swimming) në 100m Shpinë me kohën 01.23.44 theu rekordin e Dilan Reka 01.27.50

 Kat. 13-14 vjec

 Aleksandër Ngresi (Teuta Swimming) në 50m shpine me kohen 00.31.67 theu rekordin e Franc Aleksit 00.32.04 arritur ne kamp. Botëror Turqi (16.12.2012)

 Aleksandër Ngresi (Teuta Swimming) në 100m shpine me kohen 01.09.18 thyen rekordin e vet

 Aleksandër Ngresi (Teuta Swimming) në 200m shpine me kohen 02.27.20 thyen rekordin e Kristi Xhaferrit 02.36.30 të arritur në vitin 2011 Kupa Mimozës (Herceg Novi)

FEMRA

 Kat 9-10 vjeç

 Sonja Kapedani ( Teuta Swimming) në 100m shpine me kohën 01.26.07 thyen rekordin e Kerolajn Kola

 Nga BUJAR QESJA