Teuta, më e “ndershmja” e Superligës

582
Sigal

Skuadra durrsake kryeson klasifikimin special të “Fair-play-it. Kukësi, më i padisiplinuari

Skënderbeu ka fituar titullin kampion – i treti rresht i skuadrës korçare, ndërkohë që Kukësi dhe Teuta, duket se kanë prerë biletën për në Ligën e Europës. Por, përveç klasifikimit real të kampionatit, ka dhe një tjetër renditje që monitorohet tërësisht nga Federata Shqiptare e Futbollit, e që ka të bëjë me klasifikimin e ekipeve për treguesin e “Fair-play”-it, apo “lojës së ndershme. Pikërisht është Teuta skuadra që, ka grumbulluar më shumë pikë dhe kryeson këtë lloj renditje, me 164,071 pikë në këto 24 jave të luajtura deri tani. Në vend të fundit renditet Kukësi, me 121,464 pikë. Skënderbeu renditet i treti, ndërkohë që interesant është fakti se, Luftëtari, Tomori dhe Apolonia, skuadra këto që kanë rënë zyrtarisht në Kategorinë e Parë ndodhen respektivisht në vendin e 4-t, 7-të dhe 11-të nga 14 skuadrat e Superligës.

KRITERET – Forma e vlerësimit dhe kriteret janë të ndryshme. Kur një ekip merr karton të kuq atij i zbriten 3 pikë, ndërsa për të verdhin 1 pikë nga vlerësimi i përgjithshëm. Loja pozitive kushton 10 pikë, ajo negative 1 pikë. Në përcaktimin “lojë pozitive” merret në konsideratë: taktika sulmuese, më shumë se taktika mbrojtëse; përshpejtimi i lojës, përpjekjet për të fituar kohë, ndjekja e vazhdueshme e objektivave. Në aspektet negative përfshihen: ngadalësimi i lojës, humbja e kohës, taktika e bazuar në faulle, veprimet në lojë, etj. Këto plotësohen në formularin që, plotëson delegati i ndeshjes. Respekti për kundërshtarët vlerësohet me 5 pikë maksimalisht dhe 1 pikë minimalisht, ku përshihen edhe ndihma ndaj lojtarëve të dëmtuar apo sjelljet antisportive. Respekti ndaj gjyqtarëve vlerësohet nga 1-5 pikë. Po më këtë vlerësim është dhe sjellja e publikut: nga 1 deri në 5 pikë. Publiku konsiderohet një komponent i natyrshëm i futbollit.

1.5 milionë lekë shpërblim

 Ekipi që, në fund të sezonit del i pari në renditjen “Fair-Play”, do të marrë nga Federata Shqiptare e Futbollit, përveç pllakatit “Ekipi Fair-Play”, edhe një shumë prej 1.5 milionë lekë të rinj. Pllakati është metal të zakonshëm, ndërsa, sipërfaqja e saj është e larë në ar dhe argjend.

RENDITJA

1. Teuta        164.071

2. Vllaznia     160.536

3. Skënderbeu   158.750

4. Luftëtari    156.857

5. Kastrioti    155.536

6. Tirana       151.750

7. Tomori       148.393

8. Besa         147.500

9. Laçi         147.036

10.Flamurtari   146.143

11.Apolonia     140.714

12.Bylis        133.929

13.Shkumbini    122.786

14.Kukësi       121.464

Sistemi i pikëve

Karton i verdhë:          -1 pikë

Karton i kuq:             -3 pikë

Karton verdh/kuq               -4 pikë

Loja pozitive             +10 pikë

Loja negative             +1 pikë

Respekti për kundërshtarin:1-5 pikë

Respekti për gjyqtarët:   1-5 pikë

Sjellje e publikut:       1-5 pikë

Shqipëri-Norvegji, 360 milionë lekë nga biletat

 Shqipëri-Norvegji pritet të jetë ndeshje më e shtrenjtë që do të luhet në “Qemal Stafa”, në termat financiarë të parave të grumbulluara nga shitja e biletave, pikërisht në sfidën e fundit ndërkombëtare që të luhet në impiantin mitik të hapur në vitin 1946, me rastin e Kampionatit Ballkanik. Duke iu referuar edhe çmimeve të vendosura nga Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit, për ndeshjen e 7 qershorit, ku në një farë mënyre do të përcaktohet edhe e ardhmja e Kombëtares sonë përsa i përket finaleve të Botërorit “Brazil 2014”, priten të futen në arkat e FSHF-së, një shumë rreth 360 milionë lekë të vjetër, nëse biletat do të shiten plotësisht për një kapacitet prej 16.130 vendesh të ulura. Sipas çmimeve të publikuara, një biletë në tribunat qendrore A dhe B, pra në vendet e zgjedhura, kushton 80 mijë lekë të vjetra, çka do të thotë se për ato 500 vende do grumbullohen 40 milionë lekë të vjetër. Në 650 vendet e tjera të këtyre tribunave, pra ato që janë më larg qendrës dhe që janë me çmim 50 mijë lekë të vjetër do të arkëtohen 36.5 milionë lekë të vjetër. Tribuna qendrore përkarshi, apo D2, ka 3980 vende dhe një biletë kushton 30 mijë lekë të vjetër, çka do të thotë rreth 119 milionë lekë. Nga tribunat D1 dhe D3 priten të arkëtohen rreth 116 milionë lekë, pasi çmimi i një bilete është 20 mijë lekë të vjetra Nga tribunat prapa portave, C dhe E, me një çmim prej 5 mijë lekë të vjetra për një biletë, priten të grumbullohen 26 milionë lekë të vjetër.

Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së ka dënuar më shumë se gjysmën e terreneve të Kategorisë Superiore

 Tetë fusha të dënuara

 Duke u ndalur të dënimet e fushave, janë dhënë 27 vendime, nga Komisioni i Disiplinës, ku nëntë i përkasin klubeve të Kategorisë Superiore, dhjetë të Kategorisë së Parë dhe gjashtë të Kategorisë së Dytë. Janë të paktën shtatë nga 14 klubet e Kategorisë Superiore (ose 50%), që janë ndëshkuar nga Komisioni i Disiplinës, për të luajtur pa shikues, apo zhvilluar ndeshje në fushë asnjanëse. Shkaqet janë të ndryshme që, herë lidhen me sjelljen jo korrekte të tifozëve dhe herë me ekzaltimet e tejkaluara të ultrasve në përdorimin masiv të fishekzjarrëve (si në rastin e tifozëve gjirokastritë në fitoren 4-1 të Luftëtarit ndaj Teutës, java e 2-të). Në Kategorinë Superiore spikasin Tomori dhe Luftëtari, me nga dy dënime secili për të luajtur pa shikues, ku bien në sy ato të beratasve me nga katër dhe tri javë, përkatësisht më 29 gusht 2012 (pas incidenteve në javën e parë në ndeshjen kundër Tiranës) dhe 27 nëntor 2012. Luftëtari ka  që është ka luajtur dy herë pa shikues: më 5 shtator 2012 (hedhje fishekzjarrë në ndeshjen Luftëtari-Teuta 4-1) dhe 14 shkurt 2013 (për hedhjen e mjeteve ndezëse në Luftëtari-Kastrioti 1-3).

Kulmin në Kategorinë Superiore e mban Besa. Skuadra kavajase u dënua, më 6 nëntor 2012, për të luajtur gjashtë ndeshje jashtë fushe. Gjithçka, lidhet me hedhjen në fushë të sendeve të forta në fushën e lojës nga ana e tifozëve, që sollën ndërprerjen e përkohshme për disa minuta të lojës, në ndeshjen kundër Skënderbeut. Për protesta me fjalë ofenduese u dënuan ish-trajneri i Besës, Ilir Daja, me dy jave pezullim dhe një gjobë prej 100 mijë lekësh. Incidente pati dhe në rastin e ndeshjes Besa-Tirana, ku u përfshi edhe kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Roshi. Rasti i Kavajës nuk ka qenë i vetmi i ndodhur në stadiumet tona, ku dhuna ka qenë shoqëruesja e pandare e futbollit shqiptar. Në Fushë-Krujë në prill 2008, ish deputeti republikan Hajrulla Paturi rrahu gjyqtarin e takimit Iliria Albpetrol, Shkëlqim Guce, por ai nuk u dënua, pasi kuvendi nuk ia hoqi imunitetin te zgjedhurit. Gjatë ndeshjes Shkumbini–Flamurtari, ne maj 2012, u akuzua nga palët, deputeti i zonës Dashnor Sula, madje deri për kërcenim me arme, por askush nuk u penalizua dhe rezultati ishte, se zoti Sula kish pasur në dorë një pistoletë-lodër. Në listën e ekipeve për të luajtur pa shikues janë dhe Vllaznia (1 javë, pas incidenteve në Vllaznia-Skënderbeu 1-3, java e parë) dhe Kastrioti (1 javë, pas incidenteve në Kastritoi-Besa 2-0). Skënderbeu u dënua për të luajtur një ndeshje pa shikues, pas incidenteve të ndodhura në ndeshjen e fituar me Tiranën. Ndërkohë që, pas disa paralajmërimeve për hedhje fishekzjarresh në fushën e lojës, Skënderbeu, kampioni në fuqi, provoi edhe shijen e gjobës: 300 mijë lekë (vendimi i datës 4 prill 2013), për gjestet jo korrekte në ndeshjen kundër Teutës. Nga Komisioni i Disiplinës, për të zhvilluar një ndeshje pa shikues është dhe Kukësi, pas incidenteve në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë ndaj Laçit, por që më pas u konvertua në gjobë prej 500 mijë lekësh nga Apeli. Laçi do të luajë dy ndeshje pa shikues, për hedhje të sendeve të forta në fushën e lojës, pa shkaktuar akte të dhunës, dënohet me zhvillimin e 2 ndeshjeve pa spektatorë në stadiumin përkatës (konkretisht, kurbinasit do luajnë me stadiumin e tyre bosh ndaj Shkumbinit dhe Tiranës, që janë edhe dy ndeshjet e fundit të këtij kampionati, të planifikuara për në shtëpi).

KATEGORIA SUPERIORE

NDESHJE PA SHIKUES

Tomori          4 (29 gusht 2012)

Tomori          3 (27 nëntor 2012)

Luftëtari       1 (5 shtator 2012)

Luftëtari       1 (14 shkurt 2013)

Vllaznia        1 (29 gusht 2012)

Skënderbeu      1 (31 tetor 2012)

Kastrioti       1 (31 tetor 2012)

Kukësi          1 (4 prill 2013)

Besa            1 (13 mars 2013)

Laçi            2 (18 prill 2013)

NË FUSHË ASNJANËSE

Besa            6* (6 nëntor 2012)

* Dënimi u aplikua vetëm në katër javë, pasi klubi i Besës (Bashkia e Kavajës) e konvertoi në vlerë financiare pjesën e mbetur të dënimit.

Shënim: datat janë të vendimeve të Komisionit të Disiplinës

Dortmundi në finale, sot Barça-Bajern

Borusia e Dortmundit u bë ekipi i parë finalist i Ligës së Kampioneve, duke eliminuar Realin e Madridit. Takimi i dytë në “Santiago Bernabeu” përfundoi 2-0 për Realin me golat e Benzemasë (82’) dhe Serxho Ramosin (88’), ndërkohë që në Gjermani, Dortmundi fitoi 4-1. Sulmuesi i Dortmundit, Levandoski goditi shtyllën. Lionel Mesi është ai që beson se Barcelona mund ta eliminojë Bajernin, pavarësisht humbjes së thellë 4-0 në “Mynshen Arena”. Argjentinasi ka shpërndarë një mesazh plot optimizëm për përmbysjen e madhe. “Në Bilbao na iku fitorja nga duart në minutat e fundit, por tani të përgatitemi për “Remuntadan”.