Teuta, “bukuroshja” e Superligës

738
Sigal

“Djemtë e detit” komandojnë të vetëm Kategorinë Superiore, me tetë pas katër ndeshjeve të para

Edhe pse pritej që Skënderbeu e Kukësi të ruanin dominimin e tyre edhe në këtë fillim sezoni, pas aventurës së tyre të suksesshme në Europë në Ligën e Kampioneve dhe Ligën e Europës, është Teuta ajo që ka bërë paraqitjen më të mirë në katër javët e para, duke kryesuar e vetme Kategorinë Superiore. Durrsakët e drejtuar nga trajneri ambicioz Gugash Magani janë të vetmit nga 12 skuadrat e Superligës, që nuk kanë humbur asnjë takim në katër ndeshjet e para, duke koleksionuar 2 fitore, 2 barazime, 0 humbje, si dhe një golaverazhi pozitiv 6-4 (+2). Teuta ka fituar vetëm një titull kampion, edhe pse është pjesëmarrëse qysh në kampionatin e parë kombëtar, atë të vitit 1930. Durrsakët kanë fituar në sezonin 1993-1994, kur në bankinë kanë pasur mesfushorin e fuqishëm, Haxhi Ballgjini. Por, tashmë, pasi e kanë provuar pesë herë “shijen” e nënakmpionit (1992-1993, 1994-1995, 1995-1996 2006-2007 dhe 2011-2012), tani në Durrës mendojnë se është momenti i duhur që trofeu të vijë sërish në “Niko Dovana”. Teuta është një skuadër shumë e stabilizuar dhe ka ekuilibra të qëndrueshëm midis reparteve, kjo edhe pasi ka gërshetuar më së mirë përvojën e lojtarëve me eksperiencë si Daniel Xhafaj (36 vjeç), Julian Ahmataj (34 vjeç), Bledar Mancaku (31 vjeç), Akil Jakupi (31 vjeç), Tefik Osmani (29 vjeç), apo  portieri Bledian Rizvani (28 vjeç), me grintën dhe freskinë e futbollistëve të rinj dhe tepër ambiciozë si Idrizaj (24), Mustafaj (24), Dosti (22), Deliallisi (21), apo disa 19-vjeçarë. Duke parë rezultatet teknikë të ndeshjeve të para, Teuta fitoi 2-1 me Bylisin (Ahmataj 74’, Xhafaj 84’ / Kuli 44’), barazoi 2-2 “in extremis” Besën (Dita 12’, Sefa 61’ / Osmani 70’(p), 95’ (p)); fitoi 2-1 me Flamurtarin Xhafaj 10’, Mustafaj 90’/ Arbri 70’) dhe në ndeshjen e fundit barazoi 0-0 me Kukësin, të luajtur në “Loro Boriçi” të Shkodrës. Teuta është një skuadër tepër kompakte dhe vlerësohet si një nga favoritet kryesore, për të fituar titullin kampion, së bashku me Skënderbeun, Partizanin dhe Kukësin. Teutës i duhen 57 minuta për të shënuar një gol, pasi vetëm një nga gjashtë golat i ka shënuar në pjesën e parë (Xhafaj në minutën e 10-të).

 KATEGORIA SUPERIORE

Ndeshjet e Teutës

Java 1

Teuta-Bylis 2-1

Ahmataj 74’, Xhafaj 84’ / Kuli 44’

Java 2

Besa-Teuta 2-2

Dita 12’, Sefa 61’ / Osmani 70’(p), 95’ (p)

Java 3

Teuta-Flamurtari 2-1

Xhafaj 10’, Mustafaj 90’/ Arbri 70’

Java 4

Kukësi-Teuta 0-0

Bilanci

2 fitore, 2 barazime, 0 humbje. Golaverazhi 6-4 (+2)

Golashënuesit

Daniel Xhafaj (2), Tefik Osmani (2), Julian Ahmataj (1) dhe Erjon Mustafaj (1)

RENDITJA

1    Teuta           4    8

2    Vllaznia        4    7

3    Partizani       4    7

4    Lushnja         4    7

5    Laçi            4    7

6    Skënderbeu      4    6

7    Kastrioti       4    6

8    Bylis           4    4

9    Kukësi          4    4

10   Tirana          4    4

11   Flamurtari*     4    3

12   Besa Kavajë     4    1

* Flamurtarit i janë hequr 3 pikë

I vetmi pa humbje

 Teuta është ekipi i vetëm nga të 12 skuadrat e Superligës, që nuk ka humbur asnjë takim në katër ndeshjet e para. Kampioni në fuqi, Skënderbeu ka humbur dy ndeshje, ashtu si nënkampioni Kukësi. Me nëj nga humbje janë Partizani, Vllaznia dhe Lushnja.

Një titull kampion

 Teuta ka fituar vetëm një titull kampion, edhe pse është pjesëmarrëse qysh në kampionatin e parë kombëtar, atë të vitit 1930. Durrsakët kanë fituar në sezonin 1993-1994, kur në bankinë kanë pasur mesfushorin e fuqishëm, Haxhi Ballgjini.

 Tri Kupa të Shqipërisë

 Durrsakët e kanë fituar tri herë Kupën e Shqipërisë. Teuta ka fituar për herë të parë në vitin 1995, duke e përsëritur atë pas pesë vjetësh në 2000. Suksesi i tretë i bluve bregdetarë u regjistrua përsëri pas pesë vjetësh, në vitin 2005.

Sulmuesi vlonjat 36-vjeçar i durrsakëve ka shënuar dy gola në këtë sezon, por 210 gola në total

 Daniel Xhafaj, goleadori që nuk njeh moshë

  Edhe pse është 36 vjeç, Daniel Xhafaj nuk njeh lodhje dhe nuk e ka humbur nuhatjen e golit. Dy gola në katër javët e para të këtij sezoni, pikërisht në dy fitoret e Teutës i japin të drejtë lojtarit më të moshuar të kampionatit. Xhafaj ka shënuar golin e dytë të Teutës në fitoren 2-1 ndaj Bylisit (java 1) dhe golin e parë në fitoren 2-1 ndaj Flamurtarit (java 3). Me këto dy gola, sulmuesi i palodhur vlonjat është ngjitur në kuotën e 210 golave në kampionat, duke qenë ai goeladori i dytë më i mirë i të gjithë kohërave në kampionat, pas ish-sulmuesit të Vllaznisë, Vioresin Sinani (254 gola). Por, nëse Sinani ka fituar tri herë “Këpucën e Artë’, si golashënuesi më i mirë – 2 herë me Vllazninë dhe 1 herë me Tiranën; Danieli e ka fituar dy herë: me Besën dhe Flamurtarin. Për Flamutarin ishte hera e pestë që një lojtar i tij ka fituar “Këpucën e Artë”, pas Vasil Rucit (dy herë), Viktor Paços, Daniel Xhafajt dhe sezonin e kaluar, Migen Memelli.

Në pesë sezonet e fundit, Daniel Xhafaj ka ndryshuar pesë skuadra: Tirana, Besa, Flamurtari, Skënderbeu dhe tani Teuta, por kudo që ka luajtur ka qenë protagonist i golave, sidomos me kavajasit dhe vlonjatët, ku ka qenë edhe shënuesi më i mirë i edicionit, respektivisht në sezonin 2009-2010 (18 gola) dhe 2010-2011 (19 gola). Danieli është një sulmues tipik dhe një goleador i lindur, duke lënë gjurmë me çdo fanellë: Flamurtarit (ku dhe nisi karrierën e tij), Bylisin, Dinamon, Elbasanin, Tiranën, Besënm Skënderbeun, apo dhe Teutën, me të cilën është aktivizuar në tri periudha të ndryshme dhe ka fituar një Kupë të Shqipërisë (2005). Në karrierën e gjatë të tij 18-vjeçare, Danieli ka dalë tri herë kampion: 2001-2002 (Dinamo), 2008-2009 (Tirana), 2011-2012 (Skënderbeu), si dhe ka fituar edhe një Kupë me Flamurtarin (2009-2010).

Daniel Xhafaj

Datëlindja: 8 mars 1977

Vendilndja: Vlorë, Shqipëri

Roli: Sulmues

Klubi aktual: Teuta

Vitet Ekipet Ndeshjet Golat

1995–2000 Flamurtari 70 (17)

2000 Bylis 12 (8)

2000–2003 Dinamo 63 (23)

2003 Flamurtari 20 (4)

2003–2005 Teuta 58 (42)

2006 Elbasani 2 (0)

2006–2007 Teuta 31 (20)

2007–2009 Tirana 63 (18)

2009–2010 Besa 32 (19)

2010-2011 Flamurtari 30 (19)

2011-2012 Skënderbeu 24 (11)

2012-2013 Teuta 23 (10)

2013-2014 Teuta 4 (2)

Totali:

Trofetë e Xhafajt

Kampion në Superligë

2001-2002 (Dinamo), 2008-2009 (Tirana), 2011-2012 (Skënderbeu)

Kupa

2004-2005 (Teuta), 2009-2010 (Flamurtari)

GOLASHNUESIT MË TË MIRË

DHJETË SEZONET E FUNDIT

2003-2004

Vioresin Sinani Vllaznia 36

2004-2005

Dorian Bylykbashi Partizani 24

2005-2006

Hamdi Salihi Tirana 29

2006-2007

Vioresin Sinani Tirana 23

2007-2008

Vioresin Sinani Vllaznia 20

2008-2009

Migen Memelli Tirana 23

2009-2010

Daniel Xhafaj Besa 18

2010-2011

Daniel Xhafaj Flamurtari 19

2011-2012

Roland Dervishi Shkumbini 20

2013-2014

Migen Memelli Flamurtari 18

 Juventusi kërkon me insistim Adnan Januzajn

 Në Angli janë të sigurt, talenti me origjinë shqiptare, Adnan Januzaj është nën vëzhgim të rreptë nga Juventusi që dëshiron të përsërisë një transferim të ngjashëm me atë të Paul Pogba. Talenti i Mançester Junaitid po bind në Premier League dhe kjo nuk ka kaluar pa rënë në sy nga “Zonja e Vjetër” që kërkon të përfitojë nga fërkimet e lojtarit me klubin ku kërkon më shumë hapësira. Sipas “Daily Mail”, bardhezinjtë kanë nisur të lëvizin konkretisht për talentin shqiptar 18-vjeçar me pasaportë belge, i cili shihet edhe si pasardhësi i Rajan Gigsit në radhët e “Djajve të kuq”. Mojes nuk është i gatshëm t’i ofrojë një kontratë serioze, gjë të cilën synon ta bëjë Marota edhe pse lojtari ka një kontratë që e lidh me klubin anglez deri në vitin 2015.

 Barcelona kërkon talente në Kosovë

 Barcelona e Lionel Mesit, e cila ka një nga akademitë e moshave më të mira në botë, po bisedon për të hapur një kamping stërvitor në Kosovë, me qëllim zbulimin e talenteve të rinj. Klubi spanjoll ka bërë të njëjtën gjë në Bosnjë Hercegovinë në pranverën e këtij viti dhe një nga drejtuesit e kampingut atje është takuar në Prishtinë me Fadil Vokrrin, president i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK). Ndërmjetës i takimit ka qenë Fuad Muzuroviç, ish-trajner i Vokrrit në kohën kur ky luante me Prishtinën. Muzuroviç ishte kryetar i një delegacioni futbolli nga Bosnja, i cili ka vizituar Kosovën, duke pasur si anëtar edhe zyrtarin e kampingut të Barcelonës. Vokrri nuk ka preferuar të bëjë komente për këtë çështje, por nuk e ka mohuar zbulimin që është bërë nga gazetarët kosovarë.