Tetori ndërkombëtar i Shqipërisë

599
Sigal

Katër ekipet përfaqësuese tona do të zhvillojnë nëntë ndeshje zyrtare dhe miqësore në harkun e 15 ditëve

E gjithë Shqipëria e futbollit do të jetë një aksion ndërkombëtar, duke filluar nga Kombëtarja më e vogël, U-17, deri ajo madhe, A. Si asnjëherë tjetër, në harkun e 15 ditëve (12-23 tetor), katër ekipet tona përfaqësuese do të zhvillojnë të gjitha së bashku, jo pak, por nëntë ndeshje: tetë zyrtare dhe një miqësore (U-21). Takimet zyrtare u përkasin eliminatoreve të Kampionatit Botëror “Brazil 2014” për Kombëtaren A, si dhe kualifikueseve të Europianit 2013, për ekipet përfaqësuese U-17 dhe U-19, ndërkohë që kundërshtarët janë Islanda, Sllovenia, Italia, Belgjika, Bjellorusia, Hungaria, Lihtenshtejni, por dhe Anglia C, apo U-23 siç quhet ajo. E veçanta është organizimi i eliminatoreve Euro U-19 në Vlorë dhe Fier, atje ku do të luajmë kundër Italisë, Belgjikës dhe Bjellorusisë.

KOMBËTARJA A

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, e ka të qartë misionin e tij, kur kuqezinjtë do të përballen me Islandën (12 tetor, 19:00) dhe Slloveninë (16 tetor, 21:00): nuk i lejohet humbja. Të dyja ndeshjet do të luhen në “Qemal Stafa”, çka do të jenë edhe dy takimet e fundit ndërkombëtare që do të zhvillohen në impiantin mitik të kryeqytetit, por tërësisht të amortizuar. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, e ka thënë fjalën e tij: më e pakta, katër pikë nga dy sfidat, kjo dhe për ta mbyllur vitin me një pozicion sa më të mirë. Nga dy ndeshjet e para, kuqezinjtë fituan 3-1 me Qipron (në Tiranë) dhe humbën 2-0 me Zvicrën (në Lucernë). Shqipëria është në vendin e tretë të renditjes në grup, me 3 pikë, aq sa ka edhe Islanda, Qipro dhe Norvegjia. Kryeson Zvicra me pikë të plota, 6 të tilla, ndërsa e fundit është Sllovenia pa asnjë pikë.

KOMBËTARJA U-21

Shpresat e mbyllën në vendi e fundit në eliminatoret e Euro 2013, duke bërë një sezon në kontrast, edhe pse u drejtuan nga dy trajnerë: Artan Bushati dhe Skënder Gega. Shqipëria U-19 do të luajë, më 16 tetor me Anglinë C, apo U-23 siç njihet kjo kombëtare angleze. Takimi do të luhet në “Niko Dovana” të Durrësit. Trajneri Skënder Gega do ta publikojë sot listën dhe në të janë thirrur disa lojtarë të rinj, pasi një pjesë e lojtarëve që mbyllën edicionin ose e kanë kaluar moshën, ose janë në kufirin e U-21. Miqësorja mund të konsiderohet edhe si luksi, pavarasisht se do të luhet me lojtarë anglezë më të mëdhenj në moshë. Nuk ka rëndësi rezultati, sesa njohja që do të kenë lojtarët tanë me njëri-tjetrin. Disa prej tyre do të luajnë për herë të parë së bashku.

KOMBËTARJA U-19

Kombëtarja U-19 e trajnerit Foto Strakosha ka nisur prej 1 tetorit, përgatitjet për eliminatoret e Kampionatit Europian 2013, ku në grupin 7 marrin pjesë përveç Shqipërisë, edhe Italia, Belgjika dhe Bjellorusia. Ndeshjet kualifikuese do të luhen në datat 12-17 tetor, në Vlorë dhe Fier. Finalet e Europianit do të luhen në Lituani, në 20 korrik-1 gusht 2013. Shqipëria do të luajë fillimisht me Italinë (12 tetor), dhe më pas me Belgjikën (14 tetor) dhe Bjellorusinë (17 tetor). Kjo është hera e dytë, që Shqipëria merr përsipër organizimin e eliminatoreve të një eventi europian të moshave, pasi më parë e ka bërë atë me përfaqësueset U-17, në vitin 2009, ku në Tiranë dhe Durrës luajtën Franca, Holanda dhe Letonia.

KOMBËTARJA U-17

Kjo përfaqësuese e drejtuar nga boshnjaku Xhemal Mustedanagiç po i zhvillon përgatitjet prej disa ditësh në qytetin e Elbasanit, atje dhe ku është grumbulluar, në kuadër të përgatitjeve për eliminatoret e Europianit të asaj moshe. Kundërshtarët janë emra të rëndë, me përjashtim të Lihteshtejnit. Duke menduar se përballë kemi Italinë dhe Hungarinë (takimet luhen po këtu), atëherë është e qartë se kërkohet një impenjim dhe profesionalizëm.  Shqipëria e nis me Italinë (18 tetor), Hungarinë (20 tetor) dhe e mbyll me Lihtenshtejnin (23 tetor).  Edicionin e kaluar ia dolëm të kalonim këtë fazë, duke marrë pjesë për herë të tretë ën fazën e Elite Rounde. Një arritje kjo për futbollin modest që kanë moshat në Shqipëri.