“Tërmet” te Roma, largimi i De Rossi krijon përçarjen e parë

531
Sigal

Daniele De Rossi njoftoi se pas 18 vitesh do të largohet nga Roma, jo për t’u tërhequr përfundimisht, por për ta vijuar diku tjetër karrierën e tij si futbollist.

Mesditën e së martës, mesfushori doli në një konferencë për shtyp ku foli hapur dhe pranoi se nuk është trajtuar në mënyrën e duhur, një farë pabesie ndaj tij, për këtë vendosi të largohet nga klubi ku nisi hapat e parë të karrierës si futbollist.

Largimi në këtë mënyrë i kapitenit të tyre ka krijuar tension në opinionin sportiv ku ish-lojtarë si Paulo Maldini dhe Marco Delvecchio u shprehën të habitur për mënyrën si e larguan 35-vjeçarin dhe nuk ngurruan të sulmojnë klubin roman.
Një gjë të tillë e kanë bërë edhe tifozët gjatë natës së shkuar.

“Fëmijë i Romës, kapiten e flamurtar. Ja respekti dhe dashuria që ky klub nuk e ka pasur kurrë”, shkruhej në një mesazh të vendosur në hyrjen kryesorë të zyrave të klubit kryeqytetas, i shoqëruar edhe me flamurin amerikan, që nënkupton prejardhjen e presidentit James Pallota.

Ndërkohë në shtëpinë e Daniele De Rossi është dërguar një mesazh inkurajues nga tifozët: “DDR krenaria jonë”.

Ndërsa nga kampi roman vjen një tjetër mesazh kundër Pallota: “Një president derr dhe një shoqëri jokompetente. DDR përgjithmonë në zemrat e njerëzve”.