“Tërmet” në Superligë, ikin Lekbello dhe Gjoka

487
Sigal

Alban Tafaj, trajneri i ri i Tiranës. Edi Martini te Luftëtari. Nëntë trajnerë kanë ikur në 8 javë

Duket se Kategoria Superiore është përfshirë nga një efekt “domino” dorëheqjesh trajnerësh. Tre të tilla brenda 24 orëve të fundit: Nevil Dede u largua nga Luftëtari, Artur Lekbello nga Tirana, dhe i fundit në radhë është Ernest Gjoka nga Apolonia. Themelet e Superligës janë tronditur jo pak, boll të kujtojmë se, shtatë nga 14 skuadra i kanë ndryshuar trajnerët me të cilën nisën sezonin.

Tafaj te Tirana

Alban Tafaj është trajneri i ri i Tiranës, pas dorëheqjes së Artur Lekbellos, për shkak të rezultateve të dobëta të Tiranës, në kampionat (vendi i katërt) dhe në Kupën e Shqipërisë (në rrezik real të eliminohet nga Kukësi, pas humbjes 4-0). Në fakt, dorëheqja e Lekbellos, dikur një ish-lojtar i famshëm i Tiranës, e më pas me një karrierë me Arisin e Selanikut, erdhi për shkak të një presioni të jashtëzakonshëm që ushtruan nga drejtuesit e lartë të klubit, por dhe nga tifozeria, që nuk mund ta toleronte me teknikun më shumë pak përvojë në drejtim të një skuadre. Dorëheqja e Lekbellos erdhi pas një takimi konsultues me administratorin Salih Tagani, ku ky i fundit i shtroi trajnerit dhe argumentet për një largim me konsensus të teknikut. Në komunikatën për shtyp të shpërndarë për mediat, Klubi i Futbollit Tirana falënderoi zyrtarisht ish-trajnerin Artur Lekbello “për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e tij duke i uruar suksese të metejshëm në punën e tij”, duke bërë të ditur edhe emërimin e Alban Tafajt në detyrën e trajnerit të ekipit të parë.  Tafaj i drejtoi zyrtarisht bardheblutë dhe në javët 2-3 të këtij edicioni, pas refuzimit të spanjollit Hulian Rubio për të nënshkruar kontratën me 24 herë kampionët, duke fituar 3-0 me Shkumbini në “Selman Stërmasi” dhe barazuar 1-1 me Teutën në “Niko Dovana”. 39-vjeçari Alban Tafaj, aktualisht me detyrën e drejtorit sportiv, është dhe trajneri i fundit që i ka dhënë një titull kampion Tiranës, pikërisht në sezonin 2008-2009, një trofe të cilin ai duhet ta ndajë me paraardhësit e tij, boshnjakun Bllazhe Slishkoviç dhe Agustin Kolën. Tafaj ka luajtur gjatë karrierës së tij futbollistike me Partizanin (kampion në sezonin 1992-1993) si dhe me Tiranën (kampion: 1998-1999, 1999-2000, 2002-2003, 2003-2004, 2004-2005), si dhe disa Kupa dhe Superkupa të Shqipërisë.

Martini te Luftëtari

Pa kaluar 24 orë nga vetëlargimi i Nevil Dedes, Luftëtari zyrtarizoi emrin e ri të trajnerit. Ai është shkodrani Edi Martini, i cili dhe më parë e ka drejtuar skuadrën gjirokastrite. 37-vjeçari gjatë karrierës së tij si trajner ka drejtuar edhe Vllazninë, Teutën dhe Laçin. Nevil Dede dha dorëheqjen e parevokueshme nga stoli i Luftëtarit, pas humbjes me Flamurtarin (2-3), e treta rresht në shtëpi, çka vulosi dhe largimin përfundimtar të ish-teknikut. Në fakt, Dede, e kishte dhënë edhe një herë më parë  dorëheqjen edhe pas humbjes 2-0 me Besën e Kavajës, po në Gjirokastër, por këmbëngulja e presidentit Flamur Bime (kryetarit të Bashkisë), ia mbushi mendjen për të mbërritur sërish, ndërkohë që humbja me Flamurtarin vendosi dhe fatin e teknikut tiranas. Si lojtar, Edi Martini ka veshur fanellat e shtatë ekipeve, teksa ka luajtur në Slloveni me Svoboda Ljubljana (1994-1995), në Austri me Austria Klagenfurt (1996) dhe në Gjermani me Eintrahtin e Frankfurtit (1997-1999). Martini është formuar si futbollist te Vllaznia e Shkodrës. Ndeshja e parë e Luftëtarit me Edi Martinin në bankinë është ajo kundër Laçit. Kurbinasit pësuan një humbje të thellë 4-0 me Bylisin në Ballsh dhe e shohin takimin me gjirokastritët si një shans për të fituar tri pikë.

Ikja e Gjokës

Edhe pse u impenjua maksimalisht, trajneri Ernest Gjoka nuk arriti të fitojë asnjë nga tetë ndeshje me Apoloninë, duke dhënë dorëheqjen e parevokueshme nga skuadra fierake, në mungesë të alternativave. Gjoka regjistroi katër barazime dhe katër humbje, duke grumbulluar vetëm katër pikë dhe duke qenë e parafundit, pra në zonën e rënies nga Kategoria. Apolonia pati shumë probleme organizative dhe financiare.