“Tërmet” 7 ballë, Brazili shpartallon Hondurasin në miqësore

117

Brazili është treguar i pamëshirshëm në miqësore, teksa ka shpartalluar Hondurasin me rezultatin e thellë 7-0.

Skuadra “seleçao” nuk e ndjeu aspak mungesën e Nejmar, teksa të gjithë lojtarët në repartin e avancuar arritën të gjenin rrugën e rrjetës.

Ishte Gabriel Zhezus ai që hapi serinë e golave në minutën e 6-të, ndërkohë që Tiago Silva dyfishoi rezultatin 7 minuta më vonë. Brazilianët nuk u mjaftuan me 2 gola në pjesën e parë, teksa në minutën e 37-të, Kutinjo shënoi golin e tretë nga pika e bardhë e penalltisë.

Me një lojtar më pak që nga minuta e 29-të, Hondurasi e kishte të pamundur të bënte diçka në këtë sfidë dhe skuadra e Tites arriti të shënonte edhe 4-herë të tjera në pjesën e dytë. Gabriel Zhezus, Firmino, Neres dhe Riçarlison ishin autorët e golave në këtë fitore të thellë.