Tërbuni “harron” ndeshjen e vet, mban sytë tek Mamurrasi-Besëlidhja

500
Sigal

Java e 18-të e Kategorisë së Parë sjell edhe mbylljen e fazës së dytë të këtij kampionati, fazë që ka folur më shumë për disa ekipe, ndër të cilat Tërbuni, Mamurrasi dhe Besëlidhja në grupin A,  e Bylis, Sopoti, Lushnja e Butrinti në grupin B

Grupi A

Mamurrasi-Besëlidhja, “kërcënuesit” e vërtetë të Tërbunit

Përballje për titull, përballje që nuk njeh favorit, përballje që ka shumë sy të drejtuar sa i përket grupit A, sy që vijnë edhe nga Puka, e pikërisht për të parë një rezultat që ndalet në barazim. Por forca e këtyre dy ekipeve, Mamurrasit dhe Besëlidhjes, nuk parashikon se do të ndalen në barazim, pasi interesi parësor është fitorja, fitore që vlen për të rritur pozitat në renditje, nisur nga fakti se ndodhen aq pranë me ekipin kryesues. Mamurrasi është ekipi që pret në shtëpi Besëlidhjen dhe mund të thuhet që këta dy ekipe janë të vetmet kundërshtare të Tërbunit, e në takimin e sotëm, secila prej tyre do të mundohet të hedhë një “grep” më shumë, për të peshkuar nga sa më afër “peshkun” e vështirë, të quajtur Tërbuni.

Kastrioti-Tërbuni, ndeshje e lehtë për pukjanët

Nëse mund të bëhet një parantezë, ndeshja që Tërbuni ka sot me Kastriotin do të marrë më pak vëmendje sesa takimi i Mamurrasit me Besëlidhjen. Kjo sigurisht për faktin se Kastrioti nuk mund të cilësohet si ekip i fortë dhe i rrezikshëm për pukjanët, që edhe ata vetë si ekip vëmendjen më të madhe mund ta kenë të përqendruar tek ndeshja e rivalëve që i ndjekin nga pas. Sa i përket ndeshjes me Kastriotin, pritet që të jetë një nga ata takime që nuk duhet të gabojë, duke shpresuar kështu në ndonjë gabim të mundshëm të dy ekipeve tjera kundërshtare për titull.

Grupi B

Tomori-Lushnja, “beteja” e grupit

Një mundësi rikthimi për Lushnjën, që vjen direkt pas humbjes me Sopotin, humbje që i kushtoi kështu edhe ndarjen e kreut me Bylisin. Tomori, si skuadër pritëse dhe skuadër aspak e lehtë, ka mundësinë ndoshta që të përfitojë nga kjo “dobësi” aktuale e lushnjarëve, për të arritur një fitore që me shumë mundësi do tu jepte një hov të madh përpara. nga ana tjetër, Lushnja nuk pritet që të bëjë ndonjë gabim, duke shpresuar gjithmonë për një fitore, ose më saktë duke luftuar për një të tillë, diçka që sigurisht do të sillte garancinë e munguar në javën e mëparshme.

 Takimet e sotme

Grupi A

15:00 KF Mamurrasi – KS Besëlidhja
15:00 KF Iliria – KF Burreli
15:00 KS Kastrioti – KF Tërbuni
15:00 FC Besa Kavajë – FK Veleçiku
15:00 FK Kamza – KF Ada Velipojë

Grupi B
15:00 FK Tomori – FC Lushnja
15:00 FK Bylis – KF Naftëtari
15:00 KS Luftëtari – KF Butrinti
15:00 FK Dinamo Tirana – KF Pogradeci
15:00 KF Sopoti – KS Shkumbini