“Telenovela” italiane drejt Botërorit 2018, mbyllet me “Apokalips”

Nga Agron KAJA

PLAY-OFF/BOTËRORI “RUSI 2018”/ Itali-Suedi 0-0, u mbyll ndeshja e parafundit që kualifikoi skuadrën e 13-të evropiane për në Rusi

Në “San Siro”, dje u përjetua një ëndërr 90-minutëshe, për të shkuar në ndeshjet finale të Botërorit, i cili do të luhet verën e ardhshme në Rusi. Italia nuk do të jetë aty, së bashku me të mëdhatë edhe me të reja, por edhe me ato që kanë fituar botërorë. Katër herë Kampionia e Botës nuk është në finalet e Botërorit, për herë të parë në historinë e saj. Lot e zhgënjim në fund, por ja që Suedia e meritoi atë barazim 0-0, dhe goli që shënoi në takimin e parë duke fituar 1-0, i dha shansin që të jetë ajo në Botëror. Nëse kemi parë një ndeshje ku Italia kërkonte me çdo kusht golin, brenda gjithë përpjekjeve u pa edhe “busulla” e humbur e golit, edhe pse ai u kërkua thuajse nga të gjithë lojtarët. Në të gjitha mediet online të Italisë, ky barazim që e nxori jashtë finaleve të Botërorit, është quajtur si një “Tragjedi”, është quajtur si “Apokalips” në kombëtaren axure, e plot tituj të tjerë, të cilët natyrshëm i shkojnë këtij eliminimi të kësaj skuadre të madhe, por shumë të vogël për ta mbajtur këtë kostum në 180 minutat e fundit. Gjithsesi, le të kujtojmë se Italia dje u ndesh me Suedinë, një skuadër e fortë, e cila që në shortin e play-off-it e deklaroi se nuk do të trembej nga emri i skuadrës italiane. Thuajse 90 minutat e kohës së rregullt, dhe 8 minutat shtesë që u dhanë pas dy pjesëve, folën për epërsinë e Italisë. Trajneri Ventura i kishte besuar golin dyshes sulmuese Gabiadini dhe Imobile, të mbështetur nga krahët nga Kandreva e Darmian. Me protagonist humbës të golit Florencin, Italia nuk e gjeti rrjetën e Suedisë, sepse nuk ishte plotësisht e sigurt në treshen e mbrojtjes Kielini, Bonuçi e Barzjali, të cilët edhe pse nuk e lanë kundërshtarin që të kërcënonte, nga ana tjetër, nuk i dhanë shtysën e duhur pjesës tjetër të skuadrës. Te suedezët, Berg ishte shumë i maskuar, dukej më shumë sikur luante në mesfushë, por ishte ai që e bëri “lëmsh” në disa raste mbrojtjen italiane. Kështu u mbyll kjo ndeshje e dytë mes këtyre dy skuadrave, duke e çuar me meritë Suedinë në finalet e Botërorit, skuadra e 13-të e kualifikuar në Zonën e Evropës. Sot mbyllen ndeshjet play-off në zonën e Evropës me ndeshjen Irlandë-Danimarkë, ku në takimin e parë në Kopenhagë 90 minutat u mbyllën me rezultatin e barabartë 0-0. Një ndeshje e hapur për çdo rezultat.

Ndoshta dje, Bufon luajti 90 minutat e fundit “axure”!
Sikundër edhe kishte paralajmëruar, se do të tërhiqej pas finaleve të Botërorit 2018, portierit të Italisë, Xhanluixhi Bufon, me ndeshjen e djeshme ndaj Suedisë, duket se i mbaroi “mandati” në katërkëndorin e skuadrës kombëtare dhe mundet që të tërhiqet. Nuk ishte e thënë që 39-vjeçari me rreth 175 ndeshje në Kombëtare në 20 vite, ta mbyllte atë me një Botëror, ndoshta edhe si pretendent. Por, edhe ëndrra e tij ka qenë me metrazh të shkurtër, në 180 minuta që nisën në “Friends Arena” e deri në “San Siro”, dje më 13 nëntor 2017. Nëse do ta mbajë fjalën, italianët e kanë përcjelljen e tyre tradicionale: “Addio Xhixhi”! Këtu në celularin e karrierës i vjen sinjali “SOS”.

PLAY-OFF/ EVROPA 
Ndeshjet e para 
Datë 9 nëntor 2017 
Irlanda V-Zvicër 0-1 
Kroaci-Greqi 4-1 
Datë 10 nëntor 2017 
Suedi-Itali 1-0
Datë 11 nëntor 2017 
Danimarkë-Irlandë 0-0 
Ndeshjet e kthimit
Datë 12 nëntor 2017 
Zvicër-Irlanda V 0-0
Greqi-Kroaci 0-0
Dje, 13 nëntor 2017 
Itali-Suedi 0-0
Sot, 14 nëntor 2017 
Irlandë-Danimarkë 19:45

ZONA E EVROPËS
Sot Irlandë-Danimarkë, Evropa në numrin e fundit
Formula e ndeshjeve play-off në zonën e Evropës, sot u jep fund ndeshjeve përcaktuese për skuadrat që shkojnë në finalet e Botërorit “Rusi 2018”. Irlandë-Danimarkë është sfida që luhet në orën 20:45, me një 90 minutësh që objektiv ka kompeticionin më të madh të futbollit botëror. Nisur nga ndeshja e parë të luajtur në “Parker Stadium” në Kopenhagë, duket se Irlanda ka më shumë shanse, por barazimi 0-0 le të hapur çdo rezultat.

JANË KUALIFIKUAR
1.GRUPI A/ Franca 23 pikë
2.GRUPI B/ Portugalia27 pikë
3.GRUPI C/ Gjermania30 pikë
4.GRUPI D/ Serbia 21 pikë
5.GRUPI E/ Polonia 25 pikë
6.GRUPI F/ Anglia 26 pikë 
7.GRUPI G/ Spanja 28 pikë
8.GRUPI H/ Belgjika 25 pikë
9.GRUPI I/ Islanda 22 pikë
10.Rusia si vend organizator
KUALIFIKIM NGA PLAY-OFF
11.Kroacia/ 12.Zvicra/ 13.Suedia

ITALIA/ FITORET E BOTËRORË
Botërori Viti Vendi
Nr 2 1934 Itali
Nr 3 1938 Francë
Nr 12 1982 Spanjë
Nr 18 2006 Gjermani