Tefik Osmani: Me ndihmën e tifozëve, kualifikohemi me Mlladën

665
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”qendërmbrojtësi i skuadrës së Skënderbeut, humbjen në takimin e parë me çekët e quan të pamerituar
Mbrojtësi titullar i Skënderbeut, Tefik Osmani, e quan të mundshëm kalimin e skuadrës së Mllada Boleslavit në ndeshjen e dytë që do të luhet të enjten në stadiumin “Elbasan Arena”. Për këtë objektiv, ai mendon se roli i tifozerisë do të ketë ndikim të madh, ndaj kërkon që ata të bëhen pjesë e këtij suksesi. “Për ne, pika më e fortë janë tifozët tanë. Nëse ata do të vijnë në stadium dhe të na përkrahin si në ndeshjen me skuadrën e Kairatit në turin e dytë, do të na motivojnë më shumë drejt kualifikimit. U kërkoj që të sfidojnë gjithçka atë ditë dhe të jenë në stadium, ne do të japim më shumë se 100% me mbështetjen e tyre”, kështu theksoi Tefik Osmani në intervistën e tij për gazetën “Telegraf”, duke iu referuar kryesisht ndeshjes së parë me Mllada Boleslav të Republikës Çeke, por edhe për takimin e kthimit që do të luhet në “Elbasan Arena”, ditën e enjte datë 3 gusht 2017, ora 20:00.
E keni analizuar humbjen në ndeshjen e parë me çekët e Mllada Boleslav?
Patjetër që po, madje nga stafi teknik ka nisur puna jonë për ndeshjen e kthimit, të cilën do ta luajmë të enjten në Elbasan. Në të dyja pjesët, loja jonë ka qenë e ndryshme, pasi në të parën ishim dobët dhe pësuam një gol që nuk mendohej. Ndryshe në pjesën e dytë, ku edhe pse u ndëshkuam nga një tjetër gol pa pretendime, luajti më mirë dhe barazimi duhet të ishte rezultati përfundimtar.

Keni pësuar dy gola që ishin të evitueshëm, ku e shikoni mangësinë në shënimin e tyre?
Ç do skuadër funksionon në tërësinë e lojës së saj në të gjithë repartet, dhe sikundër shënimi, ashtu edhe pësimi, kanë pjesë në të gjithë skuadrën. Nëse do të kishim treguar më shumë kujdes që në thyerjen e kundërsulmit të kundërshtarit, të dy golat e çekëve ishin të evitueshëm. 

Ndoshta edhe mesfusha juaj në atë humbje nuk funsionoi në harmoni të plotë me pjesën tjetër të skuadrës?
Ndoshta edhe po, por unë këmbëngul në atë çka deklarova më sipër, se skuadra funksionon në harmoni në të gjitha repartet, edhe kur ndëshkohet, por edhe kur ka sukses. Kështu që, grupi në pjesën e parë nuk ishte në funksion të plotë, çka solli edhe pësimin e një goli që nuk duhej menduar fare të shënohej nga kundërshtari.

Nga ana psikologjike, sa e mban presionin skuadra juaj për ndeshje të tilla?
Skënderbeu ka shtatë sezone që luan në Evropë, ku kemi arritur të luajmë deri në fazën e grupeve të Evropa Ligës, ndaj them se në këtë këndvështrim, nuk bëhet fjalë për ndonjë presion nga ana psikologjike. Kjo ngarkesë tashmë është e qartë, sepse pas eliminimit të Kairatit, kundërshtari në turin tjetër nuk mendohej të ishte më i dobët.

U ndëshkuat nga çekët në dy raste të evitueshme, po cilat janë sipas jush pikat më të forta të Mlladës që duhen evituar në takimin e dytë?
Nuk mendoj se kishin ndonjë pikë të fortë që të bënte diferencën me ne, veç se ndeshja ishte në stadiumin e tyre. Ky ishte faktori i vetëm për Mlladën në fitoren e ndeshjes së parë. Por unë do ta shikoja në një tjetër këndvështrim pikën e fortë tonë, dhe pikën e dobët të kundërshtarit, gjithmonë për ndeshjen e kthimit.

Dhe cila është sipas jush pika më e fortë që do të keni të enjten në “Elbasan Arena”?
Për ne, pika më e fortë janë tifozët tanë. Nëse ata do të vijnë në stadium dhe të na përkrahin si në ndeshjen me skuadrën e Kairatit në turin e dytë, do të na motivojmë më shumë drejt kualifikimit. U kërkoj që të sfidojnë gjithçka atë ditë dhe të jenë në stadium, dhe ne do të japim më shumë se 100% me mbështetjen e tyre.

Ju e mendoni përmbysjen në takimin e kthimit?
Çdo gjë është e hapur për të dyja skuadrat, por për ne është më afër kualifikimi, për dy arsye: Së pari, do të luajmë në fushën tonë dhe me tifozerinë që e kemi pasur realisht “Lojtarin e 12-të”, 
së dyti, ne vetëm një gol na kualifikon. Të dyja këto them se janë të realizueshme, dhe ne këto do ti kemi pikat e referimit për kualifikim në atë takim.

Do të keni mungesa titullarësh në këtë takim të kthimit të Elbasan?
Në formacionin titullar, për ndeshjen e së enjtes në Elbasan, rikthehen si titullarë Lilaj dhe Xhejms, dy lojtarë të rëndësishëm që nuk ishin pjesë në takimin e parë. Së bashku me ta, i gjithë grupi do të japë maksimumin, sepse Skënderbeu ka një grup të konsoliduar lojtarësh, që kur bëhen bashkë në lojën e tyre, kanë mundësi të zgjidhin situata edhe më të vështira se sa kjo që kemi përpara me Mlladën.

Duke qenë se shanset janë 50 me 50, ju e meritoni që të kualifikoheni ndaj Mlladës ditën e enjte?
Nëse do të luajmë si në pjesën e dytë në Çeki, mendoj se kualifikimi është plotësisht i arritshëm. Ne e meritojmë kualifikimin, për të gjitha ato arsye e mundësi që së bashku i prekëm në këtë bisedë.

Nëse kaloni Mlladën, ndoshta i keni bërë llogaritë se sa larg do të shkoni në Evropa Ligë për këtë sezon?
Synimet e Skënderbeut nuk janë inferiore, ndoshta si pesë apo gjashtë sezone më parë për ndeshjet në Evropë. Jemi e vetmja skuadër e futbollit shqiptar që në këtë sezon kemi arritur deri në turin e tretë eliminator, dhe kjo na motivon të besojmë se kemi mundësi të shkojmë më shumë se sa ndeshjet e play-off-it. Por, llogaritë bëhen hap pas hapi.
Për ne, pika më e fortë janë tifozët tanë. Nëse ata do të vijnë në stadium dhe të na përkrahin si në ndeshjen me skuadrën e Kairatit në turin e dytë, do të na motivojmë më shumë drejt kualifikimit. U kërkoj që të sfidojnë gjithçka atë ditë dhe të jenë në stadium, dhe ne do të japim më shumë se 100% me mbështetjen e tyre
3 ture
Skuadra e Skënderbeut ka arritur në turin e tretë eliminator të Evropa Ligë, me 3 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje
UEFA Evropa Ligë
Sezoni 2017-2018 
Ndeshjet e Skënderbeut
Turi parë eliminator
Takimi parë/ 29.06.2017
Skënderbeu-S. Hullia 1-0
Takimi kthimit/ 06.07.2017
S. Hullia-Skënderbeu 0-5
Turi i dytë eliminator
Takimi parë/ 13.07.2017 
Kairat A-Skënderbeu 1-1
Takimi kthimit/ 20.07.2017
Skënderbeu-Kairat A 2-0
Turi i tretë eliminator
Takimi parë/ 27.07.2017 
Mllada B-Skënderbeu 2-1
Takimi kthimit/ 03.08.2017 
Skënderbeu-Mllada B 20:0
Sigal