Sigal

“Kam flokë të gjatë, i kam mbajtur gjithmonë kështu, por nëse fitojmë ndaj Juventusit, do t’i pres të gjitha, do t’i bëj si Nainggolan”. Pra, presidenti i Sampdorias, Massimo Ferrero, bën një premtim të çmendur në mikrofonët e “Rai Radio 1 Sport”, në prag të ndeshjes së nesërme me bardhezinjtë.

Numri një i klubit të Sampdorias mund të festojë kthimin e pronave, të vendosura nën sekuestro nga Gjykata e Riesame, si pjesë e  “Fuori Gioco”: “Nuk është një fitore dhe as humbje. Janë bërë hetimet dhe ka rezultuar kështu. Të gjithë gazetarët janë duke hetuar një apartament nën çati, por ai ishte në katin e parë. Tani, ne duhet të presim për zhvillimet gjyqësore. Unë dua të jap një sinjal të rëndësishëm, që ju të gjithë të kuptoni se Sampdoria është jeta ime”.

Presidenti i Sampdorias ka folur edhe për incidentet serioze të dhunës, që ndodhën para ndeshjes Inter-Napoli, me një tifoz të vdekur, por edhe ulërima raciste kundër Koulibaly: “Futbolli është argëtim dhe kjo gjë nuk duhet të ndalet. Duhen shtuar kujdestarë për zbatimin e ligjit.

Nëse një ultras shkon në stadium për të shqetësuar të tjerët, ai duhet neutralizuar. Por, në stadiume janë 60 mijë njerëz dhe nuk mund të ndëshkohen të gjithë për një “dru të shtrembër”. Në futboll nuk duhet të ketë dhunë dhe racizëm, ne po flasim për sport dhe argëtim. Për dhunën, disa njerëz janë arrestuar”.