Të mëdhatë e Superligës “mbretërojnë” në merkato, askush më mirë se Tirana dhe Kukësi

582
Sigal

Deri më tani, janë përfshirë pothuaj të gjitha skuadrat në merkato, përveç Elbasanit, që duket e ka marrë me të lehtë blerjen e futbollistëve

Duket se dëshira për të fituar këtë sezon, po vë në lëvizje skuadrat që realisht luftojnë për titullin kampion, për të bërë zgjedhje sa më të mira në  merkato në mënyrë që të përforcojnë ekipin aktual. E drejtimi, ose më saktë pika e blerjes për disa nga skuadrat kryesore, ka qenë Flamurtari që është shndërruar në një “kantier ndërtimi”, ku shumë nga lojtarët janë larguar, disa me drejtime të ditura e disa me drejtime të paditura. Synimi i vlonjatëve është që të tregohen sa më efikas sa i përket përbërjes së futbollistëve, ku sigurisht cilësia nuk duhet të mungojë por edhe paga dhe çmimi të jenë në nivele normale, sepse siç e tregoi edhe përvoja e tyre, problemet në një skuadër nuk vijnë gjithmonë nga pamundësia financiare, por edhe nga “mundësia”. Deri më tani, janë përfshirë pothuaj të gjitha skuadrat në merkato, përveç Elbasanit, që duket e ka marrë me të lehtë blerjen e futbollistëve. Më poshtë po paraqesim disa nga lëvizjet kryesore të futbollistëve, duke përmendur largimet dhe afrimet më të bujshme:

Kukësi është skuadra që është përfshirë më shumë në merkato këtë dimër, duke afruar futbollistë cilësor, ku jo më larg se dje bënë blerjen e radhës me Ardit Peposhin. Verilindorët morën në fillim të muajit janar edhe mbrojtësin Gledi Mici nga Flamurtari dhe gjithashtu Andi Ribaj nga Skënderbeu. Të larguarit nga kampi verilindor janë disa, ndër të cilët është Igli Allmuça, që në fakt solli edhe polemika mes dy palëve për mënyrën e komunikimit të lajmit dhe faktit se Allmuça nuk ndihej i vlerësuar.

Tirana mund të quhet e fituara tjetër e merkatos, ku arritën që të afronin po nga Flamurtari Gjergji Muzakën, një ish i hershëm për kryeqytetasit dhe gjithashtu Francis Kahatën. Pritet që përsëri Tirana të godasë në merkato, ndërsa sa i përket largimeve, deri më tani janë vetë dy, Kagare dhe Olaki.

Sa i takon Partizanit, vihet re se është treguar skuadër “nostalgjike” për futbollistët që ka blerë, ose më saktë, ka risjellë, sepse përbërjes së përgjithshme i janë shtuar edhe dy ish si Bylykbashi dhe Krasniqi. Në fakt trajneri Duro ishte shprehur për një merkato ju shumë të “ndezur” për të kuqtë, duke vlerësuar në maksimum grupin që ka në dispozicion. Skënderbeu ka qenë skuadra më e “urtë” në këtë aspekt, pasi ka afruar vetëm një futbollist, Liridon Latifin, ndërkohë janë larguar tre të tjerë. Vllaznia nga ana tjetër ka vendosur tu besojë të rinjve duke mos u përfshirë në blerje të shumta, ku ka siguruar vetëm praninë e Bardullës, ndërkohë që ikjet janë më të mëdha në numër, ku bien në sy emrat e italianëve që u afruan jo pa bujë në fillim të sezonit. Laçi gjithashtu është treguar jo shumë e kursyer si në afrime edhe në largime, ku i ka thënë po katër afrimeve, ndërkohë që tre janë të larguar. Një skuadër në ndërtim e sipër paraqitet edhe Teuta, që pas paraqitjeve jo të mira në gjysmën e parë ka vendosur t’i bëjë një ndryshim në masë skuadrës, ku vihen re pesë afrime dhe largime të shumta. sa i përket vendit të fundit në renditje, Apolonisë, kanë afruar në mesin e tyre vetëm Amarildo Dimon dhe kanë larguar gjashtë futbollistë të tjerë. Në fakt, deri më tani, të fituarit duket se janë Tirana dhe Kukësi, të paktën në letër, por deri në fund të merkatos që përkon pothuaj edhe me fillimin e gjysmës së dytë, situata sigurisht që mund të ndryshojë, por në fund të fundit ajo që ka rëndësi është rezultati dhe kjo do të shihet vetëm pas fillimit të kampionatit për vitin 2015-ë.

KUKËSI
Afrime: Ardit Peposhi, Gledi Mici, Andi Ribaj, Kreshnik Lushtaku,;
Largime: Ivan Periç, Ibrahim
Bejte; Igli Allmuça

SKËNDERBEU
Afrime: Liridon Latifi;
Largime: Markoni Soza,
Amarildo Dimo, Andi Ribaj;

PARTIZANI
Afrime: Gëzim Krasniqi,
Dorian Bylykbashi;
Largime: Rigers Dushku, Ignat
Dishliev, Argjend Mustafa;

TIRANA
Afrime: Francis Kahata,
Gjergji Muzaka;
Largime: Medie Kagere,
Francis Olaki;

FLAMURTARI
Afrime: Avni Pepa, Albin
Hoxha;
Largime: Gledi Mici, Gëzim
Krasniqi, Dagllas Mendez,
Agim Meto, Gilberto Fortunato,
Halim Begaj, Lejdi Liçaj, Artan
Sakaj, Gilman Lika, Gjergji
Muzaka, Shkodran Metaj;

VLLAZNIA
Afrime: Ersin Mehmedoviç, Florind Bardulla;
Largime: Xhianmarko Kampironi,
Rijat Shala, Edin Mujkoviç,
Giorginjo Aguirre, Mauro
Ciofi,;

LAÇI
Afrime: Agim Meto, Aldo Mitraj,
Argjend Mustafa, Rafael Soza;
Largime: Ervin Llani, Mishel
Bilibashi, Jetmir Sefa;

TEUTA
Afrime: Bekim Kuli, Julian
Brahja, Shaqir Stafa, Fabio
Beqja, Mirel Çota;
Largime:  Fatmir
Hysenbelliu, Brunild Pepa, Besnik Krasniqi,
Xhevdet Shabani, Marvin
Turtulli, Florian Bardulla, Peposhi

ELBASANI
Afrime: S’ka;
Largime: Semiran Çela,
Dorian Bylykbashi, Mirel
Çota;

APOLONIA
Afrime: Amarildo Dimo;
Largime: Dejan Dosti,
Abaz Karakaçi, Bekim
Erkoçeviç, Aldo Mitraj, Mikel
Canka, Erion Xhafa;

Rally Dakar kalon në “hije”, humb jetën piloti Mikael Hernik  

 Në qoftë se duam të gjejmë një nga sportet më të rrezikshme në botë, duhet të kontrollojmë pikë së pari në kategoritë e motorsportit e në nëndarjet të tipit, Rally, Formula 1, MotoGP etj, e për fat të keq, jo më larg se dje, Mikael Hernik,

 pilot i Rallit, humbi jetën gjatë garimit, me akoma të paqarta arsyet e vdekjes, pasi nuk u gjetën gjurmë aksidenti vdekjeprurës në mjetin e tij apo edhe në vendin ku u gjet. Ky sport njihet shumë për aksidentet që përfshijnë pilotët e jo vetëm. Që në 1979 e krijimi të Rally Dakar, kanë gjetur vdekjen gjatë garimit 25 pilotë, por gjithashtu edhe tifozët për fat të keq kanë qenë të përfshirë në aksidentet fatale duke e dërguar numrin e të vdekurve në 50-ë.

Nikola Rizzoli shpallet gjyqtari më i mirë i vitit 2014

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe për një arbitër që mban finalen e Kupës së Botës në futboll, përveç se të shpallej si më i miri për vitin që lamë pas. Rizzoli, arbitri që vitet e fundit po “mbretëron” në drejtësinë sportive brenda fushës, është kurorëzuar së fundmi edhe me “Topin e Artë” për arbitra, duke u shpallur si më i miri në Botë për 2014. Kundërshtarët e tij në këtë çmim ishin gjithashtu të denjë, ku merrte pjesë Hauard Ueb dhe gjermani Feliks Bryzh.

 

Shqipëria U19 humb vetëm në rezultat ndaj Italisë, loja ishte “OK”

 U luajt dje ndeshja e dytë miqësore mes të vegjëlve të Shqipërisë dhe të Italisë, ku përsëri U19-ta jonë e pa veten në humbje ndaj të kaltërve, por në ndryshim nga ndeshja e parë, dje, kuqezinjtë e vegjël treguan një tjetër nivel sa i përket ekzekutimit të ndeshjes. Në fakt, rezultati nuk është se jep vlerën e vërtetë të lojës së Shqipërisë, pasi në fushë treguan vlera të vërteta, sidomos portieri që arriti që të priste edhe një penallti. Kjo ndeshje vlen shumë për Altin Lalën, trajnerin, që të nxjerrë në pah cilësinë dhe të metat e skuadrës, duke bërë edhe një përzgjedhje të hershme për futbollistët që do të vazhdojnë më tej dhe do grumbullohen në ndeshje ndërkombëtare për kualifikimet e kompeticioneve si Kupa e Europës apo e Botës. Goli i vetëm për tanët u shënua nga pika e bardhë e 11 metërshit me anë të Rei Manaj. Ndërkohë që nuk duhet lënë pa u përmendur edhe prezenca e madhe në stadium e tifozëve, që edhe pse luhej një ndeshje miqësore e U19, nuk ngurruan që të jepnin mbështetjen e tyre.