Sigal

Prof. Dr. MEHMET SPAHIU

Brazili po tregon se mposht çdo kundërshtar, në çiftin Suedi-Zvicër priten surpriza

Nga Agron KAJA

Në dy ndeshjet e djeshme gjysmëfinale, cilën veçoni si më të mirën e ditës?
Sikundër edhe u zhvillua ndeshja Brazil-Meksikë, mendoj se brazilianët kishin kualitet më të lartë dhe për këtë duhen veçuar.

 

Ndërsa Belgjika kishte më shumë emocion, një ndeshje të cilën e veçoj si “magjike”, për mënyrën se si u zhvillua ritmika e saj.
Dje, Botërorit i “shpëtoi” një Kampion Bote pa u eliminuar, pritej një moment i tillë?
Që të eliminohej Brazili, si ish-Kampion Bote, ndoshta këtë askush nuk e kishte menduar, madje edhe në kuotat e basteve kishte koeficient të ulët. Për mënyrën se si u zhvillua sfida e tij me Meksikën, ishte superior dhe pa rrezikuar asnjëherë kualifikimin.
Ishte Meksika e pafuqishme ndaj Brazili, apo ishte Brazili që e dominoi këtë sfidë?
Nëse i bëjmë një përshkrim teknik kësaj ndeshjeje, mendoj se Meksika ishte dinjitoze, por nuk arriti të superonte në faza të ndryshme të lojës. Brazili tregoi se taktikisht e teknikisht ishte i përsosur në këtë ndeshje, me sulmin e mahnitshëm u koordinua mirë.
Po Belgjika, çfarë tregoi dje në atë fitore ekstreme ndaj Japonisë?
Jashtë çdo parashikimi, Japonia arriti ta dominonte ndeshjen ndaj Belgjikës, por jo në gjithë hapësirën e saj. Përmbysja e rezultatit nuk ishte rastësi, sepse pritshmëritë ishin për një fitore më të lehtë të Belgjikës. Gjithsesi, në këtë sfidë “magjia” ishte Japonia.
Duke qenë se Japonia ishte skuadra e vetme aziatike në gjysmëfinale, me sa tregoi dje ishte e denjë në këtë tur?

Mendoj se po, përpos atyre mangësive që janë të pranueshme për Japoninë në këtë tur.
Futbolli aziatik ka zhvillime. Të mos harrojmë që në Evropë janë me dhjetëra e qindra futbollistë nga Azia, mes të cilëve Japonia bën diferencën. Ishte e denjë deri në këtë tur.
Sot mbyllen ndeshjet gjysmëfinale, cilat skuadra shkojnë në çerekfinale: Anglia, Kolumbia, Zvicra apo Suedia?
Unë mendoj se turin gjysmëfinal do ta kalojnë Suedia me Anglinë. Sepse suedezët mbrohen mirë, janë të fortë fizikisht dhe kundërsulmojnë rrezikshëm, ndaj i mendoj favoritë ndaj Zvicrës, e cila nuk mendoj se e ka forcën që ta thyejë. Ndërsa Anglia vjen nga një kampionat i madh, dhe Kolumbinë do ta ketë kalesën e radhës.