Taulant Stërmasi: Luiza është e dëmtuar, në Londër nuk do shkonte për piknik!

687
Nga Agron KAJA
“ÇËSHTJA-LUIZA”/ Ja e vërtata e mosshkuarjes në Botërorin e Atletikës të atletes sonë, flet për “Telegraf” trajneri
Në dy ditë e fundit, në media është folur shumë për një “mister”, pse atletja jonë Luiza Gega nuk shkoi në Botërorin e Atletikës, cila është situata sipas jush?
Situta është e qartë. Atletja gjatë përgatitjeve të saj në muajin korrik, ka pësuar një dëmtim, një inflamacion në tendinë, e cila ishte e acarruar në 70%. Për këtë dëmtim, duhen të paktën 10-15 ditë pushim absolut, jo më të garohet.

Kush e konstatoi masën e dëmtimit, ju me Luizën, apo mjekët specialistë?
Është normale që dhimbjen e ka ndjerrë vetë Luiza, ndërkohë që ekzaminimi u bë nga mjketë specialistë në Korçë, nga mjekë specialistë grekë, njëherësh më pas edhe këtu në Tiranë. I gjithë ky grup i specializuar mjkekësh, së bashku me mjekun e ekipit tonë kombëtar, dolën në përfundimin se dëmtimi nuk lejonte garimin e Luizës.

Dëmtimit nuk mund ti ruhesh dhe të thuash pse tani, po pse nuk u bënë kontaktet më të shpejta për lajmin e mosmarrjes pjesë të Luizës në këtë Botëror?
Unë i kam kërkuar mjekut të ekipit tonë Kombëtar që të kontaktonte me Federatën Shqiptare të Atletikës, pasi vetë në dhjetëditëshin e fundit të muajit korrik kam qenë në Lojrat Olimpike Europiane që u zhvilluan në Gior të Hungarisë, së bashku me atleten Relaksa Dauti. Edhe kur isha atje, por sapo mbërrita në Tiranë, kam kontaktuar me Luizën dhe me mjekët e mësipërm, por edhe me mjekur sportiv shqiptar, specialistin Isuf Saliçe. 

Duke e parë kështu situatën, çfarë bëtë për të mësuar më shumë rreth këtij dëmtimi?
Për mua nuk ishte i panjohur, sepse ju thashë që isha në kontakt të vazhdueshëm me Luizën, edhe kur isha në gara në Hungari. Ndaj kontaktova me mjekun grek të Janinës, së bashku me mjekun sportiv shqiptar Isuf Saliçe. Bëmë edhe një ECO të dëmtimit me mjekun grek në Korçë, i cili nuk na dha garanci për rikuperim të shpejtë.

Po këtu në Tiranë, u bë ndonjë ekzaminim tjetër për gjendjen e Luizës?
Me mjekun e ekipit tonë kombëtar, bëmë një rezonancë tjetër te spitali “Vila Maria”, dhe aty doli i njëjti dëmtim, inflamacion i Tendinës së Akilit, e cila nuk të lejon kurrësesi vrapim në kohë të shpejtë. Edhe vetë Luiza e kishte të qartë këtë dëmtim, madje e ka përjetuar shumë keq, sepse mjekët i thanë se, nëse do të vraponte, rrezikonte të këpuste tendinën, një dëmtim ky që të nxjerr jashtë sportit.

Kaq dëmtim i rëndë paska qenë ky, që e mbajti larg Botërorit?
Shiko, aq keq i vjen Luizës, por edhe mua si trajner për këtë dëmtim, sa gjithkush duhet të na besojë si vetja. Të paktën, ne kemi katër muaj që përgatitemi vetëm në Dardhë të Korçës, enkas për këtë Botëror. Para dëmtimit, Luiza kishte parametra shumë të mirë fizikë, dhe unë kisha besim se do të kishim një rezultat të lartë të saj në garën e 3000 m/p. Fati i keq nuk na e dha këtë mundës. 

Ndoshta do ta kenë “më sy” Luizën me këtë dëmtim?
Sido që ta keni ju këtë pyetje, unë përgjigjen e kam se kjo nuk është marrje në sy, por një dëmtim që erdhi gjatë procesit stërvitor. Edhe atletë të mëdhenj në Botë nuk i kanë parashikuar ndonjëherë dëmtimet e tyre. Tashmë rëndësi ka rekuperimi, jo stërhollimi i lajmeve për dyshime. Kjo nuk është marrëdhënie e sinqertë dhe respekt ndaj atletes sonë më të mirë të të gjitha kohrave.

Mos duhej që Luiza të shkonte në Londër për të bërë një konfirmim dëmtimit nga mjekët e Botërorit?
Më vjen keq që duhet ta shohim kështu gjendjen. Ne nuk mendonim në atë situatë se duhej të shkonim në Londër për piknik. Për deri sa mjekët specialistë konstatuan dëmtimin, nuk kishim asnjë arsye të mendonim vajtjen, përpos dëmtimit. E gjithë puna njëvjeçare që bëmë, i gjithë shpenzimi që u bë në këto katër muaj përgatitje në Dardhë të Korçës, na u mbyll me këtë dëmtim që nuk e prisnim.

Dhe kur do ta shohim Luiza Gegën që të garojë sërish këtë vit?
Tashmë ajo është në pushim absolut, sikundër i rekomanduan mjekët, natyrisht me ndjesinë e fatit të keq që nuk mundi të garonte në Botëror. Shpresojmë shumë që muajin tjetër ajo të nisë të vrapojë, por kjo pasi të ketë kaluar një terapi rehabilituese edhe nëpërmjet notimit në pishinë. Unë shpresoj se do të jetë e gatshme në mesin e muajit tetor 2017, për Maratonën e Tiranës.

Mendoni se atëhere Luiza do të jetë plotësisht në gjendje për garë?
Patjetër që po, sepse është koha më e plotë për të kaluar dëmtimin që ajo pësoi. Do të shpresoja e besoja shumë, se Luiza do të hyjë aty dhe të bëjë një garë të mirë, pse jo, edhe të thyejë rekordin kombëtar të mbajtur prej saj.
Kemi katër muaj që përgatitemi vetëm në Dardhë të Korçës, enkas për këtë Botëror. Para dëmtimit, Luiza kishte parametra shumë të mirë fizikë, dhe unë kisha besim se do të kishim një rezultat të lartë të saj në garën e 3000 m/p. Fati i keq nuk na e dha këtë mundësi
Luiza para dëmtimit: Synoj finalen në 3000 m/p
Le të kujtojmë një deklaratë të Luiza gegës para Kampionatit Botëror të Atletikës në Londër. “Unë i kam kapur normat e kualifikimit për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Londrës, në dy displina: 1500 m dhe 3000 m/p. Në garën e dytë ndjehem më e sigurtë për sukses, ndaj do të garoj vetëm aty. Kam katër muaj që përgatitem në Korçë, pasi aty janë kushtet më optimale në këtë stinë. Jam mësuar tashmë me këto kushte, madje edhe me financa të pakta, por rezultati që unë kam arritur në garën ku do të marr pjesë, janë për finale në këtë Botëror. Ndaj dua që ti sfidoj të gjitha ato mangësi që më kanë shoqëruar gjatë përgatitjeve të mia, dhe të mendoj vetëm për garën”. 
2 rezultate
Rezultatet më të mira në garën 3000 m/p: Në Amsterdam 2016, me kohën 9:28,52; në salla të mbyllura në Ebone 2017, me kohën 8:52,53
Sigal