Tatjana Marashi/ Faleminderit Niko!

919
Sigal

Ish-volejbollistja e famshme korçare i drejtohet me një letër të hapur zëvendëskryeministrit, Niko Peleshi

Sporti aq sa është mahnitës dhe i mrekullueshëm, po aq kërkon mund, sakrificë, djersë, përkushtim, stres, garë, por dhe rrezik e rrezik në çdo çast e në çdo vend. Shpesh, kur jemi të rinj e të reja stërvitemi e garojmë mendojmë vetëm për suksesin, por kur jemi prindër e drejtues sporti jemi të përkushtuar sa për të siguruar kushte maksimale për sportistin, aq edhe me merakun si do shkojë, do ketë probleme etj., etj.. Dhe në këtë rrugët të gjatë sportive, edhe unë Tatjana Marashi kam ndier jo vetëm bukurinë dhe magjinë e sportit, por tashmë edhe gravitetin e rrezikut në gara. Javën e kaluar, kam ndier e provuar si ish sportiste, si nënë, si drejtuese sporti dhe si korçare një tmerr pafund. E kush nga ne nuk e mban mend qendrën e basketbollit korçar dhe të kombëtares të skuadrës së Zamir Kolecit, sportisten e madhe Lida Shehi, ajo ishte uragani kur sulmonin dhe diga kur mbroheshim përballë atij Flamurtarit të Çikës, Kuqit, Belit e kompani, përballë “17 Nëntorit” të Myrtos, Bellovës, motrave Alibegaj, etj., por ngjarja e kësaj jave ka të bëjë me djalin e saj, Edgarin! Gjatë stërvitjes së ekipit të basketbollit për meshkuj kam përjetuar çaste të tmerrshme që, vijuan për shumë kohë, kur Edgari i talentuar, befas aty rreth orës 20:30 të datës 21 janar 2014, dëmtohet, dhe humbet ndjesinë tek gjymtyrët e poshtme. (Pra paralizim i gjymtyrëve të poshtme). Trajneri Ilir Nika, i shqetësuar lajmëron ambulancën e Spitalit Civil Korçë, të cilët në moment erdhën dhe kanë qenë të gatshëm, për të shërbyer me korrektësi e humanizëm, si duhet ta karakterizojë këtë shërbim, por edhe me mjaft profesionalizëm. I falënderoj në emër të institucionit, të sportistit e të familjes, për gatishmërinë, predispozitën, e gjithçka që bënë atë natë. Mbas 3-4 orësh ekzaminime të duhura në spitalin e Korçës, si dhe ndihmën e parë, e mbas konsultave të pesë mjekëve, specialistë të traumave e neurologë, u vendos që ky rast, të dërgohet, urgjent në Spitalin e Traumës Ushtarak të Tiranës. Ora po shkonte 24:00, koha fluturonte dhe shqetësimi ynë për Edgarin na zinte frymën. Duhej përkujdesje dhe  kush më mirë se Niko Peleshi, korçari e zyrtari ynë model, prindi shembullor dhe njeriu i përkushtuar e human, miku i sportit, “Skënderbeut” dhe  i gjithë sportistëve korçarë mund të mos ishte pranë Edgarit, një mesazh telefonik në atë orë të vonë dhe Nikua filloi të ndiqte hapa pas hapi ecurinë e sportistit. Këtë rast ai ishte pranë nesh orë e minutë deri sa shëndeti i Edgarit u përmirësua dhe shërua, falë edhe profesionalizmit të mjekëve të spitalit të traumës. Tashmë që jam e qetë dhe që Edgari ja ka hedhur po e falënderoj të mirin Niko, si nënë, si prind:  Faleminderit Niko, për këtë jetë të fituar! Si qytetare korçare, faleminderit Niko, që je njëri prej korçarëve më të edukuar e civil, ashtu si i ka hije qytetit tonë. Si drejtuese e sportit në  qytetin e Korçës, faleminderit Niko, sepse ke qenë e ngelesh zyrtari modern e vizionar, jo vetëm për Korçën, por edhe për Shqipërinë, e për të qenë i tillë ti e tregon edhe me kësi përkushtimesh, për sportin e  sportistët, edhe me mënyrën se si i hape rrugë skuadrës së futbollit “Skënderbeu” kur ta morën për ta përdorur për fushatë, por Ju Niko, për të mirën e skuadrës së zemrës bëre zgjidhjen e duhur. Faleminderit Niko! Ky vend ka nevojë për njerëz si ti, që asnjëherë nuk u lodhe së shërbyeri Korçës tënde, por në veçanti për faktin se celulari yt është i hapur kurdoherë për të gjithë njerëzit në nevojë. Tatjana apo Lida, Zamira apo Pavlina, Kaçi apo Dinella, Vaso apo Duni, Kërçiçi apo Xhambazi, Shkëmbi apo kushdo sportist të falënderon për Edgarin dhe gjithë kontributin tuaj në ndihmë të sportit sepse sporti na bashkon, korçarët, sporti e Korça janë humanizmi dhe vizioni, janë në mendjen e shpirtin tënd, dhe na bëjnë të ndihemi mirë. Të krijosh një imazh apo të bëhesh njeri i mirë, duhen vite, duhen përkushtim dhe investim,por të ngelesh thjeshtë njeri i mirë është vështirë, por ti Niko e ke treguar se mundesh, po mundesh të jesh një profesionist i mirë, politikan vizionar dhe mbi të gjitha mik e i korçarëve. Ky rast tregoi se, sporti sot është në ditë të vështira, infrastruktura, profesionalizmi, sporti financiar, ndarja nga shteti, siguria në ambiente sportive përfshirë dhe atë mjekësore, reforma në drejtim dhe bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit e Sporteve, Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, federatave  dhe deri në qeliza, por përveç kësaj duhet vizion i ri i shtetit dhe aktorëve të sportit, dhe mjafton të ndihesh se në këtë qeveri ka politikanë si Niko Peleshi dhe shpresa shumëfishohet. Faleminderit Niko, jo vetëm që ishe me ne dhe Edgarin, por edhe për mesazhet optimiste që na ofrove se sporti do të bëhet.