Tarashaj: Një pjesë e zemrës sime është shqiptare!

453
Shani Tarashaj nuk ka vendosur ende nëse do të veshë fanellën kuqezi të Shqipërisë apo do të vazhdojë të mbrojë ngjyrat e Zvicrës, për të cilën ka luajtur me të gjitha kombëtaret e moshave. Sulmuesi i talentuar 20-vjeçar i Grasshoper ka pranuar se zgjedhja është shumë e vështirë, pasi duhet të vendosë mes “investimit” që ka bërë Zvicra për të dhe zemrës që rreh për ngjyrat kuqezi. “Kjo është një zgjedhje e vështirë për t’u bërë. Zvicra më ka dhënë shumë, por një pjesë e zemrës sime është shqiptare”, ka pranuar futbollisti për “solothurnerzeitung.ch”, duke treguar se Shqipëria po insiston shumë për të siguruar shërbimet e tij. Në fakt, stafi i përfaqësueses kuqezi, me në krye trajnerin Xhani De Biazi, e ka kontaktuar vazhdimisht sulmuesin e talentuar, i cili në katër ndeshjet e para të kampionatit në Zvicër ka gjetur pesë herë rrugën e rrjetës. Lojtari është i pavendosur, edhe për faktin se mediat zvicerane tani janë hedhur në sulm, duke i kërkuar trajnerit Vladimir Petkoviç që ta grumbullojë sa më parë me kombëtaren e madhe, për ta bindur që t’u mbetet besnik helvetëve. Problemet e vitit të kaluar te Grasshoper bënë që talenti i Tarashajt të mos dilte shumë në pah. Por fillimi si titullar i këtij sezoni ka ndihmuar 20-vjeçarin të bëhet një emër i njohur jo vetëm për tifozët e skuadrës së tij. Tarashaj ka lindur në Zyrih, ku prindërit e tij emigruan nga Prizreni. Që në moshë të vogël ra në sy talenti i tij i jashtëzakonshëm para portës, i lindur nga adhurimi i tij për Ronaldon. “Brazilianin, jo CR7″, insiston Tarashaj, i cili ka zbuluar gjithashtu se nga “Fenomeni” ka kopjuar kur ishte më i vogël edhe stilin e çuditshëm të flokëve që ai shfaqi në finalen e Botërorit 2002. Që atëherë, Tarashaj ishte i fiksuar mbas futbollit. “Për mua ekzistonte vetëm futbolli, shkolla më interesonte shumë pak”, ka pranuar lojtari, i cili në moshën 11-vjeçare u regjistrua te skuadra Red Star.
Hapi i parë i madh i karrierës ishte në vitin 2008, kur ekipi i tij luajti një miqësore kundër Grasshoper, duke fituar me rezultatin 5-1 dhe Tarashaj ishte autor i të gjithë golave. “Pak kohë më vonë mora një telefonatë nga Grasshoper, më ofruan një provë. Shkova dhe pas vetëm 15 minutave më thirrën në zyrë. Mendova: Çfarë po ndodh këtu? Unë dua të vazhdoj të stërvitem! Por klubi më tha që dëshironin menjëherë të firmosnin me mua”, zbuloi ai mënyrën se si firmosi për skuadrën e qytetit të Zyrihut. Sulmuesi luajti me radhë në të gjitha ekipet e moshave të këtij klubi e gjithashtu edhe në kombëtaret e Zvicrës. Në vitin 2013, klubi e kaloi në radhët e skuadrës së parë, ku ai ishte një zëvendësues i Shkëlzen Gashit, duke kaluar gjithë sezonin si spektator. “U bëra pjesë e një skuadre të madhe. Deri atëherë, unë isha mësuar që të luaja gjithmonë, por papritur e pashë veten zëvendësues. Nuk ishte e lehtë që të ruaja gjithmonë durimin, të isha gjithmonë gati dhe të mos dorëzohesha”, shpjegon ai vitin më të vështirë të karrierës. Në edicionin e kaluar, Tarashaj koleksionoi 19 ndeshje, vetëm dy si titullar, por klubi e kuptoi se kishte bërë investimin e duhur falë dëshirës që ai tregonte për të shënuar. “Babai im më ka mësuar që kur të jem afër zonës, i shkëputur nga kundërshtarët, të shoh ku është porta dhe të gjuaj”, shpjegon Tarashaj refleksin e tij për të tentuar kuadratin nga çdo pozicion. Duket se kjo taktikë ka funksionuar mjaft mirë në këtë sezon, me pesë gola të shënuar në katër ndeshje, me vetëm shtatë tentativa drejt kuadratit kundërshtar. Mediat zvicerane e krahasojnë që tani me Shkëlzen Gashin, ndërsa tifozët shqiptarë shpresojnë që ai të ndjekë rrugën e golashënuesit më të mirë në kampionatin zviceran, duke i dhënë lamtumirën Zvicrës, për të veshur fanellën kuqezi.
Sigal