“Tani, më shumë se kurrë”! Sergio Ramos kërcënon Barcelonën para El Classico-s

573
Sergio Ramos theksoi rëndësinë e “El Classico”-s së radhës, duke këmbëngulur që kampionët në fuqi të La Liga-s, Real Madridi, është “i detyruar të fitojë tani më shumë se kurrë”, pasi Barcelona vazhdon të vendosë ritmin në Spanjë.
“Los Blancos” e presin Barcelonën në “Santiago Bernabeu” të shtunën, me vizitorët katalanas, që janë 11 pikë larg kampionëve spanjollë dhe europianë. Skuadra e Sergio Ramos ka edhe një lojë në dorë, megjithëse kapiteni i kupton pasojat e humbjes së të tijve. “Do të jetë një ndeshje e shkëlqyer, – tha Ramos në një ngjarje sponsorizimi të martën. – Nuk ka fjalë për ta përshkruar këtë klasike. Është krejtësisht ndryshe dhe ndeshja më e rëndësishme në botë. Ne jemi të detyruar të fitojmë tani, më shumë se kurrë, për shkak të situatës në të cilën ndodhemi, në mënyrë që të mbetemi në luftë për titullin e La Liga-s”.
Real Madridi vjen në këtë ndeshje në formë të mirë, pasi fitoi Botërorin për Klube, me një gol fitues të Cristian Ronaldos kundër Gremios, shkruan telesport. Ramos është shpresëplotë se ky triumf do të jetë nxitje për fitore edhe këtë fundjavë: “Ne kemi ardhur në formë të mirë pas fitores së Botërorit për Klube, çka i përshtatet ekipit edhe në një nivel psikologjik. Jemi të etur për të luajtur dhe kemi punuar shumë gjatë kësaj jave, kështu që shpresojmë se mund të marrim tri pikët, që do të na lejojnë për të qëndruar afër atyre ekipeve përpara nesh”.
Sigal