TAKIMI I FUNDIT, MË 7 SHKURT 2018 ME FADIL VOKRRIN

672
Sigal

Si kërkuan jugosllavët të më përdornin kundër minatorëve të Trepçës

IN MEMORIAM/ Si e kujton gazeta “Telegraf” në rreshtat e saj Fadil Vokrrin, me një intervistë të veçantë dhënë ekskluzivisht rreth 9 vite më parë, më 20 tetor 2009

Në datën 20 tetor 2009, në ambientet e “Hotel Rogner”, nën motin gri dhe me reshje shiu, kisha lënë takim pune me Fadil Vokrrin, President i FFK-së. Ai kishte dalë nga hoteli më parë se orari dhe po më priste në holl. Kur u takuam, më tregoi shumë gjëra nga jeta e karriera e tij sportive, ndoshta duke dashur të më thotë se, diçka nuk ka ecur mirë në karrierën e tij post-Jugosllavi, por edhe përpjekjet e tij për ta anëtarësuar FFK-në në UEFA e në FIFA.

Mes nostalgjisë të së shkuarës, si ndjehet sot Fadil Vokrri kur kujton se në Shqipëri nuk erdhi të luante një herë futboll?

Duke pasur parasysh sistemet politike që kanë ekzistuar në Shqipëri dhe në Kosovë, ishte e pamundur që unë të vija të luaja këtu në Shqipëri, qoftë me klubet, apo edhe me Kombëtaren. Atëherë kishim shumë dëshirë dhe emocion, por ajo mbeti vetëm një pasion i jetës futbollistike që nuk u realizua kurrë.

Gazeta “Telegraf” ka shkruar disa herë për ju, ndjeheni i respektuar edhe këtu në Shqipëri kur mediat flasin e shkruajnë për historinë e karrierës suaj?

Natyrisht që ndjej emocion, sepse po ndodh ajo që e kisha ëndërruar kur isha futbollist. Tashmë nuk e kthejmë dot kohën pas, sepse nuk e kemi edhe moshën që ta luajmë topin si atëherë.

Sa për të hyrë në atmosferën e karrierës suaj, cila është biografia sportive e Fadil Vokrrit si futbollist?

Historia ime ka kaluar mes vështirësive të sistemit politik të asaj kohe në ish-Jugosllavi. Por jam krenar që në ish-Jugosllavinë 22 milionëshe, isha shqiptari që luaja me dinjitet, e njëherësh, unë jam shqiptari i fundit që luajta në atë sistem. Kjo tregon se vështirësitë e asaj kohe për ne shqiptarët ishin të mëdha.

Cilat janë skuadrat ku ju i keni luajtur gjatë karrierës suaj?

Unë kam nisur të luaj futboll me të rriturit në vitet 1977-1980 me Podujevën në kategori inferiore, ndërsa me Prishtinën luajta 6 sezone, 1980-1986. Këtu më pikasi Partizani i Beogradit, që ishte skuadra më popullore në ish-Jugosllavi, dhe për tri vite luajta me këtë skuadër, 1986-1989. Nga ky vit, kam provuar skuadra jashtë Jugosllavisë, si në Francë e në Turqi, deri sa u largova si lojtar në vitin 1995 në moshën 35- vjeçare.

Si u bë kalimi juaj nga skuadra e Prishtinës te Partizani i Beogradit?

Më kërkuan Partizani dhe Dinamo e Zagrebit, por arsyeja që shkova në Beograd ishte largësia kilometrike me Prishtinën. Siç dihet, në atë botë të ish-Jugosllavisë, Partizani ka pasur shumë simpatizues në Kosovë, sepse ky ekip gjithnjë kishte ndonjë shqiptar të aktivizuar, por edhe për nga shikueshmëria.

Ju keni qenë edhe lojtar i Kombëtares jugosllave në atë kohë, apo jo?

Po, është e vërtetë se kam luajtur në 12 ndeshje me atë kombëtare dhe kam shënuar 6 gola, por ju a them me sinqeritet se nuk kam ndjerë emocion e dëshirë kur kam veshur fanellën e përfaqësueses së ish-Jugosllavisë.

Sa herë jeni ndeshur kundër ekipeve shqiptare në kompeticionet evropiane?

Vetëm ndaj Flamurtarit të Vlorës. Në planin emocional, për mua ishte shumë e vështirë, por si profesionist kishte rregulla të përcaktuara mirë e të detyrueshëm për t’i zbatuar. Unë luajta në të dyja ndeshjet, ku në Beograd shënova edhe gol, por Partizani u eliminua, sepse e kishim humbur ndeshjen e parë në Vlorë 0-2. Eliminimi ynë bëri bujë në disa gazeta të kohës, megjithëse në caqet e korrektësisë.

Si e kujtoni atë ndeshje në Vlorë, që për ju kishte më shumë atmosferë atdhetare?

Unë në Vlorë jam pritur shumë mirë (si hero), e tashmë dihen ato takime që kam bërë me qytetarë në stadium, fshehtas edhe në hotel. Ai ishte regjim që na ndau për gjysmë shekulli, por shpirtërisht nuk mujti. Sot ne jemi dy shtete, por një komb, këtu shqiptarët duhet të bashkohen më fort.

Gjatë tri viteve te Partizani i Beogradit, si jeni ndjerë, pasi luanit në përbërjen e pushtuesve?

Ndaj meje nuk u zhvillua ndonjë luftë politike, pasi unë isha futbollisti kryesor, jo vetëm te Partizani, por edhe tek Kombëtarja jugosllave. Mua vetëm në një rast kanë dashur të më përdorin, në vitin 1989 kundër minatorëve të Trepçës, ndërsa kishte në çdo kohë përndjekje të intelektualëve shqiptarë nga të gjitha fushat e jetës.

Te Partizani i Beogradit, bashkë me ju, cilët kanë qenë futbollistët e tjerë shqiptarë që shkëlqyen në kohën e ish-Jugosllavisë?

Kishte disa të talentuar, dhe unë kujtoj Zenun Brovinën, Luan Prekazin, Xhevat Prekazin, Kujtim Shalën, Isa Sadrinë e disa të tjerë, ndërsa në Prishtinë në atë kohë ishin Fadil Murriqi dhe Ramadan Cmili, të cilët e mbanin lart frymën e talenteve shqiptarë.

Çfarë sillni si më të veçantë në karrierën tuaj: ndeshje, gola etj.?

Po kujtoj vetëm një ndeshje, atë me Lirinë e Prizrenit në vitin 1983. Unë luaja me Prishtinën dhe u ndeshëm me të në dy takime. Në takimin e dytë kemi fituar me shumë vështirësi, unë shënova dhe Prishtina hyri në Ligën 1 të ish-Jugosllavisë.

Pasi jeni larguar si futbollist, si ka vazhduar karriera juaj me futbollin?

Unë qëndrova në Francë pas vitit 1995, ku u aktivizova si trajner në skuadrën e Mont Lusion, deri në vitin 1998. Pas këtij viti, më shumë jam marrë me përpjekjet për një Federatë Futbolli në Kosovë, të cilën e arritëm pas Shpalljes së Pavarësisë.

Në kohën e luftës në Kosovë, ku ka qenë Fadil Vokrri dhe si ka kontribuar në të?

Realisht unë familjen time e kam pasur dhe e kam me banim në Francë, por për lëvizjen, në forma nga më të ndryshmet kam dhënë kontribut serioz. Pavarësia e Kosovës, solli njëherësh edhe krijimin e Federatës së Futbollit, ishte një ëndërr qindravjeçare për ne.

Çfarë pune keni bërë për ta njohur Federatën e Futbollit të Kosovës në Evropë dhe në Botë?

Kemi pasur shumë takime pune me drejtuesit më të lartë të FIFA-s dhe të UEFA-s, me të cilët kemi ndarë gjithçka që ne duam të bëjmë në futbollin tonë. Deri tani kemi arritur që të krijojmë mundësinë e transferimit të lojtarëve kosovarë kudo në Evropë e në Botë, vetëm nëpërmjet kontratave dhe me lejekalimin e klubeve të tyre.

Në Kombëtaren e Shqipërisë janë disa futbollistë kosovarë titullarë, në rast njohjeje të federatës suaj, si do të veproni me ta?

Së pari, ne synojmë që të pranohemi në arenën ndërkombëtare, ndërsa për futbollistët që ju përmendni, mbetet në dëshirën e tyre, nëse do të vijnë të luajnë për Kosovë, apo do të vazhdojnë me Shqipërinë. Ne nuk do të pengojmë askënd, sepse nuk duam që ta pengojmë Kombëtaren e shtetit tonë amë.

Unë në Vlorë jam pritur shumë mirë (si hero), e tashma dihen ato takime që kam bërë me qytetarë në stadium, fshehtas edhe në hotel. Ai ishte regjim që na ndau për gjysmë shekulli, por shpirtërisht nuk mujti ta çonte më tej

Shkolla ish-Jugosllave e futbollit ka lënë gjurmë, sepse ajo ishte një shkollë e niveleve shumë të larta, si në anën organizative e administruese, edhe në nivelin teknik e profesional. Gjurmët e saj ekzistojnë në talentet e futbollit kosovar

Takimi i fundit me Fadil Vokrrin, në kafen e Hotel “Adriatik” në Durrës

Pasi i kaloi një sy gazetës “Telegraf’ të datës 7 shkurt 2018, Fadil Vokrri tregoi se, që nga muaji tetor 2009 e deri më sot (e mërkurë 7 shkurt 2018), këtë gazetë e lexon periodikisht. Në ato pak minuta në kafe, folëm edhe për Kombëtaren shqiptare, por më shumë për atë të Kosovës, për të cilën Fadili tregoi se nuk do të reshtë pa kompletuar një skuadër që të bëjë histori në evente evropiane e botërore. “Jena mirë tash, edhe trajnerin e ndërruam. Jemi skuadër e re, por kemi djem me përvojë, dhe skuadra jonë do të plotësoshet vit pas viti. Për Ligën e Kombeve dhe kualifikueset e Evropianit, Kosova do të ketë një skuadër shumë të mirë….”, ishte kjo biseda e fundit me Fadil Vokrrin, e cila do të mbetet e fundit live, me një legjendë që nuk mund të harrohet kurrë.

Skeda

Fadil Vokrri

Datëlindja: 23 qershor 1960

Vendlindja: Podujevë

Vendbanimi: Prishtinë-Francë (Mont Lusion)

Lidhjet me futbollin: Në inferiore me Podujevën, në Superiore me Prishtinën

Skuadrat ku ka luajtur: Në vitet 1977-1980 me Podujevën; në vitet 1980-1986 me Prishtinën; në vitet 1986-1989 me Partizanin e Beogradit; në vitet 1989-1990 me Nimes në Francë; në vitet 1990-1992 me Fenerbahçenë në Turqi; në vitet 1992-1993 me Burges në Francë; në vitet 1993-1995 me Mont Lusion në Francë dhe 6 muaj edhe lojtar, por edhe trajner

Me Kombëtaren e ish-Jugosllavisë: Luajtur 12 ndeshje dhe ka shënuar 6 gola

Si trajner: Në vitet 1995-1998 me Mont Lusion në Francë

Në kohën e Luftës në Kosovë: Ka jetuar në Francë

Aktualisht: President i Federatës së Futbollit të Kosovës

Statusi: i martuar me tre fëmijë: Albana, Gramozi dhe Alberti

Hobi: Muzika tradicionale popullore shqiptare