Superliga, tre rivalë për “Këpucën e Artë”

509
Sigal

Pejiç i Skënderbeut, Cikalleshi i Kukësit dhe Bushiç i Vllaznisë janë në garë për trofeun

Kur kanë mbetur katër ndeshje nga përfundimi i Kampionatit të 75-të Kombëtar të Kategorisë Superiore dhe titulli thuajse është vendosur në favor të Skënderbeut, një betejë e vërtetë është duke u zhvilluar midis tre futbollistëve që pretendojnë “Këpucën e Artë” të Superligës. Pero Pejiç i Skënderbeut, Sokol Cikalleshi i Kukësit dhe Tomislav Busic i Vllaznisë janë emrat në garë për kreun e golashënuesit. Dy kroatë dhe një shqiptar, teksa Pejiç i ka të gjitha shanset të bëhet i pari lojtar i huaj që fiton “Këpucën e artë” në vendin tonë. Pejiç është në kuotën e 15 golave; Cikalleshi ka realizuar 13 gola dhe Bushiç 12 gola.

Në Shqipëri, sulmuesi Pero Pejiç (31 vjeç) ka veshur fanellën e Dinamos, Tiranës, Flamurtarit dhe prej dy sezonesh atë të Skënderbeut. Përveçse në Kroaci (NK Verbovec, Croatia Sesvete, Slaven Beluplo), Pejiç ka luajtur Austri me Kapfenberger SV dhe në Arabinë Saudite me Al-Faisaly. Kroati i Vllaznisë, Tomislav Bushiç (28 vjeç) ka luajtur për Simuq (Azerbajxhab), Slaven Koprivnica (Kroaci), Makabi Petah Tikva (Izrael), Hajduk i Spolit, etj. Sulmuesi i Kukësit, Sokol Cikalleshi (23 vjeç) ka luajtur më parë me Besën, Tiranën, Skënderbeun, por ka dhe një eksperiencë të shkurtër në Korenë e Jugut me Incheon United. Ecurria e tre golashënusve më të mirë të kampionatit ka qenë disi e ndryshme. Bushiç i Vllaznisë ishte ai që e nisi më fortë. Starti i Busic me klubin nga “Loro Borici” ishte mbreslënës teksa realizoi 8 gola në 10 javë duke i dhënë pikë skuadrës së tij. Sokol Cikalleshi vonoi paksa të hynte në garë, teksa golin e parë e realizoi vetëm në javën e nëntë ndaj Flamurtarit, por u përsërit dhe një javë më pas me Laçin. Mesi i kampionatit ishte shterpë për të tre këta sulmues, që filluan të rilindnin pas javës së 18-të. Bushiç megjithatë nga ky moment eci me një mesatare më të ulët, teksa realizoi në total vetëm 4 gola, i ndikuar dhe nga një moment negativ i Vllaznisë, ndërkohë që me rikthimin e shkodranëve te fitoret, u rikthye dhe Bushiç te golat. Kroati i Skënderbeut ndërkohë në gjashtë javët e fundit ka shënuar gjashtë gola dhe kjo padyshim e ka ndihmuar të jetë në krye me 15 realizime. Pejiç ka shënuar pesë dopjeta në harkun e 90 minutave, pikërisht ndaj Partizanit, Vllaznisë, Laçit, Tiranës dhe Lushnjës. Sokol Cikalleshi ka pasur përqindjen më të lartë realizuese gjatë vitit 2014, me nëntë gola në dhjetë javët e fundit duke treguar se ka një ritëm tjetër nga të tjerët në këtë fund kampionati, por për të veshur “Këpucën e Artë” duhet të bëjë llogaritë me Pejicin sidomos, që qëndron dy gola më sipër dhe për më tepër ka dhe një ndeshje më shumë për të luajtur, pasi në javën e fundit Kukësi do të marrë tre pikët në tavolinë ndaj Bylisit. Sokol Cikalleshi ka shënuar tre dopjeta: ndaj Bylisit, Flamurtarit dhe Tiranës. Kush do të triumfojë në këtë garë? Në këtë rast ato që do të vendosin do të jenë golat, por diçka është e sigurt, sa më shumë Pejiç, Cikalleshi e Bushiç të shënojnë, aq më shumë bëhen të prekshme objektivat e ekipeve të tyre. Skënderbeu, Kukësi dhe Vllaznia, tani kanë më shumë nevojë se kurrë për golashënuesit e tyre. Kush do të jetë pasuesi i Migen Memellit, si fituesi i fundit i “Këpucës së Artë? Këtë do të marrim vesh pas katër ndeshjeve të fundit, pasi janë edhe 360 minuta lojë.

GOLASHËNUESIT

P. Pejiç        Skënderbeu 15

S. Cikalleshi   Kukësi     13

T. Bushiç       Bushiç     12

45 gola

ka shënuar Skënderbeu në 29 javë, me një mesatare 1,55 gola për ndeshje. Korçarët kanë sulmin më rezultativ në kampionat.

+ 21 gola

e ka diferencën e golave Skënderbeu. Vetëm 7 ekipe kanë diferencë pozizive golash, ndërsa pesë të tjerë e kanë negative.

15 gola

ka realizuar sulmuesi më i mirë i kampionatit, Pero Pejiç i Skënderbeut, dy më shumë se rivali i tij, Cikalleshi i Kukësit.

 Precedentët në ekipet e tyre

 Gjatë 74 kampionateve të përfunduara, vetëm në dy raste golashënuesi më i mirë i sezonit ka qenë një lojtar i Skënderbeut. I pari është Teli Samsuri, me 9 gola në kampionatin e viti 1931. dhe i dyti është Teufik Agai, me 7 gola në edicionin e vitit 1933, vit kur Skënderbeu fitoi edhe titullin e parë kampion. Nga Vllaznia, më parë e kanë fituar Xhevdet Shaqiri (1946, 11 gola); Medin Zhega (1966-1967, 19); Vaslli Fakja (1984-1985, 13);  Edmir Bilali (1991-1992, 20); Edi Martini (1993-1994, 14) dhe Vioresin Sinani (2003-2004 me 36 gola dhe 2007-2008, me 20 gola). Nga Kukësi, asnjë lojtar i tij nuk ka mundur ta fitojë “Këpucën”. Në fakt, për kuksianët ky është viti i dytë në Superligë.

 Emrat e mëdhenj të “Këpucës së Artë”

 Ky është çmimi më prestigjioz për një lojtar, boll të mendosh se atë e kanë merituar disa nga futbollistët më të mëdhenj në Shqipëri, të tillë si Refik Resmja i Partizanit, me 59 gola e mrekullueshëm të tij në sezonin 1951, Ilir Përnaska i Dinamos ka rekordin e tij origjinal, duke e fituar gjashtë herë rresht “Këpucën e Artë”. Emra të tjerë të mëdhenj janë Panajot Pano, Agim Murati, Robert Jashari, Agustin Kola, Dashnor Bajazit, Indrit Fortuzi apo Vioresin Sinani.

 Skandalet me “Këpucën”

 Mesfushori i Shkumbinit, Roland Dervishi, u shpall golashënuesi më i mirë i Kategorisë Superiore për edicionin 2011-2012, duke shënuar në total 20 gola, por tre të fundit u realizuan në një garë jo fort bindëse me rivalin e tij, Endri Bakiu të Tomorit. “Teatri” në “Loro Boriçi” dhe në “Loni Papuçiu” la në shije të keqe, me komedinë që prodhoi, aq sa u shndërrua në një çështje, sa futbollistike aq dhe etike. Komisioni i Etikës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit pezulloi dhënien e titullit të golashënuesve, pra çmimit “Këpuca e Artë” dhe shpërblimit prej 200 mijë lekësh, për Kategorinë Superiore dhe Kategorinë e Parë deri në një vendim te dytë.

Trajneri tiranas është shumë pranë titullit të dytë kampion me skuadrën korçare

 Mirel Josa: “Skënderbeu, një klub model!”

 Mirel Josës i duhet të mposhtë Kukësin, që Skënderbeu të fitojë titullin e katërt rresht kampion, ndërkohë që trajneri tiranas të regjistrojë suksesin e dytë radhazi me klubin korçar, pas atij të sezonit 2012-2013. Edhe pse në Korçë e dëshironin shumë edhe fitimin e Kupës së Shqipërisë – do të ishte hera e parë për bardhekuqtë – fitimi i titullit kampion dhe pjesëmarrja për herë të katërt në Ligën e Kampioneve është një kënaqësi e madhe. I këtij mendimi është edhe presidenti Adrian Takaj, i cil ka nisur punën për konfirmimin e skuadrës së sezonit të ardhshëm, duke rinovuar kontratat e disa prej futbollistëve. Rinovimi më i rëndësishëm duket se është ai i trajnerit Mirel Josa. Takaj dhe Josa kanë rënë parimisht dakord, edhe pse zyrtarizimi pritet të vijë javët e ardhshme, pra në fund të sezonit. Vetë Mirel Josa pranoi se, parimisht ka një marrëveshje për të vijuar punën, duke evidentuar Skënderbeun si një klub model. “Kam rënë parimisht dakord për të vijuar drejtimin e Skënderbeut edhe për sezonin e ardhshëm. Rinovimi i kontratave përpara përfundimit të sezonit është diçka e mirë, ashtu siç ndodh në të gjitha klubet e botës”. Sigurisht që rinovimi i kontratave në një pikë të tillë të sezonit është një plus i madh për skuadrën sidomos në aspektin psikologjik. Me një avantazh të tillë lufta për titull tashmë duket më e thjeshtë. “Fitorja ndaj Besës, por dhe fillimi i rinovimit të kontratave është një plus i madh për skuadrën në aspektin psikologjik. Tani jemi të përqendruar për të siguruar objektivin që është titulli i katërt kampion”. Skuadra nuk po mendon se ka fituar titullin, por është e përqendruar te përballja me Teutën. “Djemtë e detit” janë një kundërshtar i vështirë, që kërkojnë të jenë në Europë. Kemi mungesa, por besojmë se do t’ia dalim”. Përveç trajnerit një kontratë të re ka firmosur dhe portieri Orges Shehi, që do të vazhdojë të jetë pjesë e ekipit korçar ashtu si Josa dhe për një tjetër vit, ashtu si dhe kapiteni Blendi Shkëmbi, Arapi, Dimo e Radas. Vetë presidenti Takaj dhe drejtori i klubit, Ilirjan Përmeti kanë bëtë të ditur se do të ruhet 80 për qind e grupit aktual dhe në ditët në vazhdim pritet të rinovojnë dhe futbollistë të tjerë.

 Kategoria e Parë me dy grupe

 Kategoria e Parë ndërron fytyrë. Sezonin e ardhshëm do të ketë ndryshime interesante përsa i përket Kategorisë së Parë, e cila do të ndahet në dy grupe A dhe B, që do të përbëhen me nga 10 skuadra secila. Me këto ndarje pritet të ketë një rivalitet të madhe mes skuadrave, pasi sezonin e ardhshëm në këtë kategori do të ketë ekipe me emër në futbollin shqiptar, që do të kërkojnë ringjitjen në Superiore, por dhe gara për mbijetesën do të jetë shumë e fortë në të dyja grupet.

 Gjobiten Kukësi dhe Laçi

 Komisioni i Disiplinë gjobiti me 50 mijë lekë Kukësin, për hyrje me vonesë në fushën e lojës dhe sjellje të gabuar të tifozerisë së tij në ndeshjen e humbur 1-0 me Partizanin. Këtë sezon Kukësi është gjobitur me 250 mijë lekë në total. Laçi, për sjellje të gabuar të tifozerisë së tij dhe hedhje të sendeve të forta në fushën e lojës u dënua me 25 mijë lekë gjobë, duke e çuar në 150 mijë lekë shumën totale. Klubi më i gjobitur në Kategorinë Superiore është Tirana me 500 mijë lekë.

  Adnan Januzaj zgjedh Belgjikën

 Adnan Januzaj zgjedh Belgjikën dhe jo Shqipërinë. Është vetë trajneri i Kombëtares belge, Mark Vilmots, ai që deklaroi në faqen e tij në rrjetin social “Twitter”, se mesfushori shqiptar i Mançester Junaitid kishte pranuar të luante për Belgjikën dhe jo për Shqipërinë e De Biazit apo Anglinë e Roj Hodgson. Anësori kosovar ka zgjedhur kështu vendin ku ai ka lindur dhe mban pasaportën, duke zhgënjyer qindra mijëra fansa kuqezi. Belgjika merr pjesë në finalet e Kampionatit Botëror “Brazil 2014”.