Superliga shpall nesër të hapura duelet kokë më kokë për javën e shtatë

604
Sigal

Nesër luhen sfidat e mëdha mes Skënderbeu-Tirana dhe Partizani-Flamurtari

U duk se vëmendja për Superligën humbi pas ndeshjeve të luajtura në mesjavë për Kupën e Shqipërisë me të gjitha skuadrat të përfshira, por që emocionet rikthehen përsëri të plota që nesër me ndeshjet e para të javës së shatë. Duke qenë se në Kupë, kundërshtarët e skuadrave të superiores nuk ishin të një niveli të lartë, asnjë klub nuk rrezikoi që të fuste në lojë skuadrën e parë, por zëvendësuesit, çka ju jepte edhe këtyre mundësinë që të tregonin veten në mënyrë që tu jepej mundësia edhe në vazhdimësi. Nesër kampionati do të hapet me ndeshjet shumë të përfolura Partizani-Flamurtari dhe Skënderbeu-Tirana. Të katërta rivalizojnë për kreun, me Partizanin, Flamurtarin dhe Tiranën që janë me pikë të barabarta (11) dhe Skënderbeu që ka një pikë më pak. Rezultatet në kupë mund të jenë edhe nxitëse për skuadrat, ku kujtojmë që korçarët arritën të fitonin 10-1 ndaj Himarës, fituan edhe Partizani me Tiranën, ndërkohë që Flamurtari nuk ia doli të fitonte ndaj Kamzës, duke u ndalur në një barazim pa gola. Të dyja këto ndeshje janë të ekuilibruara, jo vetëm për shkak të pikëve të fituara por edhe formës që kanë treguar skuadrat, që kanë pasur ulje-ngritjet e tyre. Dje skuadra e Partizanit ka dhënë një konferencë për shtyp me anë të mesfushorit Lorenc Trashi, i cili u shpreh: “Do të jetë një përballje e vështirë me Flamurtarin, sepse luajmë ndaj një skuadre që ka treguar cilësi e kompetivitet. Vlonjatët do t’i kemi rivalë direkt për kreun e klasifikimit. Gjendja e Partizanit është shumë e mirë dhe optimiste, teksa në përballjet e fundit kemi treguar që nuk i druhemi asnjë kundërshtari. Personalisht ndihem krenar që jam pjesë e kësaj skuadre dhe do të jap gjithçka për të realizuar objektivat madhorë”. Ndërkohë që nga ana e Flamurtarit janë shprehur se barazimi në Kupë ishte fragmental pasi vëmendja ishte e përqendruar tek ndeshja e fundjavës me Partizanin dhe se do të luanin vetëm për fitore ndaj “demave”. Ndeshja tjetër, ajo mes Skënderbeut dhe Tiranës që do të luhet në darkë (20:00) do ketë edhe vëmendjen kryesore jo vetëm të tifozëve por edhe të vetë skuadrave të kampionatit. Ndërkohë ditën e diel do luhen përsëri ndeshje shumë interesante mes Laçi-Vllaznia, Kukësi-Teuta dhe Elbasani-Apolonia. Ndeshja në Laç mbetet gjithmonë interesante, me Vllazninë që nuk e njeh humbjen që në ndeshjen me Kukësin dhe me Laçin që po tregon se mund ti prishë punë çdo skuadre, siç e tregoi edhe me Tiranën dhe Flmurtarin. Kjo ndeshje do të kërkojë përqendrim maksimal nga të dyja skuadrat e sidomos për Vllazninë që edhe barazimi do të tingëllonte si humbje. Shefi i klubit të Vllaznisë, Armir Grima është shprehur se pavarësisht ndeshjes jo të mirë me Elbasanin, përsëri niveli i skuadrës është në rritje falë edhe punës së stafit të klubit. Ndeshja tjetër, ajo mes Kukësit dhe Teutës i sjell bashkë të dyja skuadrat me një gjendje psikologjike të mire pas fitoreve që arritën javën e kaluar. Duket të jetë një ndeshje barazie e plotë, me Kukësin që akoma nuk e ka arritur formën e plotë dhe me Teutën që çalon deri diku, por përsëri mund të jetë e rrezikshme në ditë të mirë, ashtu siç e tregoi veten edhe ndaj Skënderbeut. E fundit ndeshje e kësaj jave, ajo mes Elbasani-Apolonia është edhe i fundit rast ndoshta për Elbasanin që të marrë pikët e para në këtë sezon, duke parë që luan në shtëpi dhe se fierakët nuk janë në të njëjtin nivel si kundërshtarët paraardhës. Në fakt ka pasur ndeshje që Elbasani ka treguar se ka cilësi, si në ndeshjen ndaj Tiranës apo ndaj Vllaznisë, por gjithsesi nuk ka arritur që të kalojë problemet që ka. Apolonia nga ana tjetër ka treguar më shumë potencial se Elbasani dhe e bën edhe këtë ndeshje shumë interesante për tu ndjekur.

 

Ndeshjet e datës 04/10/2014

Partizani-Flamurtari

Skënderbeu-Tirana

Ndeshjet e datës 05/10/2014

Laçi-Vllaznia

Kukësi-Teuta

Elbasani-Apolonia

Nr Skuadra Nd F B H P
1 FK Tirana 6 3 2 1 11
2 KF Flamurtari 6 3 2 1 11
3 KF Partizani 6 3 2 1 11
4 KF Skënderbeu 6 3 1 2 10
5 KF Kukësi 6 3 1 2 10
6 KF Vllaznia 6 3 2 1 8
7 KF Teuta 6 2 1 3 7
8 KF Laçi 6 1 4 1 7
9 KF Apolonia 6 1 1 4 4
10 KF Elbasani 6 0 0 6 0

 Olsen i Danimarkës zbardh listën për ndeshjen me Shqipërinë

 Ndeshja e 11 tetorit me Danimarkën do të luhet para asaj me Serbinë. Një fakt që aktualisht është lënë pas dore nga opinioni i gjerë, për shkak të ndeshjes me Serbinë tre ditë më vonë. Por sigurisht që trajneri i Danimarkës, Olsen, nuk harron dhe në këtë frymë ka shpallur listën e futbollistëve që do të marrë me vetë në “Elbasan Arena”. Bie në sy emri i Lase Shone që në fakt nuk pritej të bëhej gati për ndeshjen, por duke ditur potencialin dhe ndihmesën që mund të japë, siç duket trajneri e merr me shpresën se mund të rikuperohet deri me 11 tetor. Ndërkohë në sulm padyshim që nuk mund të mungojë futbollisti i Volsburg, Niklas Bendtner, që është shumë i vlefshëm për të tijët. Ndër emrat e tjerë të grumbulluar mund të përmendim edhe mesfushorin e Bayernit, Pierre Emil Hojberg, mbrojtësin Simon Kjaer të Lilë e shumë të tjerë që plotësojnë listën dhe përbëjnë një skuadër shumë të fortë në total. Kujtojmë që për ne do të mungojë Odise Roshi pas një tërheqje muskulare që do e mbajë jashtë fushave për rreth një muaj. Kujtojmë këtu që ndeshjen e fundit me Danimarkën e kemi luajtur në 2009 për kualifikueset e Botërorit “Afrikë 2010”, një ndeshje që është mbyllur në barazim 1-1.