Superliga shfaqet në formën e saj më të mirë këtë sezon.

517
Sigal

Më shumë se gjysma e skuadrave janë pretendente për titull

Nuk është e vështirë për tu kuptuar se këtë sezon kemi një kampionat ndryshe, që nga futbollistët, rezultatet e deri tek skuadrat që rivalizojnë për titull. Janë më shumë se gjysma e skuadrave që mund të shpallen fituese potenciale, që nga Kukësi që kryeson, Tirana, Partizani, Flamurtari dhe Skënderbeu që ndjekin, por nuk mund të anashkalohet as Vllaznia që ka shfaqur një formë të mirë, edhe pse jo në ndeshjen ndaj Laçit. Java e shtatë ishte në fakt vendimtare për Kukësin, që në rast se nuk fitonte as ndeshjen me Teutën do e shihte veten të humbte gjithmonë e më shumë terren ndaj kundërshtarëve që ndodheshin në krye të renditjes. Por fitorja që morën në shtëpi verilindorët nuk do ishte e plotë pa ‘dhuratat’ që i bënë kundërshtarët duke barazuar ndeshjet dhe duke i dhënë rastin Kukësit të ngjitej në krye të renditjes dhe të ndiqet nga dy skuadrat kryeqytetase dhe Flamurtari. Lëshimi që bënë në ndeshjet e javës së shtatë i uli poshtë si në renditje ashtu edhe në rezultate, pasi asnjëra nuk kanë fituar me nga dy ndeshje rresht, në rastin e Tiranës tre. Shkëputja e kampionatit për shkak të ndeshjeve të Kombëtares duket se vjen si një bekim për skuadrat pasi kanë kohë të marrin veten deri në ndeshjet e javë së tetë që do të luhen në datat 18/19 tetor. Pavarësisht se kanë një periudhë të gjatë përpara, ndeshjet që i presin shumicën e skuadrave nuk i lejojnë të marrin një pushim pasi kujtojmë që do luajnë Tirana-Kukësi, Vllaznia-Partizani dhe Flamurtari-Skënderbeu. Tre ndeshje që luhen për fitore nga secila prej skuadrave. Por duhet thënë se ndeshja më pikante është ajo mes Tiranës dhe Kukësi, dy skuadrat që i ndan vetëm një pikë në renditje dhe në rast fitore të bardhebluve do rimerrte kreun e në rast se fitojnë kuksianët do thellonin avantazhin me pikë ndaj tyre duke vulosur edhe për një javë tjetër kreun e renditjes. Ndërkohë ndeshja tjetër Flamurtari-Skënderbeu na paraqet një shans vendimtar për të dyja që të kalojnë fazën e barazimeve dhe të shkojnë drejtë fitores. Në rast fitoreje të Flamurtarit do kalonte në 15 pikë dhe nëse fitojnë korçarët kalojnë në 14 pikë, ndërsa barazimi nuk i vlen asnjërës nga skuadrat pasi kështu humbasin 4 pikë në dy ndeshje. Por korçarët do ta kenë shumë të vështirë në këtë ndeshje pasi Renato Arapi, kapiteni Bledi Shkëmbi, Bernard Berisha dhe Marko Radas nuk do të luajnë dot sepse kanë plotësuar numrin e kartonëve të verdhë duke  marrë tre të tillë, Ndeshja tjetër do të jetë ajo mes Vllaznia-Partizani, dy skuadra që kanë prodhuar gjithmonë ndeshje të bukura mes tyre. Shkodranët duhet të përgatiten deri në atë kohë që të përballen me një mbrojtje të fortë siç është ajo e ‘demave’ por gjithashtu duhet të kalojnë humbjen që pësuan në Laç dhe ndërkohë të rikthehen tek fitorja. Ndërkohë dy ndeshjet e tjera janë mes Apoloni-Teuta dhe Elbasani-Laçi, ndeshje që luhen për mesin e renditjes dhe kalimin e zonës së rënies nga kategoria, duke përjashtuar Laçin.

 

Ndeshjet e datës 18 tetor

Apolonia-Teuta

Flamurtari-Skënderbeu

Ndeshjet e datës 19 tetor

Vllaznia-Partizani

Elbasani-Laçi

Tirana-Kukësi

Biletat për ndeshjen me Danimarkën hidhen në treg nesër

Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë me dije për çdo tifoz të interesuar se biletat do të hidhen në treg ditën e nesërme. Ditë më përpara ishte thënë se biletat do të fillonin të shpërndaheshin me 5 tetor, por ky afat u shty për datën 7 tetor. Pikat e shitjes do të jenë në dy qytete, Tiranë pranë stadiumit “Qemal Stafa” dhe në Elbasan pranë teatrit “Skampa”. Ashtu siç është thënë edhe më përpara, biletat duhet të blihen në pikat e autorizuara që tifozët të marrin me siguri biletat që janë nxjerrë nga FSHF, pasi secila do të ketë një “barkod” që e bën të njohur për vlerën origjinale ose jo të saj.

Xherdan Shaqiri mund të largohet në janar drejtë Atletiko Madrid

Sipas fjalëve më të fundit të merkatos, Atletiko Madrid dëshiron që në merkaton e janarit të bëjë një ofertë 15 milionë euro për të blerë Xherdan Shaqirin. Në fakt Atletiko ka shfaqur edhe më përpara interes për bavarezin, por ishte vetë Bayern që bllokoi çdo lëvizje duke bërë që Shaqiri të qëndronte aty pasi ka një kontratë deri në 2016. Pak ditë më parë Shaqiri u shpreh i kënaqur për aktivizimin në ndeshjen ndaj Hannoverit duke dhënë edhe një performancë të mirë në total.

 Formula 1/Bianchi vazhdon të jetë në gjendje jo të mirë

Piloti i Marussias, Jules Bianchi, që u aksidentua ditën e diele gjatë garës së Japonisë, vazhdon të jetë në një gjendje aspak të mirë shëndetësore. Sipas disa deklaratave që ka dhënë vetë babai i pilotit, bëhet me dije se ndoshta Bianchi do të ketë nevojë për një tjetër operacion pasi ka shumë dëmtime në kokë dhe nuk mund të marrë frymë pa ndihmën e pajisjeve mjekësore. Aktualisht ai po mbahet në të njëjtin spital në të cilin u shtrua dy ditë më përpara në Poliklinikën Universitare të Mie-s

 Formula 1/Sebastian Vettel firmos një kontratë 3 vjeçare me Ferrarin

Sipas gazetës prestigjioze gjermane “Sport Bild” Sebastian Vettel ka firmos një kontratë 3- vjeçare me ‘kokëkuqen’. Deklarata bombë që lëshoi skuadra Red Bull kur konfirmoi largimin e 4 herë kampionit të botës, vuri në lëvizje skuadrat e tjera, por dukej se çështja mes Vettel dhe Ferrari kishte kohë që kishte përfunduar. Ndërkohë, i larguari nga Ferrari do të jetë Fernando Alonso, pas plot 5 sezonesh aty dhe pa arritur të fitojë ndonjë titull. Mendohet se Vettel do të ketë si shok skuadre Kimi Raikkonen që nuk duket se do të largohet edhe këtë sezon nga Ferrari dhe bota e Formula1.