Superliga në “marshin” e parafundit për këtë vit, skuadrat mobilizohen për fitore

553
Sigal

Një fazë e “lëvizshme” kjo e Superligës në ditët e fundit të këtij viti, ku kalendari i ngjeshur dhe ndeshjet e shpeshta, nuk lënë kohë për skuadrat që të mendojnë ndeshjet e shkuara, por vetëm të përgatiten për takimet e radhës, e që në këtë rast java e 18-të do të luhet po nesër, ku vetëm dy ditë më përpara u luajtën takimet e javës së 17-të. Ndeshjet e nesërme duhet të flasin për skuadrat që humbën, e pikën e kthesës duhet ta bëjnë skuadrat e Tiranës dhe Partizanit, që u mundën të dyja me rezultatin 1-0, me bardheblutë që luajtën në Kukës dhe me të kuqtë që pritën Vllazninë në “Qemal Stafa”. Nesër përballjet e reja do heqin disa pikëpyetje për të vënë disa të tjera, ku skuadrat që humbën terren në ndeshjet që shkuan, kanë mundësinë të kundërpërgjigjen kalendari flet shumë për Tiranën dhe Partizanin, me të parët që do të presin Teutën në “Qemal Stafa” dhe me të dytët që do të “vizitojnë” Elbasanin në “Elbasan Arena”. Skuadra durrsake vjen direkt pas një fitoreje me shumë vlerë ndaj Teutës, e duket se nga kjo kanë marrë zemër pasi i kanë shpallur “luftë” edhe Tiranës, duke premtuar se do të luajnë vetëm për fitore. Pavarësisht formës së dobët që po kalon Teuta, ose më saktë rezultateve të dobëta, përsëri ngelet një skuadër që i imponohet kundërshtarit që ta ketë kujdes, e nisur nga kjo dhe nga domosdoshmëria që ka Tirana për të fituar, kjo ndeshje pritet që të jetë shumë e fortë dhe luftuar. Nga ana tjetër, Partizanit i vjen në “ndihmë” kalendari në këtë periudhë pak të vështirë për ta, ku nesër do të takohet me Elbasanin, në një takim që sigurisht nuk pritet tjetër vetëm fitorja e të kuqve. Humbja e Partizanit me Vllazninë e ka lënë pas në renditje, ku vetëm pas një ndeshjeje e pa veten të tejkalohej si nga Kukësi ashtu edhe nga Skënderbeu në vendet e para. Ditë e vështirë do të jetë për verilindorët e Kukësit, që si kryesues shkojnë në Vlorë për tu ndeshur me Flamurtarin, në një ndeshje që ruan të njëjtën vështirësi si ndaj Tiranës, e ku për të ruajtur vendin e parë e kanë të domosdoshme të dalin nga stadiumi me tre pikë, pa pritur se çfarë ndodh në ndeshjet e tjera të rivaleve direkte. Vendi i dytë në renditje, Skënderbeu, do të shkojë në Shkodër për tu ndeshur me Vllazninë, që me fitoren ndaj Partizanit arriti pesë fitore rresht në një ecuri shumë pozitive pas atyre 6 humbjeve të shkuara. Në fakt edhe Skënderbeu do ta ketë të vështirë në Shkodër, ku përveç formës së mirë të skuadrës me shumë mundësi do të përballen edhe me një stadium të mbushur plot me tifozë. Korçarëve ju duhet fitorja në Shkodër për të mos u larguar aspak ndaj Kukësit, në rast se kjo skuadër fiton, por gjithashtu mund të përfitojnë në rast se verilindorët nuk ia dalin të marrin pikë maksimale ndaj Flamurtarit. Aktualisht skuadra shkodrane ka 23 pikë, e në rast se fiton edhe ndaj Skënderbeut, mund të themi se në i rrit synimet për të arritur edhe në Kupat e Europës. Ndeshja e fundit për këtë javë është mes Apolonisë dhe Laçit, ku kurbinasit shkojnë në Fier për të arritur të dytin rezultat pozitiv rresht, pas fitores ndaj Elbasanit. Nga ana tjetër, skuadra fierake mund edhe të bëhet problem për Laçin pasi “dalja” nga vendi i fundit është kërkesë parësore për ata, që të mund të lënë pas vetes të paktën Elbasanin, për të parë më tutje edhe  një pozicionim edhe më të mirë.

Takimet e javës së 18-të

Tirana-Teuta

Vllaznia-Skënderbeu

Apolonia-Laçi

Flamurtari-Laçi

Elbasani-Partizani

  SKUADRA N F H B GSH GP P
1 Kukësi 17 11 2 4 20 10 35
2 Skënderbeu 17 10 3 4 25 9 33
3 Partizani 17 10 3 4 15 7 33
4 Tirana 17 9 5 3 20 10 32
5 Laçi 17 6 6 5 17 12 24
6 Vllaznia 17 8 2 7 16 16 23
7 Flamurtari 17 5 7 5 14 11 22
8 Teuta 17 5 1 11 14 22 16
9 Elbasani 17 3 0 14 10 30 9
10 Apolonia 17 2 3 12 4 28 9

Futbollisti i Skënderbeut, Peter Olaynka, u ndalua dje nga policia

 Ndodh edhe kjo! Dje, është ndaluar nga policia e Tiranës futbollisti i Skënderbeut Olaynka, pas denoncimit të bërë nga Presidenti i Kukësit, Safet Gjici. Ky i fundit, kishte bërë me dije që në verë se sulmuesi në fjalë kishte nënshkruar një kontratë me Kukësin por nuk i ishte përmbajtur asaj dhe kushteve të vendosura, duke ikur kështu fshehurazi nga klubi, për tu drejtuar tek Skënderbeu. Në prononcimin e bërë dje të presidentit të Kukësit, ai tha se padinë në polici e kishin bërë në verë, por që procedura kishte qenë e vonuar, andaj edhe vetëm dje policia veproi në lidhje me këtë çështje. Nga lajmet më të vonshme, u mësua se futbollisti në fjalë nuk është mbajtur në polici por vetëm është ndaluar, nga ku i është bërë edhe një kontroll i dokumenteve, e kjo vetëm në bazë të kallëzimit të skuadrës kuksiane.

   Shqipëria e mbyll me FIFA-n për 2014-ën në vendin e 58-të

 Rrëshqet Shqipëria 8 vende më poshtë në renditjen botërore të FIFA-s, ku pasi ndodhej një muaj më parë në vendin e 50-të, dje e gjeti veten në vendin e 58-të, me tetë pozicione më poshtë. Gjatë kësaj periudhe Shqipëria nuk ka luajtur asnjë ndeshje, përveç atyre me Italinë dhe Francën që nuk ishin edhe aq negative, por siç duket barazimet, në bazë të llogaritjeve që ka FIFA, kanë dhënë këtë rezultat, duke qenë se skuadrat janë shumë afër me pikë në vendin ku ne jemi, dhe vetëm një ndeshje mund të bëjë diferencën për të gjitha skuadrat nga vendi i 54-t deri në vendin e 62-të. Në renditjen para kësaj, Shqipëria kishte 577 ndërsa në renditjen e sotme ka 543 pikë. Përsa ju përket skuadrave të tjera të grupit I kualifikues për “Euro 2016”, nuk kanë pësuar lëvizje skuadrat e Danimarkës dhe Portugalisë, me të parën që është në vendin e 30-të ndërsa Portugalia gëzon përsëri vendin e 7-të. Armenia ka pësuar rënie të lehtë ku nga vendi i 77-të ka shkuar në të 79-in. Ndërsa, për çudinë e rezultateve, Serbia ka përparuar me 8 vende, ku aktualisht renditen e 38-ta. Sa i përket vendit të parë, e mbyll si numri një për këtë, vit kampionia e botës, Gjermania, e ndjekur përsëri nga Argjentina në vendin e dytë dhe nga Kolumbia në vendin e tretë.

Komisioni i Disiplinës pranë FSHF nuk rri bosh, çdo javë dënime të reja

 Duket se kategoritë e ndryshme në futbollin shqiptar, e kanë bërë me fjalë që mos ta lënë “pa punë” Komisionin e Disiplinës pranë FSHF, duke u kujtuar çdo javë për një veprim të ri që do t’i çojë në shqyrtim para “ngurtësisë” së ligjit sportiv. Ashtu siç edhe ishte pritur në fakt, rast për shqyrtim u bënë skuadrat e Kukësit dhe Skënderbeut, sa për tifozët në rastin e të parëve por edhe për lojtarët në rastin e të dytëve. Në Superligë, janë vetëm këto dy skuadra që janë marrë në shqyrtim këtë javë, e nga shqyrtimi u kalua në dëmin. U vendos dje që të dënohej me 6 ndeshje pezullim nga aktiviteti, futbollisti i Skënderbeut, Marko Radas, për sjellje antisportive dhe të gabuar duke pështyrë kundërshtarin e tij gjatë ndeshjes. Në fakt ky veprim është i dënueshëm në çdo ligë, pasi nuk lejohen sjellje të tilla të gabuara në futboll. Lidhur me këto veprime, edhe vetë Federata ka filluar që të bëhet sa më e “hekurt” në vendime dhe aspak dorëlëshuar sa u përket shkeljeve të tilla. Nga ana tjetër, është po Skënderbeu që dënohet me një gjobë prej 50 mijë lekësh për sjellje të gabuar të tifozerisë së saj, si dhe pse përdoren gjatë ndeshjes mjete ndezëse por pa e shkaktuar ndërprerjen e saj. Ndërkohë Kukësi, dënohet me një ndeshje pa tifozë për shkak se këta të fundit shkaktuan ndërprerjen e ndeshjes duke përdorur mjete ndezëse, që ishin në fakt 601 flakadanë që u përdoren nga tifogrupi “Armata e veriut” për ti dhënë një pamje sa më të bukur takimit. Por për fatin e keq, disa nga këta flakadanë u hodhën në fushë nga tifozët, çka shkaktoi edhe ndërprerjen e ndeshjes dhe rrjedhimisht nga kjo u vendos dje, në mbledhjen e radhës të Komisionit të Disiplinës, edhe dënimi i fushës së Kukësit. Sa i përket ligave të tjera, lojtari i Sopotit, Shkëlqim Hajdari dhe lojtari i Luftëtarit Fejzo Shenaj, pezullohen me nga një ndeshje për sjellje jo sportive ndaj lojtarëve kundërshtar. Edhe Pogradeci nuk i ka shpëtuar “syrit” kritik të Komisionit, ku për mos marrje masash në organizimin e ndeshjes ndaj Lushnjës, u dënua me një gjobë prej 15 mijë lekësh. Ndërkohë që Komisioni ka dhënë vendime edhe për ligat e tjera, kryesisht ato të moshave, ku trajnerë dhe futbollistë janë dënuar për sjellje jo sportive ndaj kundërshtarëve dhe zyrtarëve të ndeshjes. Të gjitha skuadrat kanë deri në tre ditë kohë, duke filluar nga dje, që të apelojnë vendimin e Komisionit të Disiplinës, e deri atëherë pritet vetëm se cilat do të jenë skuadrat që do të marrin një hap të tillë, për të ndryshuar vendimin disiplinor.