Superliga “merr” pushimet, mendohet në distancë për javën e 13-ë

496
Sigal

Java e 12-ë e Superligës solli kryesues të rinj në tabelën e renditjes, ku Tirana dhe Kukësi përfituan edhe nga humbja e Partizanit për tu rikthyer në pretendimet e fillim sezonit. Në fakt pritja për javën e 13 do të jetë më e gjatë se zakonisht, ku për shkak të ndeshjeve të Kombëtareve do ketë një pushim dy javor për kampionatin. Situata në renditje është e tillë që nuk nxjerr një skuadër më pretendente se tjetrën, pasi pavarësisht ecurisë së mirë të një apo dy javëve, përvoja në këtë kampionat ka treguar se luhatja është pjesa më e dukshme e secilës skuadër, duke përjashtuar vetëm Partizanin, që kishte 9 ndeshje pa humbje, para se të mundej nga Skënderbeu. Ashtu siç është e ngjeshur “lufta” për kreun e renditjes, ku 4 skuadra rivalizojnë me diferenca shumë të vogla pikësh, ashtu edhe në fundin e renditjes bëhet një luftë e vërtetë për të shmangur rënien nga kategoria. Pjesmarrësja më e çuditshme e kësaj zone, që duket pothuajse si e paftuar është Vllaznia, që me performancat shumë të dobëta të këtyre 6 javëve të fundit ka qëndruar në vend-numëro, me 8 pikë, dhe me dy skuadra që e ndjekin nga pas, Apolonia po me 8 pikë dhe Elbasani me 6 pikë. Në fakt fati i Vllaznisë ka qenë se edhe pse humbi shumë ndeshje qëndroi në atë pozicion pasi edhe dy skuadrat e tjera nuk arrinin të fitonin, duke lënë pikë secila. Surpriza e kësaj jave, Elbasani, arriti të merrte një fitore të vyer ndaj Teutës dhe me këtë rezultat, padyshim që nuk është më skuadra e vetme e rrezikuar, apo më saktë, pretendentja e vetme për të rënë nga kategoria. Pushimi dy javor vjen në një kohë shumë të përshtatshme për të gjitha skuadrat, që kanë pasur një kalendar shumë të ngjeshur si në Kupë ashtu edhe në Kampionat, duke luajtur edhe tre ndeshje në javë. Në fakt, të gjitha skuadrat do të rikthehen të luajnë që me 19 nëntor, por vetëm për kupë, pastaj, pas tre ditësh do të rifillojë edhe Superliga. Edhe pse ka shumë kohë përpara, java e 13 do të fillojë që tani, sidomos për dy skuadra, Partizani – Kukësi, që do luajnë një ndeshje shumë të rëndësishme në mes tyre, ku fitorja është një nevojë për secilën nga skuadrat, me Partizanin që përveç rikthimit në krye dëshiron të lërë pas edhe humbjen me Skënderbeun ndërsa Kukësi fitoren e ka të domosdoshme për të ndjekur në një hap Tiranën, që do ketë një ndeshje jo edhe kaq të vështirë sa pretendentet e tjerë pasi do udhëtojë drejt Elbasanit. Bardheblutë do të jenë skuadra më e prekur në kampionat për ndeshjet e Kombëtares pasi janë thirrur 4 futbollistë të kësaj skuadre, duke e cunguar në një farë mënyre stërvitjen e aktualisht kryesuesve të renditjes. Kjo duket se mund të ndikojë në një farë mënyre tek Tirana, por gjithsesi duke parë se në Superligë përballë do të ketë Elbasanin dhe në Kupë do të presë Bylisin do të dijë se si të marrë rezultate pozitive në të dy takimet.

Federata Italiane e Futbollit rrit numrin e biletave për tifozët shqiptar

Në ndeshjen miqësore që Shqipëria do të luajë ndaj Italisë në Xhenova, pritej që të kishte vetëm 2 mijë bileta të rezervuara për tifozët shqiptarë, por në fakt kjo shifër është dyfishuar, duke shkuar në 4 mijë të tilla. Popullsia e madhe shqiptare që ndodhet në Itali, rreth 600 mijë, bën të mendohet se do të ketë edhe më shumë se 4 mijë tifozë shqiptarë që do t’i blejnë biletat nëpërmjet shtetasve italian. Mendohet se stadiumi në atë ndeshje të jetë i mbushur plot, ndërkohë ashtu siç është bërë e ditur, të gjitha të ardhurat nga biletat dhe një pjesë e të drejtave televizive do të shkojnë për bamirësi për qytetin e Xhenovas që u përfshi nga përmbytjet muajin e shkuar.

Kryeministri serb, Vuçiç, jep deklaratë për vendimin e UEFA-s

Edhe në një vizitë politike si ajo në Serbi mes Kryeministrit Rama dhe homologut të tij Vuçiç, nuk kaloi pa u përmendur ndeshja e pothuaj një muaji më parë mes Serbisë dhe Shqipërisë ku u ngritën shumë pyetje nga gazetarët, por kryeministri Rama i dha përgjigjet me shumë sportivitet dhe humor, ndërkohë që Vuçiç u ndal dhe foli për vendimin e UEFA-s dhe thirrjet raciste duke thënë: “Unë i besoj UEFA-s dhe institucioneve evropiane, dhe jam plotësisht i sigurt se UEFA e ka kuptuar mirë se çfarë ka ndodhur në stadiumin e Partizanit gjatë ndeshjes Serbi- Shqipëri”. Vuçiç më tutje u shpreh duke kërkuar nga organet kompetente të Serbisë që të kërkojnë dhe të gjejnë anën pozitive në këtë ngjarje. Çuditërisht nuk la pa përmendur edhe thirrjet raciste që tifozët e pranishëm shfaqen gjatë pothuajse gjithë kohës që kishte lojë. Duke u ndalur këtu, Vuçiç tha se thirrje të tilla i dëgjon kudo, në Prishtinë, Tiranë dhe së fundmi ndodhi edhe në Beograd. “Këto thirrje dëgjohen çdo ditë në Prishtinë, Tiranë, Elbasan, por kam dëgjuar edhe serbët gjatë kësaj ngjarje që ndodhi në atë ndeshje”.