Superliga me kryesues të rinj, Tirana-Partizani nuk kanë rivalë

470
Sigal

Java e 8-të e Superligës u mbyll dje me ndeshjet e ditës së diele në mes Vllaznia 0-1 Partizani dhe Apolonia 1-0 Teuta, ndeshje që, sollën kryesim të ri në renditjen e kampionatit. Fitorja e djeshme e Partizanit në Shkodër dhe e Tiranës ndaj Kukësit i vendosi këto dy skuadra edhe një herë në të njëjtën linjë duke rimarrë kreun të dyja bashkë. Vllaznia-Partizani: Humbja e dytë radhazi për shkodranët, humbje që tani bëhet edhe më e vështirë për ta pasi humben ritmin që kishin fituar në kampionat dhe duket se po gjenden në një lloj krize dhe rezultatet nuk po e ndihmojnë aspak. Ndeshja e djeshme nuk shfaqi një paraqitje të mirë për asnjërën nga skuadrat, si për Vllazninë ashtu edhe për Partizanin, pavarësisht se fituan, por u pa qartë një mangësi e tyre në sulm sidomos me Emiliano Vilën që shpërdoroi shumë raste. Të kuqtë arritën të shënonin vetëm një herë në portën e kuqebluve me anë të Mazrekaj, duke e mbyllur ndeshjen që në minutën e 29’ të pjesës së parë. Kjo ndeshje në fakt pati edhe një ndërprerje pasi delegatët e FSHF nuk kanë lejuar të luhej futboll pasi nuk kishte ambulancë në stadium dhe deri në ardhjen e sajë arbitri nuk e filloi ndeshjen. Apolonia-Teuta ishte ndeshja përmbyllëse e javës, me fierakët që rikthehen edhe një herë tek fitorja në shtëpi edhe pse vetëm me rezultatin minimal 1-0. Kjo fitore vlen shumë për Apoloninë që kishte filluar të binte në një humbëtirë për rezultatet duke qenë se vinte edhe pas asaj humbje me Elbasanin në javën e 7-të. Teuta tani e sheh veten në një pozitë aspak të favorshme duke u barazuar me pikë me Apoloninë (7 secila) dhe pas vetes kanë vetëm Elbasanin që ka 3 pikë të grumbulluara. Ndërkohë ditën e premte u zhvillua ndeshja hapëse mes Flamurtari-Skënderbeu e ndjekur me ditën e shtunë mes Elbasani-Laçi dhe Tirana-Kukësi. Të gjitha këto ndeshje vinin pas pushimesh të gjata për shkak të ndeshjeve të Kombëtareve dhe që ju dha mundësinë të bënin edhe një “parapërgatitje” të vogël në sezon. Kjo javë siç e thamë solli ndryshimin e kreut të renditjes pasi Kukësi nuk mundi të merrte asgjë në Tiranë dhe kjo e fundit vendosi diktatin e vet në krye të tabelës që e gëzoi e vetme vetëm një ditë, për t’iu bashkuar edhe Partizani një ditë më pas. Ndeshja e parë dhe ajo që u cilësua si më e bukura mes Flamurtari-Skënderbeu u mbyll vetëm në barazim 1-1, pa mundur asnjëra të përfitonte apo të merrte diçka më shumë se një pikë në fund të ndeshjes. Ky rezultat i lë përsëri të dyja skuadrat në ndjekje të njëra-tjetrës por janë në humbje ndaj Tiranës dhe Partizanit që kryesojnë të vetme, me Flamurtarin që ndodhet në kuotën e 13 pikëve, dy më pak sesa kreu, ndërkohë që Skënderbeu ka vetëm 12 pikë. Ndërkohë, dy ndeshjet e ditës së dytë e shmangen barazimin dhe në të dyja u gjet fitorja, si në rastin e Tirana-Kukësi ashtu edhe në Elbasani-Laçi. Ndeshja më kryesore padyshim që ishte ajo mes Tirana-Kukësi, ndeshje e zhvilluar pa tifozë por që pati plot gola në një fitore 3-1 për kryeqytetasit. Ky rezultat i rrit pozitat Tiranës që duket se po e gjen shumë mirë formën e vet si në lojë ashtu edhe në rezultate, por jo e njëjta gjë mund të thuhet për Kukësin që përveç rezultatit që nuk erdhi, nuk ishte as loja dhe as përpjekja për të fituar pasi tiranasit e mbyllen ndeshjen pa filluar mirë akoma me një autogol nga Dushku që në minutën e 2-të. Kjo fitore rrit pozitat e Tiranës për të vazhduar tanimë rrugën drejt titullit, rrugë që siç duket deri në fund nuk do ta bëjë e vetme. Elbasani-Laçi: Verdheblutë e nisin me humbje ndeshjen e tyre të parë në stadiumin “Elbasan Arena”, një humbje që vjen po pas fitores së tyre të parë që mesa duket nuk ndikoi aspak në përmirësimin e gjendjes së keqe në të cilën duket se janë zhytur si skuadër. Nga ana tjetër kemi skuadrën e Laçit që me trajnerin e tij Cungu po bën mrekulli duke u gjendur kështu në pozita shumë të favorshme pse jo edhe për titull, pasi ndodhet vetëm 2 pikë larg vendit të parë. Kjo ndeshje nuk e vuri asnjëherë në diskutim fitoren e laçianëve që e dominuan ndeshjen dhe vazhdojnë të ruajnë serinë e mirë të fitoreve, duke përmendur edhe atë ndaj Vllaznisë javën e 7-të të Kampionatit.

Ndeshja e datës 17.10.2014

Flamurtari 1-1 Skënderbeu

 

Ndeshjet e datës 18.10.2014

Tirana 3-1 Kukësi

Elbasani 0-2 Laçi

 

Ndeshjet e datës 19.10.2014

Vllaznia 0-1 Partizani

Apolonia 1-0 Teuta

 

Nr Skuadra Nd F B H P
1 KF Tirana 8 4 3 1 15
2 KF Partizani 8 4 3 1 15
3 KF Flamurtari 8 3 4 1 13
4 KF Laçi 8 3 4 1 13
5 KF Kukësi 8 4 1 3 13
6 KF Skënderbeu 8 3 3 2 12
7 KF Vllaznia 8 3 2 3 8
8 KF Teuta 8 2 1 5 7
9 KF Apolonia 8 2 1 4 7
10 KF Elbasani 8 1 0 7 3

  FSHF pajton dy studio avokatie për mbrojtjen në UEFA

 Pala shqiptare po përgatitet në mënyrën më të mirë të mundshme që të krijojë mbrojtjen para Komisionit të UEFA-s në lidhje me akuzat e ngritura nga kjo e fundit për braktisjen e ndeshjes ndaj Serbisë. Bëhet e ditur se FSHF ka pajtuar dy studio avokatie, që sipas deklaratave kanë përvojë të mjaftueshme në çështjet sportive, në mënyrë që t’i nxjerrë të pafajshëm për akuzën e braktisjes së ndeshjes dhe mbi të gjitha për të marrë atë që me të drejtë na takon, tre pikët. Mësohet se studiot janë zgjedhur vetëm pak pas ngjarjes dhe menjëherë kanë filluar që të grumbullojnë materialet filmike, fotografitë dhe çdo provë tjetër që është në favorin tonë dhe do ti dorëzohen Komisionit të UEFA-s. Gjatë ditëve të kaluara u krijua një frikë se trajneri i Serbisë Dik Advokat ka ndikuar tek delegati i UEFA-s, që ishte gjithashtu holandez, për relacionin që ky i fundit i dërgoi UEFA-s dhe në lidhje me këtë, mbrojtja po siguron pamje filmike që tregojnë qartazi bisedën që këta të fundit kanë bërë pas ndërprerjes së ndeshjes.

 Flet anëtari i Komisionit Disiplinor të UEFA-s

Ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë, e lënë në mes për shkak të zhvillimeve të dhunshme nga tifozët vendas ndaj futbollistëve shqiptar ka kaluar në dorën e Komisionit Disiplinor pranë UEFA-s dhe është një nga anëtarët e këtij Komisioni, çeku Rudolf Repka, që ka thyer një farë heshtje të vendosur mbi zgjidhjen e situatës së krijuar. Sipas tij (edhe pse është akoma shumë shpejt që të jepen mendime) Shqipëria me Serbinë do të përballen me sanksione të forta për shkak të ndërprerjes së ndeshjes por asnjëra nga ato nuk rrezikon pezullimin nga kompeticioni. Më e mundshmja është që kjo ndeshje të përsëritet dhe të luhet në stadium neutral dhe sigurisht pa tifozë. Kujtojmë që vendimi do të merret këtë të enjte, me datë 23 tetor.

 Huligani Bogdanov kthehet në çështje

Kishte shumë “tifozë” që u futen në fushë në ndeshjen Serbi-Shqipëri, ndër ta ishte edhe Bogdanov, ose Ivani i “Tmerrshëm” siç njihet nga shumëkush. Të bën përshtypje se pavarësisht masave që ishin thënë se do merreshin gjatë ndeshjes në qoftë se digjet një flamur shqiptar, flamuri jo vetëm që u dogj, por masat nuk u morën as për personat që u futën në fushë ku akoma edhe sot, pothuajse një javë pas ngjarjeve nuk ka as edhe një të ndaluar nga të gjithë ata që u futën në fushë. Mbi këtë situatë ka dhënë përshtypjet e tij edhe eksperti danez i çështjeve të sigurisë Nils Christian që me tone të ashpra ka folur për incidentin e javës që kaloi. Christian u shpreh se autoritetet e sigurisë serbe nuk morën masat e duhura për të shmangur çdo rrëmujë të mundshme. I pyetur edhe për rastin “Bogdanov”, eksperti Christian u shpreh i çuditur se si një person i tillë u lejua të futej në fushë gjatë ndeshjes. Ai për më tepër shtoi se autoritet serbe e dinin shumë mirë se ai ishte i dënuar dhe nuk duhej lejuar që të shkelte në stadium.

 Taulant Xhaka dhe Lorik Cana, “Qytetar Nderi të Mitrovicës”

Kryetari i Komunës Mitrovicë, Agim Bahtiri, ka vendosur shpalljen e futbollistëve Xhaka e Cana qytetarë nderi të Mitrovicës me motivacionin e mbrojtjes së simboleve kombëtare të shfaqur në ndeshjen ndaj Serbisë. Aktualisht po bëhen përgatitjet për këtë ngjarje por akoma nuk është vendosur një datë e saktë se kur do të nderohen.

 Flamuri i “zbritur” nga qielli kthehet në modë

Duket se ndikimi që pati flamuri i shfaqur në ndeshjen Serbi-Shqipëri po vjen gjithmonë e duke u zgjeruar e pas ndeshjes Flamurtari-Skënderbeu që ndoqi këtë shembull, kalohen kufijtë dhe ndeshim me këtë rast në Francë ku në ndeshjen Nicë-Bastia, u shfaq flamuri i Korsikës në stadium. Korsika siç dihet është një krahinë e Francës, por që kërkon prej vitesh pavarësinë. Mediat franceze e kanë krahasuar këtë rast me atë të Shqipërisë ne Serbi pasi edhe këtu pati futbollistë që e mbrojtën flamurin dhe ky akt shkaktoi trazira dhe dhunë mes tifozëve.